Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Filologu Petko Hinov: “T’i shërbej fjalës, ky është kuptimi i jetës sime”

БНР Новини

“Fjala është kuintesenca e shpirtit të njeriut. Ajo na bën njerëz. Nëpërmjet saj pastrohemi dhe njihemi njëri tjetrin”. Këto janë fjalë të Petko Hinovit – përkthyes, poet, shkrimtar dhe mësues. Ai ka lindur në vitin 1972 në Plovdiv dhe është një prej bullgarëve të parë, të cilët guxuan të hyjnë në botën e pafund të gjuhës dhe kulturës kineze.

Petko Hinov ka mbaruar filologji rumune dhe kineze në Universitetin e Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”. Përkthen libra në bullgarisht nga anglishtja, rusishtja, rumanishtja, kinezishtja dhe gjuha e vjetër sllave. Shkruan vjersha, tregime dhe artikuj. Ai është njëkohësisht përkthyes, poet, shkrimtar dhe mësues dhe e konsideron këtë si një prirje të brendshme. Është interesant fakti se rreth 15 vjet prej jetës së vet Petko Hinov ia ka kushtuar murgërisë. “Isha shumë afër një njeriu shumë të talentuar, i cili është njëkohësisht filolog, filozof dhe teolog. Nga ai mësova shumë gjëra dhe i jam shumë mirënjohës. Kjo, që e bën njeriun për t’u bërë i krishterë, është Jisu Krishti, kurse murgjëria është mënyra e jetesës, e cila i jep mundësi njeriut për të qenë më afër Zotit. Në qoftë se njeriu dashuron dikë, ose diçka, ai kërkon afërsi, por mendoj se njeriu mund të jetë murg edhe pa rroba të zeza, domethënë ka murgjëri, e cila gjithashtu të jep mundësi për të qenë afër Zotit, por nuk duhet ta tregosh këtë në ndonjë mënyrë. Murgëria është rruga e shenjtë në jetë, rruga drejt përsosmërisë, por në qoftë se njeriu nuk mund të ecë në këtë rrugë pa dyshime, pa qenë i gatshëm për vetëmohim të plotë, atëherë është më mirë të mos e ndërmarrë këtë rrugë të vështirë.”

Megjithëse mendon se kjo është një periudhë pozitive në jetën e vet, Petko Hinov merr vendimin të hiqet dorë nga murgjëria, që të niset për në Kinë, si mësues i gjuhës angleze. Pyetjes a mos është tepër e fortë kjo kthesë, ai iu përgjigj kështu:

“Kjo është një pyetje interesante. Do të them se kultura kineze është shumë e pasur, atje ka edhe krishterim, edhe ortodoksi. Për mendimin tim gjuha, pavarësisht nëse bëhet fjalë për kinezishten, ose për ndonjë gjuhë tjetër, dhe murgëria nuk janë në kundërshtim. Murgëria, sidomos këtu në Bullgari është lidhur drejtpërsëdrejti me kulturën verbale. Jam lidhur me fjalën që si fëmijë, fjala është kuptimi i jetës sime. Lindja më tërhoqi pikërisht për thellësinë, gjerësinë dhe pasurinë e madhe të gjuhës. Po flas konkretisht për gjuhën kineze. Në fakt unë jam më afër letërsisë së Lindjes sesa filozofisë së saj. Më vjen keq se forcat e mia njerëzore nuk mjaftojnë që të përfitoj sa më shumë nga fjala kineze dhe ta pasurojë fjalën bullgare me këta gurë të çmuar.”

Aktualisht Petko Hinov është duke shkruar një libër kushtuar jetës së tij në Kinë dhe ngjalljes së dashurisë ndaj Lindjes. Ai na tregoi se takimi i tij i parë me gjuhën kineze ka qenë nëpërmjet filmave. “Pash një film kinez, më pëlqyen shumë sportet luftarake. Pastaj pash edhe një film kinez, por këtë herë më bëri përshtypje të madhe melodia e gjuhës, sidomos kinezishtja e folur nga gratë. Tingëllon si këngë, si muzikë, si cicërimë zogjsh.” E tërhoqën gjithashtu hieroglifët kinezë, të cilët janë plot kuptim. Aktualisht Petko Hinov është duke përkthyer një prej romaneve më të njohura kineze “Një ëndërr në qetësinë e kuqe”. “Sa më i vështirë është një tekst, kaq më shumë më tërheq, sepse gjërat e lehta janë të mërzitshme” – thotë ai. Sipas tij çdo një përkthyes preferon të përkthejë tekste të veçanta. “Unë për shembull do të përktheja vështirë tekste filozofike, akoma më tepër tekste teknike, por mund të përkthejë poezi çdo ditë” – vë në dukje Petko Hinov. Ai konstaton me keqardhje se sot shumë pak njerëz lexojnë vepra të një niveli më të lartë dhe kjo e detyron të adaptohet sipas kërkimeve në treg. Studimet kineze në Bullgari ende janë një shkencë e re dhe shumë pak njerëz guxojnë të përkthejnë nga kinezishtja. Shumë prej veprave të botuara kineze te ne janë përkthyer nga ndonjë gjuhë perëndimore. Një pjesë e madhe e letërsisë bullgare gjithashtu është përkthyer në kinezisht nga rusishtja ose anglishtja. Përveç kësaj këto vepra janë shumë pak dhe në fakt përbëjnë një vlerë bibliografike, tregojnë studimet e Petko Hinovit. “Kinezët nuk e dinë pothuaj asgjë për Bullgarinë” – thotë gjithashtu ai. Prandaj ai ka ambicien për të krijuar një faqe në internet “Bullgaria për Kinën”, e cila do të jetë njëfarë ure midis dy kulturave. Atje do të ketë informacion të pasur për kulturën dhe traditat bullgare, për mundësitë për turizëm te ne dhe për bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve.

“Përjetimet e mia më të shtrenjta janë lidhur me njerëzit e mrekullueshëm, me të cilat u takova atje. Ndihem si pjesë e popullit kinez dhe kjo nuk i detyrohet vetëm faktit se bashkëshortja ime është kineze. Kinezi i zakonshëm është shumë autentik, por për fat të keq edhe atje kohët e fundit vëzhgohet përhapja agresive e kulturës televizive dhe mediare nëpërmjet filmave dhe librave sipërfaqësorë. Ky autenticitet kinez është shumë i ngjashëm me shpirtin e vjetër bullgar, me traditat e vjetra tradicionale të qytetërimit bujqësor bullgar, gjë që tashmë kemi humbur, me kulturën e shoqërisë patriarkale. Për mendimin tim kinezët janë një shembull se çfarë mund të jemi ne, bullgarët, megjithëse edhe në Kinë kishte tronditje të mëdha, Revolucion kulturor etj. Por sikur çrrënjosja e traditave të tyre është më e vështirë.”

Të metat, të cilat i pengojnë bullgarët që të jenë një popull unik, bukuria e natyrës, gjërat e vogla, të cilat i japin kuptim jetës sonë, këto janë disa prej temave, të cilat e provokojnë pendën poetike të Petko Hinovit.

“Mendoj se fjala është prerësi nëpërmjet të cilit bota dhe shoqëria jonë mund të mjekohet nga kanceri. Prandaj gjithmonë zemërohem, duke parë se sa shumë abuzohet me fjalën bullgare, sa shumë huazime dhe imitime të panevojshme e brejnë. Sa njerëz sot e dinë se fjala “gjuhë” në gjuhën e vjetër bullgare “языкъ” do të thotë “popull”. Pra, populli dhe gjuha janë një gjë, domethënë po të prishet gjuha, prishet dhe shpirti i një populli. Mendoj se ringjallja e popullit bullgar mund të fillojë me një politikë të mirë në mbrojtje të fjalës bullgare.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Fotografi: arkiv personal




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria është pjesë e bienales botërore për krijimtarinë dhe zejtarinë "Homo Faber" në Venecia

Kultura bullgare dhe traditat vendase, të cilat deri vonë dukeshin ekzotike për pjesën tjetër të botës, gradualisht po bëhen pjesë e kulturës botërore të shekullit të 21-të. Pasi ljutenica jonë dhe byreku ynë tradicional u përkufizuan si një..

botuar më 24-09-18 7.30.PD

Mbi 90 tablo të piktorit të madh bullgar Deçko Uzunov janë ekspozuar në një galeri të Sofjes

Për shkak të interesimit të madh për ekspozitën “Deçko Uzunov. Krijesat. 125 vjet nga lindja e piktorit” Galeria e Arteve të qytetit të Sofjes e zgjati ekspozitën me vepra të tij deri më 9 tetor. Ekspozita prezanton mbi 90 vepra në zhanret e..

botuar më 24-09-16 6.10.PD

Fryma e Sofjes së Vjetër pushton qendrën e kryeqytetit

Na ishte njëherë e një kohë një lagje e jashtëzakonshme. Prej saj filloi ndërtimi i Sofjes së Vjetër, sepse ndodhej midis Pallatit dhe stacionit - rruga kryesore që bënte lidhjen e jetës në qytet. Në këtë hapësirë njerëzit jo vetëm plotësonin nevojën e..

botuar më 24-09-13 7.30.PD