Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Nëpër gjurmët e murgjve mesjetarë – fytyra e fshehtë e Manastirit Shkëmbor të Ivanovos

Foto: Milen Jordanov

Lart në kanionin e lumit Rusenski Llom fshihet një nga qendrat shpirtërore më mbresëlënëse të Bullgarisë. Bëhet fjalë për një kompleks me dhjetëra qeli shkëmbore, kapela dhe kisha të gdhendura në të dy anët e lumit, të cilat u krijuan që në shekullin e XIII-të si pjesë e Manastirit Shkëmbor të Ivanovos “Shën Kryeengjëlli Mihaill”.

Kisha shkëmbore më mbresëlënëse në këtë zonë është “Shën Hyjlindësja”, e cila është përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s falë afreskeve të saj nga shekulli XIV. Megjithatë, ajo që shohin turistët është vetëm një pjesë e vogël e manastirit dikur të madh. Pjesa më e madhe e kishave ndodhet në vendin e quajtur “Pismata” (Letrat), në anën e djathtë të lumit Rusenski Llom.

Zona „Pismata“, ku ndodhet pjesa më e madhe e Manastirit shkëmbor të  Ivanovos „Shën Kryeengjëlli Mihaill“

Muzeu Historik Rajonal në qytetin e afërt Ruse organizon vizita të veçanta të udhëhequra nga një ekspert, të cilat i çojnë udhëtarët kureshtarë në zemrën e historisë shpirtërore të Perandorisë së Dytë Bullgare (1185–1396). Evgeni Georgiev, kujdestar në muze dhe udhëheqës i këtyre vizitave, shpjegon:

“Më tepër, kjo vizitë i ngjan një shëtitjeje turistike, me ecje në luginën e lumit Rusenski Llom dhe me ndalesë dhe eksplorim të vetë pjesëve manastirore. Ecet nëpër shtigje, disa prej të cilave janë më të pjerrëta në disa zona; ngjitemi edhe nëpër shkallë druri. Ka një element turizmi dhe është e nevojshme që pjesëmarrësit të jenë të veshur në mënyrë të përshtatshme për shëtitje të tilla të shkurtra, të kenë me vete ujë, kapelë etj., dhe të jenë të kujdesshëm. Për këtë arsye, është e dëshirueshme që grupet të mos jenë më të mëdha se 15 persona. Kohëzgjatja është e ndryshueshme dhe varet nga grupi dhe pjesëmarrësit, por zakonisht është rreth 3–4 orë.”

Kalimi nëpër masivin shkëmbor, i tëri “i shpuar” me kisha, kapela dhe qeli, kërkon një përgatitje të mirë fizike. Evgeni Georgiev udhëheq grupet drejt disa prej tetë komplekseve kryesore, të përzgjedhura posaçërisht për shkak të afreskeve të ruajtura në to, të cilat tregojnë historinë e lulëzimit të Manastirit Shkëmbor të Ivanovos ndërmjet shekujve XIII dhe XIV.

Afresku „Zbritja e Shpirtit të Shenjtë mbi Apostujt“

“Manastiri i parë që vizitohet është kompleksi pranë Kishës së Mbuluar, ku me një dhuratë të Mbretit Ivan Asen II, Patriku i shenjtë Joakim I (shënim: patriku i parë i ardhshëm i Tërnovos, 1235–1246), pasi u kthye nga Mali i Shenjtë, hodhi themelet e manastirit. Ky shenjtor bullgar ka shërbyer në këtë kishë si igumeni i parë i manastirit. Aty ruhen dy kisha me afreske, dhe në njërën prej tyre gjendet një kompozim ktitorik, në të cilin është paraqitur dhuruesi – Mbreti bullgar Ivan Asen II – teksa i dhuron një model të tempullit “Shën Kryeengjëllit Mihaill.”

Pjesa e altarit kishës në zonën „Gospodev Doll“

Rruga vazhdon drejt vendeve të tjera të shquara, si kisha “E Pagëzimit” dhe rajoni i quajtur “Lugina e Zotit”, që e ka marrë emrin nga imazhi i Krishtit që ruhet aty. Gjatë rrugës, format shkëmbore të quajtura “Voshkini”, që i ngjajnë huallit të bletëve, dëshmojnë për bashkëjetesën harmonike midis njeriut dhe natyrës. Kulmi i udhëtimit është në kapelën më lindore, kushtuar shenjtorëve Theodor Tiron dhe Theodor Stratilat, ku afresket datojnë nga shekulli XIV. Edhe aty gjendet një tjetër përshkrim ktitorik – i Shenjtores Theofana, e cila i paraqet dy mbrojtësve të saj qiellorë një model ndërtese trekatëshe. Për Evgeni Georgievin, vlera e vërtetë e këtij udhëtimi nuk qëndron vetëm te kryeveprat e artit mural kishtar:

„Kisha e shembur“

“Sipas meje, vlera më e madhe në këtë rast është ky udhëtim në kohë drejt një epoke të largët. Sepse ne shohim manastiret ashtu siç kanë qenë në shekujt XIII–XIV. Nuk është diçka e transferuar në një muze, por në vendin e vet, ashtu siç ka qenë dikur. Vlera këtu është se, ndryshe nga kishat e ndërtuara me gur, të cilat arkeologët tanë zakonisht i zbulojnë vetëm nëpërmjet themeleve gjatë gërmimeve, këtu kemi të ruajtur plotësisht ambientin e brendshëm. Dhe kur hasim edhe afresket e ruajtura, ky udhëtim në kohë është me të vërtetë mbresëlënës” – përfundon Evgeni Georgiev.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Milen Jordanov




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kisha Ortodokse

Ortodoksët nga vendet ballkanike në Toronto përkujtojnë Shën Gjon Pagëzorin

Në Kishën Ortodokse Maqedono-Bullgare "Shenjtor Kirill dhe Metodij" në Toronto, Kanada, sot më 29 gusht, kur Kisha Ortodokse përkujton Shën Gjon Pararendësin, në orën 10:30 me kohën lokale do të shërbehet Liturgjia Hyjnore e Shenjtë, njofton BTA...

botuar më 25-08-29 2.11.MD

Gjatë gërmimeve në Herakleja Sintika u zbulua dora e djathtë e një statuje të Herakliut

Ekipi i profesorit Vagalinski zbuloi dorën e djathtë të një statuje të Herakliut gjatë gërmimeve në pjesën lindore të forumit Herakleja Sintika. Dora e zbuluar ka një formë karakteristike të gishtërinjve të përkulur, tipike për mbështetjen mbi shkopin..

botuar më 25-08-28 6.04.MD

Pijetoret – qendrat kulturore të Sofjes në zhdukje

Për kryeqytetin tonë, gjatë viteve janë shkruar libra të panumërt që rikrijojnë si historinë e tij të jashtëzakonshme nga lashtësia e deri në ditët tona, ashtu edhe përshtypjet e udhëtarëve të ndryshëm që e kanë vizituar qytetin. Një vend të veçantë..

botuar më 25-08-25 4.05.MD