Akoma dihet shumë pak për rolin e Bullgarisë së porsaçliruar dhe në veçanti të kryeqytetit të saj Sofje, si një nga qendrat e lëvizjes nacional-çlirimtare dhe të mendimit rilindës në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të XIX e deri në krijimin e shtetit shqiptar, kurse pas kësaj edhe si qendër e veprimtarive të tjera politike të shqiptarëve të lidhura me historinë e Shqipërisë së re.
Si u arrit në krijimin e kësaj shoqërie?
Në fund të shekullit të XIX gjendja në tokat shqiptare akoma nën zgjedhën turke ishte shumë e rëndë – uri e varfëri në kulm. Mijëra shqiptarë, kryesisht nga viset jugore të Shqipërisë – nga Korça me rrethina, nga Kolonja, Borova, Voskopoja, Trebicka, Vithkuqi, Dardha, Elbasani, Dibra e të tjera, duke mos pasur mundësi të nxirrnin bukën e gojës në atdheun e tyre, shkonin emigrantë në Bullgari, ku gjenin mikpritje dhe strehim nga populli mik bullgar. Kryeqyteti Sofje dhe qytete të tjera më të mëdha të vendit ishin qendra tërheqëse për fshatarët shqiptarë të mbetur pa tokë, si dhe për tregtarët dhe zanatçinjtë e vegjël të falimentuar. Ja se çfarë dëshmojnë për shpërnguljen e tyre vetë emigrantët shqiptarë në Sofje: “Jeta e rëndë, mundimi, dhuna, të gjitha këto na detyruan të merrnim rrugën e kurbetit. Në fillim nga varfëria shkonim më këmbë dhe punonim punë të rënda. Në Sofje u mblodhëm shumë punëtorë. Pak nga pak u mësuam me situatën dhe nuk u kthyem më në Shqipëri, por i sillnim fëmijët këtu, në Bullgari.”
Në Bullgari emigrantët shqiptarë banonin në qytetet Sofje, Plovdiv, Varna, Pleven dhe në fshatin Rila. Pjesa më e madhe e tyre ishin të krishterë, por kishte dhe myslimanë dhe katolikë. Pasi e kishin shijuar ëmbëlsinë e jetesës së lirë në Bullgari, emigrantët shqiptarë nisën të mendojnë, se si të ndihmonin atdheun e tyre. Filloi një veprimtari e punë e vrullshme patriotike. Ata mblidheshin te dyqani i Dhimitër Molesë, kafeneja e Spiro Goros “Shqypria” dhe ajo e Adam Shkabës – të gjithë në Sofje. Në të lexoheshin dhe shpërndaheshin libra shqip, rriheshin mendime për çlirimin e Shqipërisë. Pak nga pak kristalizonte ideja për krijimin e një shoqërie patriotike të emigrantëve shqiptarë.
Më 1 janar të vitit 1893 në Sofje në hanin e Dhimitër Molesë u krijua shoqëria “Dëshira”. Fillimisht në të bënin pjesë vetëm 53 anëtarë, po shumë shpejt numri i tyre erdhi duke u rritur. Shoqëria kishte karakter të theksuar kulturor që përcaktohej nga qëllimet e saj të formuluara në Statut: “të shpërndajë dije dhe të hapë shkolla shqipe në Shqipëri”. E organizuar mbi një parim relativisht demokratik, shoqëria përbëhej nga ata që flasin shqip – “çdo shqiptar, që dëshiron lulëzimin e gjuhës së kombit shqiptar, konsiderohet anëtar. Të huaj nuk pranohen”. Një nga gabimet e shoqërisë “Dëshira” ishte, se në të bënin pjesë vetëm shqiptarë ortodoksë, ndërsa myslimanët e katolikët, sado të paktë, mbetën të izoluar. Kështu për shembull Josif Bageri, shqiptar katolik, botues i njërës prej gazetave më demokratike “Shqypeja e Shqypnisë” mbeti jashtë kësaj shoqërie. Ndryshe nga shoqëritë shqiptare në Bukuresht e Stamboll, “Dëshira” u zhvillua si një shoqëri e veçantë, e pavarur nga bullgarët, bile mbështetej prej tyre, më tepër sa i përket anës financiare.
Në vitet 1898-1899, në dhomat e shoqatës filluan mësimet e natës e mësimet e ditës së diel – për të rritur dhe për fëmijë. Në shkollën e ditës së diel për fëmijë jepte mësime Polikseni Luarasi. Organi i shtypur në gjuhën shqipe i shoqërisë “Dëshira” ishte “Kalendari kombëtar”, të cilin filluan ta botonin nga viti 1897 në Sofje Kosta Jani Trebicka dhe Kristo Nini Luarasi në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit. Në “Kalendarin kombëtar” botoheshin më tepër poezi, tregime, folklor dhe më pak artikuj me karakter politik. Kur kishte të tilla, ato i shkruante rilindasi i njohur shqiptar Mit’had Frashëri, nën pseudonimin Lumo Skendo. Pothuaj në çdo artikull ai i drejtonte thirrje shqiptarëve të jenë vigjilentë, të mos besojnë të huajve, të mbështeteshin vetëm në forcat e veta. Ndryshe nga vija zyrtare e “Dëshirës”, në të gjitha edicionet e “Kalendarit kombëtar” nënvizohej, se nuk ka diferencë midis myslimanëve dhe të krishterëve: “Zoti na ka krijuar të gjithë – shqiptarë, prej kaq kohe e flasim këtë gjuhë dhe kemi një gjak. Feja është diçka që ndryshon. Më parë se të krishterë e myslimanë, jemi shqiptarë”.
Po botimi më i rregullt periodik, i cili në një farë mënyre luante rolin e organit të kolonisë shqiptare dhe të “Dëshirës”, ishte gazeta e përdyjavshme “Drita” që botohej nga viti 1901 deri në vitin 1908 me kryeredaktor Shahin Kolonjën. Kjo gazetë ishte përparimtare e demokratike, e lidhur ngushtë me Shqipërinë. Në artikujt e saj përcaktoheshin detyrat e emigracionit shqiptar jo vetëm në Bullgari. Kështu dora-dorës Sofja bëhej një nga qendrat më të mëdha botuese të emigracionit shqiptar. Për këtë ndihmonte dhe shtypshkronja “Mbrothësia”.
Përveç gazetave dhe kalendarëve, në Sofje me shumë vështirësi u botuan dhe më se 50 libra shqip dhe u dërguan në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare. Një nga qëllimet e “Dëshirës” ishte të përhapte krijimet e njërit prej ideologëve të Rilindjes shqiptare, Sami Frashërit. Në Sofje për herë të parë u botua në gjuhën shqipe drama e Sami Frashërit “Besa”. Shoqëria shqiptare “Dëshira” dhe shtypshkronja “Mbrothësia” ishin nga furnizuesit kryesorë të gazetave dhe të letërsisë shqipe për shkollat e porsa hapura në Shqipëri. Shoqëria “Dëshira” zhvillonte dhe veprimtari teatrale. Shfaqjet teatrale vizitoheshin nga shqiptarët e bullgarët. Ndërsa paratë e vjelura dërgoheshin në Shqipëri. Deri në vitin 1912 emigrantët shqiptarë në Bullgari gjenin përkrahje për luftën e tyre çlirimtare - për këtë rëndësi të madhe kishte dhe fakti, se edhe bullgarëve u duhej të zgjidhnin çështjen e vet kombëtare. Interesat dhe qëllimet e përbashkëta të bullgarëve dhe shqiptarëve çonin në shfaqje konkrete të bashkëpunimit midis kolonisë shqiptare dhe bullgarëve.
Po si rodhën gjërat më tutje me shoqërinë “Dëshira” pas krijimit të shtetit shqiptar?
Në vitin 1921 në përbërjen e shoqërisë “Dëshira” u përfshinë dhe shqiptarë myslimanë, pasi u bënë ndryshime në statutin e shoqërisë. Kjo çoi në përçarje dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të vjetër u larguan dhe krijuan një shoqëri tjetër me emrin “Gjergj Kastrioti”. U përça dhe kolonia shqiptare në Sofje. Kjo ndarje, deri diku u influencua dhe nga jeta politike në Shqipëri, ku luftonin dy tendenca – demokratikja dhe ajo reaksionare, në krye me bejlerët-feudalë. Në periudhën e viteve 1923-28, as njëra shoqëri, as tjetra patën ndonjë veprimtari. Mjaft prej anëtarëve të tyre u kthyen në Shqipëri, të tjerë, të thyer në moshë, u tërhoqën nga veprimtaria e “Dëshirës”. Nga ana tjetër, në Sofje kishin ardhur shumë shqiptarë nga Stambolli, si Llazar Grabova, Jani Veriga e të tjerë. Fryma patriotike që karakterizonte veprimtarinë e shoqërisë “Dëshira” gjatë viteve, erdhi duke u zbehur. Nuk ekzistonte më ai zjarr e entuziazëm, me të cilin anëtarët e “Dëshirës” luftonin për çlirimin e Shqipërisë.
Gjatë vitit 1928 u bënë përpjekje për bashkimin e dy shoqërive, por shoqëria “Gjergj Kastrioti” e refuzoi këtë bashkim. Si pasojë një pjesë e anëtarëve më aktivë u larguan e shkuan në shoqërinë “Dëshira”. Kryetar i “Dëshirës” u zgjodh Llazar Grabova. Hapi i parë që ndërmori ai ishte ta transformonte shoqërinë në “Bashkim të shoqërive shqiptare kulturore në Bullgari”. U krijuan degë të tij në Sofje, Plleven, Varnë, në fshatin Mandrica dhe në Samokov. Një nga veprimtaritë interesante të shoqërisë të Shoqërisë “Dëshira ishte grumbullimi i ndihmave për viktimat e tërmetit në Korçë. Në këtë aksion u përfshinë dhe bullgarë. Mbreti bullgar Boris dha ndihmë prej 10 mijë levash, ndërsa Kuvendi popullor vendosi të dërgohet një sasi mielli në Shqipëri. Në vitin 1933 shoqëria “Dëshira” vendosi, me rastin e 40 vjetorit të krijimit, Leonid Grabocka të shkruante historikun e saj, i cili tani ruhet në Institutin e Ballkanistikës në Sofje, në formën e dorëshkrimit dhe mban titullin “Shënime historike mbi themelimin dhe veprimtarinë e shoqërisë shqiptare kulturore arsimore në Sofje – vitet 1893-1939.”
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shumica janë në mbështetjen e tij. Ai erdhi pak..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Historianët e përkufizojnë dokumentin si "katastrofa e radhës..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotme. Deri në përfundim të luftës në Ukrainë, është e pamundur të..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..