Eмисия новини
от часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Bullgarët e varfër harxhojnë 44 për qind prej të ardhurave të tyre për të ngrënë

Foto: BGNES

Që nga data 1 janar në Bullgari hyri në fuqi rritja prej 10 për qind të pagave në sferën buxhetore. Mirëpo, sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Statistikave, cituar nga gazeta “Trud”, vetëm 11.3 për qind prej popullsisë së Bullgarisë ka të ardhura mbi 370 euro në muaj.

Të ardhurat mesatare vjetore të bullgarit janë 2 856 euro, domethënë nja 237 euro në muaj. Megjithëse paga mesatare në Bullgari tejkalon 550 euro, paratë në një familje ndahen mes të gjithë anëtarëve. Prandaj madje një prej prindërve të marrë pagë më të lartë, në qoftë se në familje ka një pensionist, të papunë, ose fëmijë, të ardhurat mesatare për një njeri ulen konsiderueshëm. Del se me nën 92 euro në muaj jetojnë 7.7 për qind e bullgarëve, ose 5.1 për qind e familjeve. Popullsia e Bullgarisë është pak mbi 7 mln veta, gjë që do të thotë se mbi gjysmë mln veta jetojnë madje me më pak. Pjesa dërmuese e bullgarëve – 30 për qind, kanë të ardhura mujore nga 130 deri në 200 euro. Në këto të ardhura janë përfshirë përveç pagave dhe të gjitha pensionet dhe pagimet sociale. Në Bullgari madje qytetarët më të pasur, të cilët përbëjnë 11 për qind prej popullsisë bullgare, kanë të ardhura relativisht të ulëta në sfondin e standardeve në BE. Të ardhurat mesatare të këtij grupi të popullsisë janë rreth 6700 euro, gjë që bën afro 562 euro në muaj.

Është kureshtare se familjet më të varfra, ku ka të papunë, si dhe ato në grupin me të ardhurat më të larta, ku janë shefat, marrin hua me vëllime pothuajse të njëjta. Sigurisht që më shumë para në banka derdhin njerëzit me të ardhura më të larta. Familjet e grupit më të pasur kursejnë në depozitën bankare mesatarisht nja 1457 euro në vit, derisa të varfrit nuk mund të kursejnë pothuaj asgjë.

Sipas statistikës, të ardhurat ndikojnë edhe mbi mënyrën e jetesës. Bullgarët më të pasur harxhojnë 24.4 për qind prej të ardhurave të tyre për të ngrënë, ndërsa të varfrit - 44 për qind. Të pasurit harxhojnë për kohën e tyre të lirë, pushimet dhe arsimin 5,9 për qind prej të ardhurave të tyre, derisa më të varfrit harxhojnë për dëfrime vetëm 2.1 për qind prej parave të tyre. Bullgarët me të ardhura të larta marrin mesatarisht nja 2567 kalori në ditë, që është me 42 për qind më shumë nga përmbajtja e energjisë në ushqimin e bashkatdhetarëve tanë më të varfër. Ata ushqehen kryesisht me bukë dhe brumëra, derisa menyja e të pasurve është më e shumëllojshme.

Statistika tregon gjithashtu se lindshmëria te të varfrit është më e lartë dhe se familjet e mëdha shpresojnë te ndihmat sociale. Familjet me dy ose më shumë fëmijë jetojnë në një mënyrë më të varfër, sesa familjet ku ende nuk ka fëmijë, ose fëmijët tashmë janë rritur dhe e nxjerrin vetë bukën e gojës. Të ardhurat mesatare vjetore të familjeve bullgare me dy fëmijë janë rreth 9660 euro. Kjo do të thotë rreth 800 euro në muaj për tërë familjen, ose afro 200 euro për një njeri në muaj. Njerëzit me të ardhura më të larta preferojnë të kenë vetëm një ose dy fëmijë, që të mund t’u sigurojnë arsim dhe një start më të mirë në jetë. Bullgarët më të pasur paguajnë edhe tatime më të larta, me të cilat paguhen ndihmat për familjet me më shumë fëmijë.

Pensionet sigurojnë 26.5 për qind prej parave në buxhetin familjar, tregojnë të dhënat e Institutit Kombëtar të Statistikave. Mirëpo, bën përshtypje se në familjet e qytetarëve të pasur pensionet formojnë vetëm 9.8 për qind të të ardhurave. Kjo tregon se në këtë grup janë përfshirë kryesisht njerëz aktivë në tregun e punës. Familjet me të ardhura të larta disponojnë gjithashtu qira, ose arendë, derisa të varfrit nuk kanë të ardhura nga prona dhe shpresojnë kryesisht te pensionet dhe përfitimet sociale.

Në Bullgari tendenca në pagimin e punës së meshkujve dhe të femrave nuk dallohet nga ajo në shtetet e tjera evropiane. Më të mëdha janë dallimet në disa sektorë, si administrata shtetërore, shëndetësia, veprimtaritë sociale, financiare dhe të sigurimeve, ku paga e grave mund të jetë deri në 38 për qind më e ulët nga ajo e burrave.

Duke i analizuar të dhënat e Institutit Kombëtar të Statistikave gazeta “Trud” arrin deri në këtë përfundim: Që të jesh në grupin e bullgarëve të suksesshëm duhet të kesh të ardhura familjare rreth 2200 euro. Kjo do të thotë se afro 800 000 bullgarë mund të lavdërohen se të ardhurat e tyre mujore arrijnë për blerjen e një frigoriferi të mirë, pa përfshirë këtu modelet luksoze.

Përpiloi: Manuel Savov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Горещи теми

Войната в Украйна