Eмисия новини
от 09.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Kronikë e Kishës Ortodokse Bullgare

Kryepeshkopët Ilarion Makariopollski, Avksentij Velleshki dhe Paisij Plovdivski – udhëheqës të lëvizjes për kishë autoqefale bullgare. Mozaik nga pallati i Sinodit të shenjtë bullgar.
Снимка: Архив
Gjatë vitit jubilar të Kishës Ortodokse Bullgare – 1140 vjet nga themelimi i saj, 150 vjet nga Pashkët Bullgare, ku u vu fillimi i luftërave kishtare popullore për liri dhe pavarësi dhe

140 vjet nga themelimi i Ekzarkisë Bullgare, u botua vëllimi i parë i “Kronikës së Kishës Ortodokse Bullgare – histori dhe personalitete”. Pasuria e këtij libri është se përveç pjesës së domosdoshme historike, e cila rrëfen për themelimin dhe zhvillimin e Kishës Ortodokse Bullgare që nga shekulli i IX deri më sot, ai paraqet gjithashtu patrikun, mitropolitët dhe peshkopët e kishës sonë ortodokse. Shëtitja interesante nëpër të kaluarën historike të Kishës Ortodokse Bullgare është vepër e një prej historianëve dhe teologëve më të mirë bullgarë – prof. doktor Georgi Bakallov. Botimi është luksoz, me më shumë se 3000 ilustrime të tempujve, manastireve, personaliteteve të shquara të kishës, të veprave të artit etj, një pjesë prej të cilave publikohen për herë të parë. Teksti është në bullgarisht dhe në anglisht. Ky almanak i Kishës Ortodokse Bullgare u paraqit para pak kohe në Parlamentin Evropian në Bruksel:

“Shumë kohë identiteti bullgar lidhej me krishterimin ortodoks – tha në një intervistë për Radio Bullgarinë prof. Georgi Bakallov – dhe me faktin se feja e krishterë ortodokse, e cila e ka fillimin e saj në Bullgari pas krijimit të kishës në vitin 870, është pjesë e pandarë e vetëdijes bullgare. Në këtë kuptim bullgarët, sidomos në të kaluarën jo të largët, kanë menduar se mund të jetë bullgar vetëm ai, i cili është i krishterë ortodoks. Ky gërshetim i përkatësisë kombëtare dhe i asaj fetare, është një veçori në regjionin tonë dhe për shkak të faktit se afro 500 vjet popujt ballkanikë kanë qenë nën pushtetin e Perandorisë Osmane – një sistem ushtarako administrativ, politik dhe fetar krejt i ndryshëm. Vetëdija e bullgarit krijohet nëpërmjet fesë së krishterë ortodokse. Atje janë dhe idetë e tij për funksionimin e shtetit. Kjo i detyrohet gjithashtu faktit se kisha ortodokse gjithmonë ka qenë e lidhur me vetë shtetin.

Sh. Boris I duke ndërtuar një tempull. Afresk nga Katedralja “Shën Aleksandër Nevski”

Kështu qe, duke folur për lulëzimin e Bullgarisë së Mesjetës gjatë udhëheqjes së princit Boris, të mbretit Simeon, të mbretit Petër, për “Shekullin e artë”, duhet të përmendim se ai është i artë edhe sa i përket kishës. Veprimtarët e kulturës dhe letërsisë bullgare në atë kohë kanë qenë nëpunës të Kishës. Kjo e ka bërë praninë dhe pjesëmarrjen e Kishës Bullgare në historinë tonë një rregull të pazëvendësueshëm. Më vonë, kur Bullgaria u mposht nga Bizanti në vitin 1018, perandori Vasilij II – vrasësi i bullgarëve, e ruajti autonominë e Kishës Bullgare dhe në këtë kuptim bullgarët e përjetuan udhëheqjen 165 vjeçare bizantine më lehtë. Atëherë erdhi katastrofa e dytë e madhe – pushtimi i Bullgarisë nga turqit osmanë, kur u asgjësua dhe pavarësia e kishës. Epoka e Rilindjes kishte tri drejtime: lufta për iluminizmin bullgar, lufta për kishë më vete dhe lufta për çlirimin politik. Nga këto luftëra dy përfunduan me sukses. U krijuan shkolla, vatra kulturore, biblioteka, grupe teatrale, pjesa teatrale etj. Krijuam dhe Ekzarkinë Bullgare si kishë autonome. Nuk arritëm të realizojmë vetëm pavarësinë politike me mjete të veta. Bullgarët gjithmonë kanë ditur se pa kishën e pavarur, të krijuar sipas traditave të së kaluarës, vendi ynë nuk mund të ketë prosperitet në të ardhmen. Ne po ndeshemi vazhdimisht me këtë fenomen – afërsia e kishës me shpresat popullore dhe shtetin.”

Kisha “Shën Sofia” në Ohër

Parathënia e librit “Kronikë e Kishës Ortodokse Bullgare” është shkruar nga Patriku Eumenik Vartolomej. Prof. Bakallovi na shpjegoi rëndësinë e këtij fakti: “Shumë vite – nga viti 1870 deri në vitin 1945, Patrikana Ekumenike, e cila është kisha – nënë, e kishte shpallur kishën tonë skizmatike (ndarje nga ana e Patrikanës së Konstantinopojës). Që pas anulimit të skizmës, ajo hyri në kontakt me kishat e tjera ortodokse dhe kështu u arrit deri në vitin 1953, kur u rimëkëmb dinjiteti patriarkal i Bullgarisë. Kështu qe fakti se Patriku Ekumenik Vartolomej e vë emrin e tij në parathënien e një botimi të tillë është ripohimi i radhës i marrëdhënieve të mira midis kishës – nënë dhe kishës sonë. Ne jemi pjesë e familjes së madhe të krishterë.”

 

Përpiluesi i librit “Kronikë e Kishës Ortodokse bullgare” është studiuesi i kishës Boris Cacov. “Materialet për librin janë grumbulluar rreth katër vite – shpjegon ai. – Shumë njerëz të tjerë kanë ndihmuar për krijimin e tij – pothuaj të gjitha peshkopatat e vendit, pothuaj nga çdo mitropoli na dhanë të gjitha sendet, materialet dhe fotografitë, të cilat i kishin në dispozicion. 90 për qind e fotografive, e sendeve kishtare nuk janë paraqitur deri tani. Ato nuk janë eksponate muzeore, sepse janë të vjetra dhe mund të dëmtohen lehtë. Grumbullimi i të gjitha këtyre gjërave na kushtoi disa vite, por ekipi, i cili e bëri librin, është mjaftë i madh. Unë i kam orientuar, u kam bërë kërkesa për gjëra konkrete, por puna është e madhe dhe nuk mund të kryhet nga një njeri.”

Boris Cacov ka prekur shumë sende me vlerë historike, por ka të tilla, ndaj të cilave ka një respekt të madh: “Ndoshta do të jetë interesante për shumicën e njerëzve se u publikua për herë të parë Tomosi i Patrikanës Ekumenike nga 1945, i cili anulon skizmën e imponuar në vitin 1872 – thotë ai. Kjo është njohja zyrtare e kishës sonë si e pavarur. Tani më vjen ndër mend dhe për një ikonë, të cilën e ka mbajtur mbi gjoks ekzarku Josif (një udhëheqës i shquar shpirtëror). Pasi përfytyroj se kjo ikonë është mbajtur në gjoks nga ky njeri i madh dhe tani unë mund ta prek, emocionohem shumë. Pas vdekjes së tij ikonën e ka marrë biri i tij shpirtëror Mitropoliti i Vracës Pajisij, i cili ia ka dhuruar Muzeut të Kishës.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Fotografitë janë nga libri “Kronika e Kishës Ortodokse Bullgare”

По публикацията работи: Iliana Rajçeva
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени