Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shtatë masa urgjente për sistemin energjetik

Foto: BGNES
“Sistemi energjetik është i sëmurë. Ai është jashtëzakonisht joefektiv, sepse ka shumë ndërmarrje që humbasin dhe shumë pak, të cilat fitojnë. Ka nevojë për solidaritet të të gjithëve nga vargu, që të fillojmë zgjidhjen e problemeve në energjetikë. Kapacitetet e instaluara janë rreth 2.5 herë më shumë nga kjo që Bullgaria konsumon dhe eksporton.” Këtë e tha ministri i ekonomisë dhe energjetikës nga kabineti teknik Asen Vasilev para se të shpallë shtatë masa urgjente për stabilizimin e sistemit elektro-energjetik në vend.

Gjatë muajve të fundit në sektorin energjetik ka mungesë bilanci për shkak të konsumimit të ulët të rrymës elektrike, eksportit të dobët dhe prodhimit të tepërt të burimeve ripërtëritëse energjetike. Kapacitetet e instaluara në Bullgari janë 12 000 megavate, kurse konsumimi mbulohet nga 4 700 megavate. Vetëm 300 megavate përdoren për eksport, që do të thotë se në fakt nuk ka eksport. Mungesa e bilancit në sektorin energjetik çoi në ndalimin e punës së disa prej termocentraleve dhe në uljen e prodhimit të qymyrit në miniera, gjë që krijoi tension dhe greva ndër minatorët, për shkak të rrezikut nga pushimi nga puna. Ministri Vasilev ka kërkuar nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës një analizë të hollësishme të sektorit të energjetikës. Agjencia për Kontroll Shtetëror dhe Financiar nga ana e vet do të bëjë një kontroll të hollësishëm të prokurimeve publike në ndërmarrjet energjetike shtetërore.

Cilat janë masat më të ngutshme për stabilizimin e sektorit energjetik?

“Afro 40 për qind e centraleve të gjelbra, të cilat nuk kanë zbatuar kërkesat ligjore, do të ndalohen përkohshëm. Bëhet fjalë për parqet solare dhe me erë, të cilat nuk kanë lidhje me shoqëritë energjetike, që të monitorohet prodhimi i tyre në kohë reale. Një pjesë e madhe prej tyre nuk paraqitin të dhëna se çfarë cilësi energjie do të prodhojnë, kurse kjo çon në mungesë bilanci dhe probleme në administrimin e sistemit, sidomos në momentet e prodhimit të tepërt”, komentoi ofertën e dikasterit ekonomik Asen Vasilev. Ndalimi i centraleve të gjelbra do të jetë deri në momentin, kur ato fillojnë t’i paraqitin të dhënat on-line. Një pjesë e madhe e ekspertëve energjetikë e përshëndetën këtë masë. Ata mendojnë se në këtë mënyrë presioni i energjisë së gjelbër mbi sistem do të kufizohet me afro 30 për qind. Ekspertët vunë në dukje se kjo është energjia më e shtrenjtë në rrjetin elektrik.

Sipas masës tjetër të rëndësishme për stabilizimin e sistemit energjetik, rryma e prodhuar e uzinës duhet të konsumohet nga vetë uzinat. Tani rryma e tyre elektrike blihet detyrueshëm me çmime preferenciale nga Kompania Elektrike Kombëtare. Rregullatori shtetëror do të paguajë vetëm atë pjesë të energjisë së prodhuar elektrike, që vetë uzinat nuk kanë përdorur për nevojat e veta. Mirëpo del se shumica e ndërmarrjeve punojnë pikërisht që të prodhojnë energji të shtrenjtë elektrike. “Aktualisht ka shumë kapacitete të trashëguara që para vitit 1989, të cilat prodhojnë dhe ia shesin Kompanisë Elektrike Kombëtare energjinë me çmime të larta. Në të njëjtën kohë ato blejnë nga kompania rrymë të lirë elektrike për nevojat e veta. Mirëpo kjo shkel direktivat evropiane për kapacitetet e tregut”, na shpjegoi ministri Vasilev. Nëpërmjet kësaj mase të Kompanisë Elektrike Kombëtare do të kursehen rreth 25 mln euro në vit.

Inkurajimi i eksportit të rrymës elektrike gjithashtu është përfshirë në masat urgjente të qeverisë teknike. Rregullatori shtetëror duhet të rishikojë taksat e eksportit të energjisë elektrike, të cilat janë të larta dhe kështu rryma bullgare nuk mund t’i përgjigjet konkurrencës. Ekipi i ministrit Vasilev propozon që të bëhet çmos për heqjen e kufizimeve të eksportit për në Turqi. Problemi i fqinjës sonë jugore është lidhur me faktin se rrjeti energjetik turk nuk ka certifikatë zyrtare për lidhje me sistemet evropiane dhe për këtë shkak janë imponuar kufizime. Një ofertë tjetër është që Komisioni Shtetëror për Rregullimin e Energjisë dhe Ujërave të miratojë deri më 15 prill rregullat për tregti me rrymë elektrike, me të cilën të ndërpritet procedura e filluar nga Komisioni Evropian kundër Bullgarisë për shkeljen e legjislacionit evropian për liberalizimin e tregut. Ministri Vasilev deklaroi se këto rregulla do të kontribuojnë për balancimin e tregut, në të cilin do të marrin pjesë edhe prodhuesit e energjisë së gjelbër, sepse “kjo është një mënyrë transparente dhe ligjore për t’u krijuar sistemi energjetik dhe është hapi i parë drejt liberalizimit të tregut”, saktësoi ai.

Sipas ekspertëve energjetikë këto masa nuk do të çojnë në uljen e çmimit të energjisë elektrike, por do të rregullojnë bilancin në sistem. I këtij mendimi është gjithashtu ministri Asen Vasilev, i cili saktësoi se “masat nuk do t’i zgjidhin problemet për një kohë të gjatë, por do ta vënë fillimin e këtij procesi.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Tanja Harizanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Paga minimale do të rritet me 144 leva vitin e ardhshëm

Këshilli i Ministrave miratoi një dekret me të cilin paga minimale do të rritet nga 933 leva në 1077 leva në vitin 2025. Rritja është 15.4% ose 144 leva, tha ministri i çështjeve sociale Ivajllo Ivanov. Vendimi i qeverisë është në zbatim të ndryshimeve..

botuar më 24-10-23 3.21.MD

FMN parashikon një inflacion prej 2.8% në Bullgari për vitin 2024

Ekonomia e Bullgarisë do të rritet me 2.3% këtë vit. Këtë e tregon përmbledhja më e fundit e ekonomisë botërore e përgatitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe e prezantuar sot, 22 tetor, në Uashington. Kjo është një rënie në krahasim me..

botuar më 24-10-22 6.30.MD

Qeveria e përkohshme do të zbatojë ligjin dhe paga minimale bëhet 1077 leva (545 euro)

Paga minimale nga viti 2025 do të jetë 1077 leva (545 euro), tha për bTV ministri në detyrë i punës dhe politikës sociale Ivajllo Ivanov. Kodi i Punës përshkruan se si llogaritet paga minimale dhe ajo është 50% e pagës mesatare. “Kjo është e..

botuar më 24-10-21 10.08.PD