Duke udhëtuar në Bullgari mund të zbuloni kënde me bukuri dhe joshje të jashtëzakonshme, vende, të cilat ju tërheqin në një mënyrë magnetike me energjinë e tyre. Vendet, që provokojnë interesin e vizituesve janë shumë, por ka të tilla, të cilat mbeten në zemër për gjithmonë. Një prej tyre pa dyshim është mali Ballkani i Tetevenit dhe kuriozitetet e tij dhe më konkretisht maja Ostriç, ku ka një kishë të vogël “Qefini i Shën Mërisë”, të ndërtuar mbi një sipërfaqe prej rreth 30 metrash katrorë.
Nga Teteveni rruga gjarpëron dhe na çon ngadalë drejt fshatit të zhytur në shpatin e malit Stara Pllanina, të ngrohur nga dielli. Pas çdo një kthese pamja bëhet gjithnjë e më tërheqëse. Rruga kalon përmes livadheve me bar të kositur dhe të grumbulluar në dengje bari. Livadhet e kositura radhiten me kopshte të vogla perimesh, në të cilat punëtorët e zellshëm e nxjerrin bukën e gojës.
Fshati Babinci nuk është i madh. Njerëzit janë të përzemërt dhe mikpritës. Siç thotë kryetari i bashkisë së fshatit Sergej Manev: “Është çështje kulture dhe e edukimit të mirë”. Sipas tij për këtë kontribuon edhe fakti se në fshat nuk ka njerëz pa arsim të mbaruar. Banorët janë kryesisht njerëz të rinj, të cilët merren me bujqësi dhe blegtori.
Pasi mbërrini në këtë fshat do t’ju bëjë përshtypje godina e shkollës fillestare. Ajo është bojatisur me ngjyrë të bardhë, kurse në oborrin jo shumë të madh shihet një kopsht i mirëmbajtur mirë. Vendasit thonë se ende ka nxënës, por shtojnë me keqardhje se nuk dihet deri kur.
“Shumë turistëve u bën përshtypje pamja e mirë e godinës së shkollës – thotë kryetari i bashkisë së fshatit. – Ajo është ruajtur në pamjen e saj origjinale, ashtu siç ka qenë gjatë hapjes së shkollës në vitin 1949. Pranë saj ka një godinë të re të kopshtit të fëmijëve. Që të duket kaq mirë, merita është e personelit. Ajo mirëmbahet me mjete nga dhurime, të buxhetit bashkiak, me ndihmën e banorëve. Kjo është një shkollë e mbrojtur me 11 fëmijë. Vitin tjetër do të ketë më shumë nxënës, sepse në kopshtin e fëmijëve tani ka rreth 20 fëmijë. Gëzohemi se jemi një prej fshatrave, ku ende ka shkollë dhe kopsht fëmijësh.”
Rruga drejt majës dhe kishës fillon pikërisht nga shkolla. Një tabelë e vogël udhëzuese me mbishkrim “Drejt kishës” na tregon drejtimin. Një shteg dhish na çon lart drejt majës përmes livadheve të gjera, të cilat verën janë plotë lule erëmirë dhe bimë mjekësore. Pamja shtrihet gjithnjë e më shumë. Horizonti prapa nesh është i pakufishëm. Në largësi, në mjegullinë shihen majat e pafund të malit, të cilat sikurse na presin që të ngjitemi. Aq sa syri mund të shohë shtrihet figura e fuqishme e malit.
Kryetari i bashkisë së fshatit Babinci na tregoi për idenë e ndërtimit të kishës në majën Ostriç (1069 metra), që dallohet për formën e saj të konit:
“Që në kohërat më të largëta kanë bërë zotim në majë. Gjyshet e Tetevenit dhe unë si fëmijë kam parë se si mbajnë gurë në kurriz nga lumi Vit, që ta mbushin kraterin e majës, sepse kanë pasur frikë, se mund të shpërthejë. Sipas legjendës ky është një vullkan i pashuar. Ndërsa ideja për ndërtimin është e Asen Urmanovit – banor i fshatit. Si fëmijë ai ka thyer një ikonë dhe ka bërë bekim se do të ndreqë këtë gabim.”
Kryetari i bashkisë së fshatit na solli më shumë hollësi edhe për mjetet, me të cilat është ndërtuar dhe është pikturuar kisha:
“Kisha është ndërtuar me mjete personale të Asen Urmanovit. Në vitin 2006 ai grumbulloi një grup punëtorësh nga fshati. Terreni është i tillë se duhet shumë punë. Megjithatë kisha u ndërtua në kuadrin e 3 muajve. Pikturimi i saj është vepër e Atanas Danaillovit nga fshati i afërt Gradeshnica. Ky djalë është një piktor shumë i mirë dhe ai e kreu tërë punën falas.”
Është e pasur edhe e kaluara historike e rajonit. Ja se çfarë na tregoi kryetari i bashkisë së fshatit Sergej Manev:
“Fshati është përshkruar që në regjistrat osmane nga shekulli i XIV si Babovjane. Pas kësaj kanë lindur legjenda për emrin Babinci, sipas të cilave në një moment në fshat ka pasur kryesisht gjyshe (“babi” përkthyer shqip), gjë që nuk është e vërtetë. Në rajon ndodhet maja Treskavec, në të cilën ka pasur një kështjellë romake. Për këtë flasin artefaktet e shumta, të zbuluara atje. Sot ato gjenden në Muzeun e qytetit Teteven.”
Maja Treskavec është një univers i tërësishëm prej legjendash, besimesh, studimesh arkeologjike, faktesh dhe supozimesh. Kur të ketë stuhi, mbi majë bien më shumë rrufe dhe bubullima e tyre dëgjohet larg. Prandaj edhe maja quhet kështu. Për këtë dëshmojnë gjithashtu trungjet gjysmë të djegura në pyll, përmes të cilit gjarpëron shtegu drejt kreshtës. Në vetë majën do të ngiteni vështirë, sepse ajo është rrethuar me shkëmbinj të pingultë, të lartë dhe të paarritshëm. Nuk është e rastit se romakët e lashtë e kanë zgjedhur këtë majë që të ndërtojnë atje kështjellën e tyre. Ose ndoshta shkaku për këtë ka qenë bukuria dhe mistika e saj?
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Svetllana Dimitrova
Festivali i kosit - kultura dhe traditat '2024 fillon sot në fshatin Momçillovci , rrethi i Smoljanit, në malin e Rodopeve . Festa, e cila organizohet nga Bashkia e Momçillovcit, një kompani partnere kineze dhe të tjerë, do të zgjasë..
Vendpushimi “Albena” në bregdetin veriore bullgar festoi përvjetorin e tij me 11 mijë turistë, njoftoi BTA. Shumica e të ftuarve janë nga Gadishulli Skandinav, po rritet edhe numri i francezëve, çekëve dhe polakëve. Turistët bullgarë dhe rumunë kanë..
Bazilika Episkopale e Filipopolisit është një shembull i gjallë se si mbështetet zhvillimi i turizmit kulturor bullgar, tha ministri në detyrë i turizmit Evtim Milloshev në takimin me Nancy Schiller, presidente e Fondacionit "Amerika për..
Bullgaria, e vendosur në qendër të qytetërimeve të lashta, ofron pamje mbresëlënëse historike, të rrethuara nga brigjet më të mira të Detit të Zi dhe..