Sivjet në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sofjes u zhvillua aktiviteti tradicional “Sofja Meetings”. “Takimet e Sofjes” u mblodhën në një vend njerëzit kryesorë nga Ballkani dhe Evropa që merren me prodhimtarinë kinematografike. Mik i posaçëm ishte drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku.
Për Radio Bullgarinë z. Zharku tregoi gjendjen aktuale të kinemasë kosovare – për sukseset e filmave të reja si “Burrneshat”, “Bota” etj. në festivalet botërore dhe për pranimin në “Oskar”. Drejtori i QKK-së foli për mbështetjen e kinematografisë së re në Kosovë, për anëtarësimin e ardhshëm në “Euroimage”, për festivalet kulturore si SkenaUP, DokuFest etj. Ai rikujtoi historikun e kinemasë duke kthyer në periudhën e “Kosova Filmi”. Intervista iu kushtua temave për frymën e re të kinemasë ballkanike, bashkëpunimin në Ballkan në sferën e prodhimtarisë filmike dhe krijimin e rrjeteve të reja të kinemave shqipfolëse në rajon.
Fotografitë janë ofruar nga Arben Zharku