Të gjithë e duam këngën e zogjve këngëtarë. Cicërima e tyre na gëzon dhe na krijon humor të mirë. Mirëpo, tani, kur dëbora e ka mbuluar tokën, a jemi të qartë se sa vështirë është për këto krijesa të vogla? Zogjtë gjithashtu ndiejnë të ftohtë. Prandaj Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve u bën thirrje adhuruesve të natyrës për të vendosur ushqim në ndihmë të zogjve të egër këngëtarë. Qëllimi i fushatës është që në këtë mënyrë të vendosim një kontakt më të ngushtë me natyrën. Më shumë hollësi na solli Mariana Vëllçeva nga Shoqata për Mbrojtjen e Shpendëve:
“Fushata “Një kokërr dashurie” e Shoqatës për Mbrojtjen e Shpendëve lindi para nëntë viteve, kur deshëm ta përqendrojmë vëmendjen e njerëzve nga qytetet e mëdha dhe vendbanimet më të vogla te ndihma ndaj këtyre zogjve të vegjël këngëtarë, të cilët mbeten te ne gjatë dimrit. Sidomos gjatë ditëve dimërore kur ka mbulesë të trashë dëbore dhe ata e gjejnë më vështirë ushqimin. Gjatë verës këta shpendë zakonisht hanë insekte, por gjatë dimrit ato kanë nevojë për kokrra më të yndyrshme, që të grumbullojnë më shumë energji dhe të mos kenë ftohtë. Nëpërmjet fushatës “Një kokërr dashurie” çdo një prej nesh pa bërë shumë përpjekje dhe pa investuar shumë mjete mund t’i ndihmojë këta banorë të parqeve dhe kopshteve. Ndërkaq, që nga mëngjesi do të mund të dëgjojmë këngën e tyre dhe t’i vëzhgojmë tërë ditën. Është me rëndësi që të dimë se zogjtë e mbajnë mend vendin ku është vendosur ushqimi dhe do të vijnë atje çdo ditë."
Sa njerëz janë përfshirë në fushatë?
“Ata, për të cilët jemi në dijeni, i kanë shënuar vendet ku vendosin ushqim për zogjtë në hartën interaktive të sajtit të Shoqatës Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve. Këto enë të veçanta, ku vendoset ushqimi i shpendëve, mund të vendosen si në ballkonin tonë, ashtu dhe në dritare, mund të jenë në ndonjë pemë pranë shtëpisë sonë, ose në parqet dhe kopshtet e afërta. Tani për tani njerëzit në mbarë vendin, të cilët i kanë shënuar vendin e vendosjes së ushqimit për zogjtë, janë mbi 2000. Unë jam e sigurt se ka njerëz, të cilët nuk kanë dëgjuar për këtë hartë interaktive, ose thjeshtë nuk kanë pasur kohë për t’u shënuar atje. Nga informacioni që marrim nga mbarë vendi kuptojmë se njerëzit që dëshirojnë t’i ushqejnë shpendët gjatë dimrit bëhen gjithnjë e më shumë."
"Të bësh një enë, ku të vendosësh ushqimin e shpendëve, nuk është vështirë. Unë ushqej një tufë të madhe trumcakësh dhe trishtilash të mëdhenj. Kam vendosur në ballkon një karton me farëra prej luledielli” – na thotë gjithashtu Mariana Vëllçeva. Kokrrat mund të vendosen gjithashtu në shishe prej plastmase, e cila të varet, kështu qe pëllumbat të mos e hanë ushqimin e zogjve këngëtarë. Në fund të shishes vëmë degë të thata, të cilat dalin jashtë shishes permes vrimave të posaçme. Atje zogjtë ulen dhe i hanë kokrrat e vena nga ne. Gëzohemi shumë nga takimi me zogjtë e egër këngëtarë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi dhe video: bspb.org