Eмисия новини
от часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Bashkimi – një legjendë reale historike

Автор:
БНР Новини
“Bashkimi i Bullgarisë Veriore me atë Jugore. 6 shtatori 1885” – pikturë në një pullë postare nga viti 1885

Më 6 shtator mbushen 133 vjet nga Bashkimi i Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore – pjesë prej Bullgarisë së sotme Jugore, atëherë krahinë autonome në Perandorinë Osmane me kryeqytet Plovdiv. Deri në krijimin e “dy Bullgarive” u arrit për shkak të kundërshtimeve gjeopolitike të Fuqive të Mëdha pas Luftës Çlirimtare Ruso-Turke 1877-1878. Në Kongresin e Berlinit (1878) nuk u lejua krijimi i një shteti të madh bullgar. Bullgaria Veriore dhe krahina e Sofjes u përfshinë në Principatën e Bullgarisë, e cila ishte vasale e Sulltanit. U krijua Rumelia Lindore, ndërsa troje të tjera të populluara atëherë kryesisht me bullgarë (Maqedonia, Trakia e Egjeut, Rodopet, Stranxha) mbetën në Perandorinë Osmane pa të drejtën e vetëudhëheqjes.

Në prag të revolucionit të ri kombëtar

Aleksandër Bogoridi (1822 – 1910)Popullsia e Bullgarisë Jugore protestonte në mënyrë shumë energjike, duke treguara gatishmëri për kundërshtim dhe kjo dha disa rezultate mbi vendimet e Kongresit të Berlinit. Në krahinë nuk kishte ushtri osmane, në ushtri dhe në forcat e sigurisë shërbenin vetëm bullgarë, udhëheqja ishte relativisht demokratike, kishte zgjedhje të lira për kuvend dhe shtyp të lirë.

Si gjeneral-guvernator të parë sulltani emëroi politikun osman me origjinë bullgare Aleko Pasha Bogoridi. Një hollësi interesante – ai mbërriti në Plovdiv me kallpak në kokë dhe kjo ishte konsideruar nga popullsia si shenjë e së ardhmes të mirë.

Megjithë ndarjen artificiale nga Bullgaria, Rumelia Lindore zhvillohej mirë edhe në ekonomi, edhe në lëmin e kulturës. Por sipas shumicës së bullgarëve kjo statukuo ishte e papranueshme. Mendimet për bashkimin me Rumelinë Lindore, e cila ruante karakterin e saj bullgar, si hapi i parë drejt bashkimit të të gjitha trojeve bullgare ishin krejt të natyrshme.

Çështja Kombëtare dominonte në debatin politik edhe në dy Bullgaritë. Në Rumelinë Lindore zgjedhjet fitoheshin edhe me premtime për bashkimin sa më të shpejtë, por askush nuk e dinte se si kjo do të ndodhte. Kontaktet ndërkombëtare të një sërë politikanësh bullgarë të “dy Bullgarive”, ishin tepër dëshpëruese. Pozita zyrtare e të gjitha shteteve të mëdha evropiane ishte për bashkim po “ndonjë ditë, jo tani”.

Bashkimi

Situata ndryshoi gjatë vitit 1885, kur lëvizja për bashkimin e Rumelisë Lindore u kryesua nga politikani dhe gazetari i njohur Zaharij Stojanov. Ai ishte ndër organizatorët e paktë të gjallë të Kryengritjes së Prillit /1876/ kundër pushtetit osman. Në Rumelinë Lindore Stojanov shfaqi talentin e vet si lider dhe publicist. Ai krijoi një organizatë të fuqishme – Komiteti Sekret Qendror Revolucionar.

Pjesëmarrësit në Komitetin Sekret Qendror Revolucionar

Gjatë vitit 1885 tensioni u rrit. Mitingjet për bashkimin në Rumelinë Lindore bëheshin gjithnjë e më të shpeshta dhe shpeshherë mbaronin me ndeshje me policinë. Në fillim të shtatorit në disa vende shpërthyen trazira, të cilat pushteti përpiqej t’i shuante. Ndërkaq, Komiteti Sekret i kishte përqendruar përpjekjet e veta kryesisht në kryeqytetin e krahinës dhe kishte fituar për kauzën oficerë nga ushtria dhe xhandarmeria. Gjatë natës para 6 shtatorit ushtritë e udhëhequra nga majori Nikollaev vendosën kontroll pothuaj pa rezistencë mbi Plovdiv. Gavraill Krësteviç, atëherë gjeneral-guvernator i sulltanit, e dorëzoi pushtetin me fjalët: “Edhe unë jam bullgar”. U krijua qeveria e përkohshme, e cila ftoi princin bullgar Aleksandër Batenberg për të ardhur në Plovdiv dhe kështu ta marrë pushtetin mbi Bullgarinë e bashkuar.

Bashkimi dhe bota, nga drama dhe lufta gjer te kulmi i lumtur

Bashkimi tregoi se bullgarët mund ta udhëhiqnin vetë fatin e tyre, madje në situata të rënda. Atëherë, me intuitë dhe një parashikim shumë të saktë, ata i paraprinë ndryshimet në gjeopolitikën bullgare. Tani këtë përfundim historik e themi me lehtësi. Mirëpo, gjatë shtatorit të vitit 1885 filloi një krizë e rëndë ndërkombëtare, në të cilën kauza bullgare dukej e pamundshme. Qeveria ruse, e cila ishte në marrëdhënie të këqija me Princin bullgar, tërhoqi oficerët rusë nga ushtria bullgare. Situata në Ballkan ishte e nxehtë – një shtet ishte bërë pothuajse i dyfishtë. Por kundërshtimet mes Fuqive të Mëdha, të cilat çuan në ndarjen e Bullgarisë 7 vjet më herët, këtë herë ishin në dobi të revolucionit të guximshëm kombëtar bullgar. Shumica e lojtarëve të mëdhenj, në vend të parë Rusia dhe Britania e Madhe, nuk donin që sulltani ta kthente statukuonë me forcë ushtarake. Rusia donte ndryshim të pushtetit në Sofje, por jo dështim të Bullgarisë. Kauza bullgare kishte përkrahje e Britanisë së Madhe – në Londër tashmë ishin të mendimit se një shtet i ardhshëm i fuqishëm bullgar nuk do të ishte në varësi të ndikimit të rivalit të madh në Lindje – Rusia. Mirëpo, goditja ushtarake erdhi këtë herë nga Serbia. Mbreti i saj Milan, i cili nuk ishte i njohur në vendin e vet dhe ishte inkurajuar nga Austro-Hungaria, donte të forconte pozitën e vet me një luftë të suksesshme, duke bashkuar disa troje perëndimore ballkanike. Ushtria bullgare, më e vogël për nga numri sesa më parë, nuk kishte përvojë luftarake, nuk kishte asnjë gjeneral – të gjithë udhëheqësit ishin kapitenë dhe togerë. Mirëpo, ushtria ishte pushtuar nga entuziazmi patriotik dhe përkrahej nga tërë popullsia bullgare.

“Largimi i ushtrive bullgare nga kufiri turk dhe mbërritja e tyre në kufirin serb” – pikturë në kartolinën postare nga viti 1885

Pak pas kësaj Evropa u bë dëshmitare e një çudie të vërtetë të paparë deri tani – Bullgaria fitoi luftën në kuadrin e dy javëve /14-28 nëntor/ Kjo fitore e bëri Bullgarinë të njohur në Evropë. “Pasi bullgarët e mbrojtën me armë të drejtën e vet, askush tashmë nuk dyshonte në këtë të drejtë” – thotë gazetari Simeon Radev, kronisti i madh i epokës, i cili e përshkroi shkëlqyeshëm këtë kalim nga dramatizmi ekstrem gjer te kulmi i lumtur.

“Lufta për armët në betejën te Slivnica” – pikturë në një kartolinë postare nga viti 1885

Më tej pas bisedimeve të rënda Fuqitë e Mëdha nënshkruan (më 24 mars 1886) me sulltanin një marrëveshje, e cila i zgjodhi problemet në mënyrën më të padhembshme. Princi bullgar, i cili mbeti vasal i Sulltanit, u emërua gjeneral-guvernator i Rumelisë Lindore, e cila faktikisht ishte zhdukur.

Pas Bashkimit në historinë bullgare nuk ka pasur çudi të tilla. Bashkimi i dy Bullgarive u bë shkas për shumë luftëra politike. Beteja për çlirimin e trojeve të tjera bullgare, të cilët kishin mbetur nën pushtetin osman, ishte e gjatë dhe e vështirë. Ajo kaloi përmes kryengritjeve, luftërave, gabimeve në politikën e brendshme dhe dha më pak rezultate nga Bashkimi, por me më shumë viktima.

Bashkimi mbetet çasti magjik, suksesi më i madh i Bullgarisë në historinë e saj më të re. Ai ishte arritur me shumë guxim dhe energji, në sfondin e kundërshtimeve të pashmangshme të brendshme, por me unitet të plotë kombëtar, me entuziazëm dhe heroizëm në momentet më të rëndësishme. Bashkimi i dy Bullgarive është një legjendë reale historike.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Wikipedia dhe arkiv

Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна