Në 100 kilometra në veri të Sofjes ndodhet mali i Vracës. Shkëmbinjtë e Bellogradçikut, shpella Ledenika dhe gryka Vratcata janë vetëm disa nga objektet natyrore që tërheqin shumë turistë në këtë pjesë të vendit. Por kush mund të supozojë se në malin e Vracës mund të luhet bowling pikërisht si në filmin e animuar “Familja Flintstone” – me pajisje të përpunuara krejtësisht prej druri, guri dhe litarësh. Dhe jo vetëm kaq.
Shumë aventura të ngjashme në gjirin e natyrës i presin ata që hyjnë në parkun “Përralla” që ndodhet në disa kilometra nga qyteti Vraca. Këtu secili mund të gjejë një argëtim interesant. Paintball, qitje me hark, mini golf, hipizëm – njeriu mund të zhytet në mjedisin e natyrshëm pyjor të parkut dhe të kthehet në një epokë tjetër. Menaxheri Tihomir Oprov përshkruan një nga atraksionet, të quajtur “Biçikleta e çmendur”:
“Biçikleta e çmendur është një shpikje ime. Lëvizet mbi një pistë të posaçme. Është konstruuar kështu që në se njeriu dëshiron të shkojë majtas, rrota shkon djathtas. Bçikleta lëvizet gjithmonë në drejtimin e kundërt. Është shumë e vështirë ta drejtosh, prandaj për kalimin e suksesshëm të pesë-gjashtë metrave kemi shpallur çmim. E merr ai që arrin deri në fund pa prekur tokën. Tani për tani nuk e kemi dhënë çmimin, të gjitha provat përfundojnë vetëm me qeshje.”
Shumë lojëra interesante i presin ata që kërkojnë aventura dhe nuk kanë frikë nga muret alpine artificiale dhe përjetimi ekstrem me bungee. Dhe megjithëse këtu gjithçka është si në përrallë, ka aventura për të gjitha moshat. Jashtë territorit të parkut dy shtigje ekologjike gjithashtu ofrojnë emocione të paharrueshme. Tihomir Oprov përshkruan itineraret dhe pengesat në to:
“Një nga shtigjet ekologjike është shumë atraktiv dhe çon deri në një ujëvarë. Atje me ndihmën e pajisjeve alpine adhuruesit e argëtimeve ekstreme zbresin me litarë. Me ciceronë hyjmë në shpella, të cilat nuk janë turistike dhe nuk kanë ndriçim. Në njërën shpellë ka një burim lumi, në një tjetër – një ujëvarë nëntokësore. Edhe të dyja shpellat kanë hyrje shumë interesante. Që të hyjë në të parën, njeriu duhet të zbresë me litar 10 metra. Në shpellën e dytë duhet të kalojë nëpër një liqen me varkë.”
Në parkun “Përralla” organizohen të ashtuquajturat “team-building”. Shumë firma nga pjesa të ndryshme të vendit dërgojnë këtu grupe punonjësish. Tihomir Oprov shpjegon se psikologë bëjnë programe të përshtatshme, duke marrë parasysh veprimtarinë e firmës. Shumë grupe vijnë nga Sofja për të luajtur paintball.
“Organizojmë dhe rafting në lumin Iskër – vazhdon Tihomir Oprov. – Kemi dy varka të posaçme për rafting dhe mund të kalojmë 10 kilometra me 12 veta. Është interesante dhe ngjitja në shkëmbinj në grykën Vratcata. Këtu vijnë alpinistë nga tërë vendi. Ofrojmë dhe paraplanerizëm. Kemi ndërtuar dy pista për kërcime nga maja Okolçica. Vendi preferohet nga shumë paraplaneristë profesionalë. Me ndihmën e një instruktori mund të bëhet kërcim për dy veta. Nuk ka rrezik madje për turistët e papërgatitur. Nuk e shpërfillim dhe turizmin kulturor. Vizituesit mund të bëjnë shëtitje me një ciceron historian. Ai prezanton në mënyrë atraktive monumentet historike dhe eksponatet në muzetë vendëse.”
Tihomir Oprov tregon dhe për planet e ardhshme për parkun: “Kemi dëshirë që mysafirët tonë të mund të kalojnë natën në parkun “Përralla”. Por pasi këtu gjërat nuk janë standarde, kemi ide që vendet për fjetje të jenë të ndryshme nga hotelet e zakonshme dhe të përfshihen në mjedisin e natyrshëm të pyllit. Ndoshta midis drurëve do të ndërtojmë shtëpi prej druri mbi hunj dhe do t’i lidhim me ura prej litarësh.”
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Fotografitë janë ofruar nga Parku “Përralla”
Vendpushimi “Albena” në bregdetin veriore bullgar festoi përvjetorin e tij me 11 mijë turistë, njoftoi BTA. Shumica e të ftuarve janë nga Gadishulli Skandinav, po rritet edhe numri i francezëve, çekëve dhe polakëve. Turistët bullgarë dhe rumunë kanë..
Bazilika Episkopale e Filipopolisit është një shembull i gjallë se si mbështetet zhvillimi i turizmit kulturor bullgar, tha ministri në detyrë i turizmit Evtim Milloshev në takimin me Nancy Schiller, presidente e Fondacionit "Amerika për..
Duke filluar nga kjo verë, vizitorët në Vraca mund të eksplorojnë qytetin malor përmes turneve plotësisht falas me guidë sipas modelit të turneve të ngjashëm që ofrohen në qytetet kryesore evropiane . Ideja është që vizitori i cili është ne..