Eмисия новини
от часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Një përrallë dimërore për kukerët, çaushët dhe se si tradita kalon nga babai tek vajza

Автор:
Снимка: Ivo Dançev

Ata janë të veshur me lëkurë të vërtetë kafshësh, me peshë rreth 30-40 kg., të gjithë janë të zbukuruar me brirë dhe varëse të ndryshme shumëngjyrëshe. Ndonjëherë fshihen pas maskave të frikshme, herë të tjera i tregojnë fytyrat e tyre të fryra nga era, të djegura nga dielli. Të gjithë janë fotografuar në jetën e tyre të përditshme, në mjedisin e tyre natyror në natyrë – lart, në male. Këta janë njerëzit që ruajnë traditat e zakoneve të maskaradës, heronjtë e Ivo Dançevit. "Gjatë tre viteve të fundit, unë kam qenë absolutisht i fiksuar pas temës së maskave dhe kukerëve" - thotë fotografi, i cili po vazhdon të udhëtojë në Bullgari në kërkim të personazheve origjinale për projektin e tij "Mbrojtësit".

“Unë vetë jam shumë i ndikuar nga përrallat, legjendat dhe mitet. Këto janë disa nga librat e mi të preferuar që nga fëmijëria. Prandaj përpiqem të rikrijoj një ndjenjë përrallash, sikur këto personazhe të jenë pjesë e një përralle dhe fotot e mia janë nga një botë mistike. Kukerët dhe survakarët (djem që shkojnë shtëpi më shtëpi për të uruar Vitin e Ri), të fshehur pas maskave dhe kostumeve, kalojnë pragun tonë dhe bëhen ndërmjetës mes botës sonë dhe botës mistike të shpirtrave, duke siguruar mirëqenien e njerëzve”, thotë fotografi Ivo Dançev.

Në janar 2021, fotot e kukerëve të tij të çuditshëm u shfaqën në faqet e National Geographic në artikullin “Midis dy botëve” kushtuar riteve të maskaradës në vendin tonë. Tani Ivo po fokusohet në lidhjen e kukerëve me blegtorinë, e cila është shumë e vjetër dhe e fortë!


Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve në këto lojëra rituale mbajnë kafshë dhe i bëjnë kostumet e tyre nga lëkura e kafshëve. Gjatësia e flokëve të një cjapi të rritur mund të arrijë 1 metër, kurse çmimi i kostumit - deri në 20 000 leva (10 000 euro), mësuam nga Ivo Dançevi. Duke kërkuar personazhe për projektin e tij, Ivo u takua me Radin dhe Ivanën.

Radi dhe Ivana

Babai dhe vajza e tij e vogël po e vazhdojnë traditën e çaushëve – kështu quhen kukerët në rajonin e Razllogut. Ivana ishte 4 vjeç kur babai i saj e veshi me lëkurë dhe ajo u bë çaush. Që nga atëherë, vajza merr pjesë në të gjitha lojërat e kukerëve. Ajo ëndërron që një ditë të bëhet çaushi i parë. Në një ditë të ftohtë dimri, Ivo Dançev vizitoi fermën e tyre, të zhytur midis kreshtave të mbuluara me dëborë të maleve Rilla dhe Pirin. “Ideja e fotosesionit ishte të ilustronte lidhjen mes brezave dhe transmetimin e zakoneve, mënyrën se si ato arrijnë tek ne që nga kohërat e lashta” – na shpjegoi Ivo dhe shtoi:

Lidhja mes Radit dhe vajzës së tij Ivanës është shumë e fortë, dashuria e tyre është shumë e bukur! Vendi dhe ata vetë rrezatojnë energji që e kanë vetëm mbrojtësit e traditave. Por ata nuk janë të vetmit! Ka shumë prindër dhe fëmijë që vazhdojnë ta ruajnë këtë traditë në mbarë Bullgarinë dhe kjo është pikërisht ajo që është e mahnitshme! Në këtë histori ka edhe një personazh tjetër interesant, ky është Prëçljo - cjapi i tyre dhe kafsha tipike që përdoret për të bërë kostumet e kukerëve. Prëçljo ishte në një formë të shkëlqyer për t'u bërë pjesë e kostumit. Ndërkohë, kafsha kishte arritur të miqësohej me vajzën Ivana dhe ajo ia kishte ndaluar të atit ta përdorte për këtë qëllim. Kështu Prëçljo doli të ishte me fat dhe madje mori pjesë në fotosesionin tonë”, thotë Ivo.


Sezoni i xhirimeve të Ivo Dançevit përkon me festivalet e kukerëve anembanë vendit, të cilat fillojnë më 1 janar dhe përfundojnë në mes të marsit. Pikërisht gjatë këtyre procesioneve të zhurmshme dhe plot ngjyra, fotografi i zbulon personazhet për projektin e tij “Mbrojtësit”. Në ditën e parë të vitit 2022, ai do të jetë në Razllog në karnavalin “Starçevata” për të filmuar çaushët. Disa nga fotot do të përfshihen në albumin që ai po përgatit, me të cilin fotografi dëshiron të promovojë në mbarë botën ritet e maskaradës në Bullgari.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Ivo Dançev

Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени