Edhe gjatë këtij viti vazhduan studimet arkeologjike të kalasë mesjetare bullgare Urviç në afërsi të Sofjes. Gjatë gërmimeve ishte studiuar dhe manastiri “Shën Ilia”, për të cilin murgu Paisij Hilendarski ka shkruar në librin e tij “Historia sllavo-bullgare” –libri i cili luajti një rol të rëndësishëm në procesin e rilindjes sonë në periudhën e sundimit turk. “Toponimi i vetëm konkret, të cilin e gjejmë në këtë libër është kalaja me manastir “Urviç”, e cila ndodhet afër Sredecit”(emri i qytetit të Sofjes në Mesjetë) – saktësoi arkeologu Nikollaj Ovçarov. Ai, bashkë me docenten Boni Petrunova, është udhëheqës i gërmimeve. Manastiri është shkatërruar në fundin e shekullit të XVII, në kohën e Luftës austro-turke.
Artefaktet e sivjetshme nga kalaja Urviç janë nga periudha të ndryshme. Dhe kjo është e kuptueshme: në shekullin e pestë atje ka pasur një kala të Antikitetit të Vonë. Në rrënojat e saj janë gjetur sende interesante – figura e një luftëtari të hidhur në sulm dhe monedha të asaj kohe. Ndër artefaktet e gjetura sivjet ka dhe një aspra (monedhë të argjendtë) prej kohës së sundimit të mbretit Ivan-Aleksandër (1331-1371) dhe disa pjesë të një stolisjeje femërore për kokë.
Me vlerë më të madhe është një monedhë e madhe nga oborri i sulltanit indian Mohammed bin Adil Tuhluk Saha (1325-1351). Është i njohur me këtë se e ka bashkuar Indinë dhe kundër tij ka pasur 22 rebelime të brendshme. Pas vdekjes së tij në vitin 1351 sulltanati i tij i madh u copëtua. Por si kjo monedhë ka ardhur këtu? Sipas Nikolaj Ovçarovit versioni më i mundshëm është se pasi Timuri e pushtoi Indinë dhe vazhdoi ekspansionin e vet në drejtim perëndimor, luftëtarët e tij kanë ardhur në Azinë e Vogël – relativisht afër trojeve bullgare.
Studimet janë financuar nga Programi i kryeqytetit “Kultura”. Nisma për zbulimin e manastirit zhvillohet nga organizata jofitimprurëse për studime arkeologjike dhe për mbrojtje ekologjike të monumenteve arkeologjike “Kopam BG”. Që nga ky vit në projekt merr pjesë edhe Muzeu Historik Kombëtar. Në gërmime morën pjesë studentë dhe profesorë nga Universitetet e qyteteve Sofje, Plovdiv, Shumen dhe nga Universiteti i Ri Bullgar.
“E falënderojmë ekipin, i cili në vazhdim të disa viteve me sukses të madh e studion këtë kala interesante – tha Todor Çobanovi – zëvendëskryetar i Bashkisë së Kryeqytetit. – Ajo nuk është një nga të shumtat, por është një nga më interesantet, sepse në të takohen shumë epoka. Ajo na jep të dhëna për Antikitetin e Vonë, kor kohërat turbulente në qytetin Serdika, pastaj – për Mesjetën interesante bullgare. Bashkia e kryeqytetit vazhdimisht e zhvillon këtë projekt, bashkë me projekte të tjera duke planifikuar se në të ardhmen e afërt këto vende do të jenë ndër atraksionet turistike të qytetit, pjesë e kompleksit të madh të Malit të Shenjtë të Sofjes.”
Sipas Bozhidar Dimitrovit, drejtor të Muzeut Historik Kombëtar, kalaja Urviç duhet të restaurohet apo të paktën të restaurohet një pjesë e saj. Dhe përveç kësaj – të restaurohet kisha dhe ajo të fillojë të punojë si një tempull i krishterë, i cili do t’i presë besimtarët.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Fotografi: Bulfoto