Eмисия новини
от 18.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Në qendër të Sofjes bashkëjetojnë tempuj të feve të ndryshme

Tempulli “Shën e Diela”, i ndërtuar në një prej vendeve më të vjetra të kultit në qendrën e Sofjes së sotme.
Снимка: Miglena Ivanova
Vendbanimet e para në territorin e kryeqytetit të sotëm të Bullgarisë datojnë që në epokën e bronzit. Vendbanimi i parë – Serdonpolis, me origjinë trake, gjendej afër burimit mineral në qendrën e Sofjes së sotme. Në epokën romake kozmopolitizmi ishte ndër karakteristikat kryesore të qytetit. Popullsia ishte e shumëllojshme edhe në shekujt më të vonshëm. Përfaqësuesit e etnoseve dhe feve të ndryshme krijonin mëhalla të veta dhe objekte kulti. Dhe kështu, gjatë shekujve, në një territor jo shumë të madh në qendrën e Sofjes së sotme u përqendruan tempuj të bashkësive të ndryshme. Dy prej tyre janë të krishtera – këto janë katedralja ortodokse “Shën e Diela” dhe ajo katolike “Shën Josif”. Jo larg tyre janë Banja Bashi Xhamia dhe Sinagoga e Sofjes. Sipas Katelina Salltirovës-Pavllovës, kryeeksperte nga ndërmarrja bashkiake “Sofja e vjetër”, sheshi, në të cilin ndodhet katedralja “Shën e Diela”, ka një histori të pasur.

Ky shesh, bashkë me sheshin “Banski”, janë dy vendet kryesore më të vjetra të kryeqytetit tonë – vë në dukje zonja Salltirova-Pavllova. – Në sheshin “Banski” është kaptuar një burim mineral dhe gjatë shekujve II dhe III atje u formua një qendër e madhe balneare, ndërsa afër sheshit “Shën e Diela” kryqëzoheshin dy artere të rëndësishme rrugore. Ato lidhnin portën lindore të qytetit me atë perëndimore, si dhe atë veriore me atë jugore. Në këtë vend në antikitet ndodhej pushteti administrativ i qytetit. Në perëndim të sheshit në kohën romake ekzistonte një seli tregtare, atje u zbuluan shumë gjurmë prej dyqanesh të vogla. Më vonë, kur krishterimi u bë fe zyrtare, në shesh u ndërtuan tempujt e parë të krishterë.

Në fakt tempulli “Shën e Diela” i përket valës së tretë të kishave ortodokse në këtë vend. Supozohet se është ndërtuar rreth shekullit të X. Me siguri atje ka pasur tempull gjatë shekullit të XII, kur kulti ndaj Shën së Dielës – mbrojtësja e mbretërve bullgarë u bë kult shtetëror. Në oborrin e tempullit, sipas zakonit të vjetër, ka pasur varreza të krishtera. Atje gjendej kisha e vogël “Shën Arkangjel”, kurse më vonë, në vitin 1849, me mjetet e sofjanasve të pasur, atje u ndërtua një shkollë.

Deri në mesin e shekullit të XIV “Shën e Diela” ishte një godinë e vogël, me themele të ngurta dhe mure prej druri. Në vitin 1856 në vendin e saj filloi ndërtimi i tempullit të ri, i cili u bekua në vitin 1867. Gjatë shekullit të XIX dhe në fillim të shekullit të XX ai u bë i njohur me emrin “Shën Mbreti”, sepse në fillim të shekullit të XVIII në të u vendosën lipsanat e mbretit serb Shën Stefan Urosh II. Sofjanasit besonin se ato kishin fuqi kuruese dhe i ruanin nga sëmundjet. Më 16 prill 1925 një atentat në katedrale gjatë meshës shkatërroi një pjesë prej kishës. Vdiqën 193 veta dhe 500 të tjerë u plagosën. Pas kësaj ngjarjeje tragjike bashkia mori vendim për shkatërrimin e tempullit dhe për ndërtimin e një monumenti në vendin e tij për nder të viktimave të atentatit. Por pas shumë debateve priftërinjtë arritën t’i bindin autoritetet bashkiake se tempulli duhet të rimëkëmbet. Godina e re e kishës është më e madhe dhe më e ndryshme nga të mëparshmet.

© Foto: Miglena Ivanova

Banja Bashi Xhamia, e ndërtuar nga arkitekti i famshëm turk Sinan gjatë shekullit të XVI-të.

Bashi Xhamia është më e vjetra nga katër tempujt e përmendur në qendër të Sofjes – shënon zonja Katelina Salltirova-Pavllova. – Sipas legjendës ajo është ndërtuar nga molla Efendi për nder të bashkëshortes së tij të vdekur. Arkitekti i ndërtesës është Sinani, i njohur për ndërtimin e xhamive të të ashtuquajturit tip të sulltanit – këto janë xhamitë më të bukura.

Banja Bashi Xhamia është ndërtuar në shekullin e XVI. Sipas udhëtarit nga shekulli i XVII Evlia Çelebi, ajo ka pasur një minare shumë të bukur. Godina disponon një sallon të madh, ku luten burrat, dhe një galeri, në të cilën mund të qëndrojnë gratë. Çezma e madhe përdoret për larjen rituale para hyrjes në sallonin e lutjes. Në muret e brendshme të xhamisë sipas zakoneve myslimane janë shkruar kapituj nga Korani.

© Foto: Miglena Ivanova

Sinagoga e Sofjes nga viti 1909, e ndërtuar sipas shembullit të Sinagogës së Vjenës, e cila më vonë u dogj nga nazistët.

Jo larg xhamisë ndodhet një kryevepër tjetër arkitekturore – Sinagoga e Sofjes, e cila është e treta për nga madhësia në Evropë, pas sinagogës në Budapestë dhe asaj në Amsterdam dhe është më e madhja në Gadishullin Ballkanik. Ideja për ndërtimin e saj është nga viti 1903.

Godina u ndërtua sipas projektit të Fridrih Grjunanger. Arkitekti austriak e krijoi projektin, duke u mbështetur mbi atë të sinagogës në Vjenë, e cila u asgjësua më vonë nga nazistët – na tregon Katelina Salltirova-Pavllova. – Atje gjenden selitë e kryerabinit të Bullgarisë dhe të kryerabinit të Sofjes. Pas hapjes së sinagogës atje ndodhej dhe gjykata e lartë e rabinëve. Atje gjendej dhe biblioteka e bashkësisë së hebrenjve të Sofjes, e cila dispononte një koleksion shumë të pasur prej veprash nga Mesjeta. Për fat të keq kjo bibliotekë u asgjësua gjatë bombardimeve në vitin 1944.

Sinagoga disponon një sallë të madhe lutjeje, me 1170 vende – në katin e parë luten burrat, kurse në atë të dytë – gratë.

© Foto: Miglena Ivanova

Tempulli më i madh katolik në Bullgari – “Shën Josif”, ndërtimi i të cilit filloi në prani të papës Gjon Pavli II.

300 metra larg sinagogës ndodhet katedralja katolike “Shën Josif”. Ja se çfarë na tregoi për të zonja Salltirova-Pavllova:

Kjo është kisha më e madhe katolike në Bullgari. Ideja për ndërtimin e saj lindi në vitin 1875, kurse vetë ndërtimi filloi në vitin 1878.

Sipas disa shkencëtarëve ndërtimi i tempullit ka mbaruar në vitin 1885. Ndërtimi i tërë kompleksit përfundoi gjatë Luftës së dytë botërore, por u shkatërrua gjatë bombardimeve në muajin mars 1944. Atëherë mbeti vetëm salla e koncertit. Në vitin 2002 në prani të Papës Gjon Pavli i dytë, filloi ndërtimi i tempullit të ri në vendin e atij të shkatërruar. Mjetet u grumbulluan nga katolikët nga tërë bota, kurse ndërtimi, sipas arkitektëve Kosjo Peev dhe Stojan Janev, vazhdoi katër vjet. Katedralja e re është më e madhe nga ajo e vjetër. Në të ka 350 vende për të ulur dhe mund të grumbullohen rreth 1000 besimtarë.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Miglena Ivanova
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна