Një prej qyteteve më të bukura në Bullgari tashmë është i gatshëm për stinën e re turistike. Në saje të mjeteve nga fondet evropiane kryeqyteti i vjetër Veliko Tërnovo disponon atraksione të reja, kisha të meremetuara dhe një urë të rinovuar mbi lumin Jantra. Në këtë mënyrë administrata vendore shpreson të tërheqë edhe më shumë turistë, të cilët të përmirësojnë imazhin e qytetit, si një kandidat i denjë për kryeqytet evropian të kulturës në vitin 2019.
Kryeqyteti i vjetër bullgar i mirëpret turistët me kishat, muzetë dhe shtëpitë e shumta të Rilindjes. Në periudhën 1185-1393 qyteti ka qenë qendër kryesore ekonomike, kulturore dhe shpirtërore e Shtetit të dytë bullgar. Kështu qe nuk është e rastit se sot Veliko Tërnovo është qyteti më i vizituar bullgar, kurse vendasit e konsiderojnë veten si trashëgimtarë të aristokracisë së dikurshme. Pallati i mbretit, bashkë me godinat administrative pranë tij, ngrihej në kodrën historike Carevec, i rrethuar nga mure të mëdha dhe kulla vrojtimi. Sot në kodër ngrihet katedralja patriarkale “Ngritja e Zotit” dhe është simbol i shtetit bullgar dhe emblemë e qytetit. Çdo vit kodra vizitohet nga 400-500 mijë turistë nga vendi dhe jashtë. Mirëpo administrata vendore ka ambicien të tërheqë edhe më shumë turistë nëpërmjet një projekti të saj për përmirësimin e infrastrukturës dhe meremetimin e disa prej monumenteve më të mëdha. Vlera e projektit të financuar me mjete evropiane është rreth 3,1 mln euro.
Projekti parashikon meremetimin e tërë sheshit para kodrës Carevec, ku është hyrja e katedrales. Turistët tashmë mund të kënaqen nga kisha e meremetuar para pak kohe, përsëri me para evropiane, “Shenjtorët Petër dhe Pavel” nga shekulli i XIII. Supozohet se kisha është përdorur si katedrale patriarkale në vazhdim të disa viteve menjëherë pas pushtimit të Tërnovos nga turqit gjatë vitit 1393. Me ndihmën e projektit të baskisë u meremetua dhe Ura e Peshkopit nga mesi i shekullit të XVII. Ajo lidh dy brigjet e lumit Jantrës, lumë ky i cili gjarpëron buzë kodrave historike Carevec dhe Trapezica.
“Trapezica ka qenë kështjella e dytë për nga rëndësia pas Carevecit, e cila ishte kështjella kryesore mbretërore – tregon ciceronia Natalia Najdenova. – Në Trapezica kanë banuar bujarët dhe figurat autoritare të kishës. Gjatë gërmimeve janë zbuluar themelet e 17 kishave bujare. Një pjesë e murit të kështjellës, ku është hyrja kryesore e Trapezicës, është rimëkëmbur. Pritet që gjatë muajit maj kështjella të hapet për turistët.”
Ndër atraksionet e reja të Veliko Tërnovos, të realizuara me ndihmën e projektit të baskisë, është dhe Qendra Multimediale e Vizituesve. Bëhet fjalë për një muze unikal të skulpturave prej gjipsi dhe silikoni, i cili muze rikrijon jetën e Tërnovgradit gjatë Mesjetës. Krahas figurave të zanatçinjve dhe të udhëheqësve emblematikë të Mbretërisë së Dytë Bullgare me dimensione reale, ngrihen dhe “skulpturat e gjalla” të kaligrafëve dhe të qytetarëve, të cilët i gostitin miqtë me verë. Muzeu është me dy kate. Në katin e tretë ka një ballkon të madh, në të cilin do t’i çojë turistët një ashensor i posaçëm. Nga ballkoni shtrihet një pamje e mrekullueshme drejt kodrës Carevec. Kështu turistët mund të vëzhgojnë spektaklin e madh audiovizual “Tingulli dhe drita”, i cili tashmë 27 vjet gjallëron Kështjellën e Mesjetës.
“Një prej ideve është gërshetimi i dy atraksioneve – ai audiovizual “Tingulli dhe drita” me Qendrën e vizituesve – na shpjegon Cvetomir Bojaxhiev – shefi i agjencisë së turizmit pranë baskisë “Carevgrad-Tërnovo”. Ka dhe akoma një atraksion të parashikuar në projektin tonë: ky është një tren turistik, i cili së shpejti do të fillojë së funksionuari, që të gëzojë të moshuarit dhe të vegjlit. Treni do të lëvizë nëpër një itinerar të posaçëm, i cili fillon nga sheshi i kështjellës Carevec dhe përfshin disa prej kurioziteteve më të njohura të qytetit”.
Ndër turistët e huaj në Veliko Tërnovo më shumë janë miqtë e ShBA-së, të cilët mbërrijnë në kuadër të lundrimeve më të njohura të Danubit. Qyteti mirëpret dhe shumë miq rusë dhe nga Evropa Perëndimore, të cilët mahniten nga e kaluara e lavdishme e kryeqytetit të vjetër bullgar.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Veneta Nikollova
Pushimet mund të jenë të paharrueshme jo vetëm buzë detit, ose në mal, por edhe me një shëtitje në plazhet e egra të Danubit. Secili nga qytetet përgjatë brigjeve të lumit të madh na jep mundësi që të shtrijmë një ombrellë dhe të shkelim në rërat..
"Bullgaria - magnetike dhe e bukur" - me këtë titull, blogerët bullgarë të udhëtimit prezantojnë disa nga vendet më magnetike në vendin tonë. Ekspozita me fotografi unike të realizuara nga udhëtarët mund të shihet në hyrjen e Kopshtit Detar në Varna..
Turizmi rural po bëhet një formë e preferuar rekreacioni, veçanërisht ndër familjet dhe të rinjtë që zgjedhin një mënyrë jetese miqësore me mjedisin dhe duan të minimizojnë gjurmën e tyre të karbonit. Dhe nëse disa vite më parë një pushim në fshat..
Koka e statujës së perëndeshës së Filipopollit Tjuhe u zbulua në Bazilikën Episkopale në Plovdiv, njoftoi kreu i gërmimeve Ljubomir Merxhanov. Sipas..