Deri para një-dy vitesh të gjithë ankoheshin se papunësia në Bullgari është shumë e lartë – kishte vite, kur ajo ishte rreth 13 për qind. Tani të gjithë ankohen se krahu i punës nuk mjafton – si punëtorët e kualifikuar, ashtu dhe ata pa përvojë. Papunësia është 5.6 për qind, ndërsa numri i të punësuarve që nga fillimi i vitit deri tani është pakësuar me 22 për qind. Mbi 60 për qind prej punëdhënësve deklarojnë se nuk mund të gjejnë punonjës, gjë që e vështirëson biznesin e tyre dhe e vonon rritjen ekonomike. Një studim ndërkombëtar i kompanisë së autoritetshme PwC e vendosi Bullgarinë në vend të parë në BE për nga humbjet në ekonomi për shkak të mungesës së krahut të punës – 13.2 për qind prej Produktit të Brendshëm Bruto. Në vend të dytë është Rumania, por “arritja e saj” është mbi dy herë më e dobët – vetëm 6 për qind. Kjo praktikisht do të thotë se në qoftë se biznesi dispononte punonjësit dhe nëpunësit e domosdoshëm, Produkti i Brendshëm Bruto i Bullgarisë do të ishte me 13.2 për qind më i madh. Një sondazh i Manpower e vuri Bullgarinë në vendin e pestë për nga mungesa e krahut të punës – pas Japonisë (89 për qind), Rumanisë (81 për qind), Tajvanit (78 për qind) dhe Honkongut (76 për qind).
Shkaqet për mungesën e krahut të punës në tregun e punës janë shumë dhe ato nuk janë vetëm në Bullgari, siç shihet. Në vend të parë “fajin” për këtë e ka arsimi, i cili dërgon në tregun e punës njerëz me aftësi dhe kualifikim, të cilat nuk u përgjigjen nevojave reale të biznesit. Lidhur me këtë Kryedrejtorja e përgjithshme e Bankës Botërore bullgarja Kristalina Georgieva këto ditët e fundit bëri të ditur se Bullgaria ka arritje më të mëdha sa u përket investimeve në kapitalin e njeriut nga vende të tjera me të ardhura të ngjashme. Për herë të parë banka paraqiti indeksin e kapitalit të njeriut, i cili konstaton pesë komponentë të veçantë dhe e radhit shtetin tonë në vendin e 44 në botë – në fakt ky është vendi i parafundit për vendet e Bashkimit Evropian. Lideri në klasifikim është Singapori. Indeksi i kapitalit të njeriut konstaton se sa prej potencialit të vet mund të realizojnë të rinjtë në Bullgari. Ai tregon se një fëmijë, i cili ka lindur sot në Bullgari, arrin 68 prej potencialit të vet. Në qoftë se është vajzë, ajo mund të marrë pak më shumë – 71 për qind, në qoftë se është djalë – 66 për qind.
Gjithsesi situata nuk është kaq dramatike dhe po merren masa për afrimin e biznesit me shkollat. Aktualisht shpresa të mëdha ka në të ashtuquajturin “arsim dual”, i cili gërsheton shkollën klasike me punën praktike në firma dhe uzina. Tani për tani është herët të priten rezultate pozitive në Bullgari, por ky arsim i ka dhënë frytet e veta në Gjermani, Zvicër dhe në vende të tjera të përparuara. Bullgaria përpiqet ta përballojë mungesën e kuadrove edhe me importin e kuadrove të tilla nga jashtë. Mirëpo, tani për tani nuk bëhet fjalë për më shumë se 5000 veta, të cilët të punojnë në hotelet, baret dhe restorantet në det gjatë stinës verore. Ata janë zakonisht me rrënja bullgare, që vijnë kryesisht nga Ukraina dhe Moldavia.
Kriza demografike është një faktor tjetër i madh me rëndësi të madhe për punësimin dhe papunësinë në Bullgari. Popullsia po plaket shpejt, shumë njerëz largohen nga tregu i punës dhe në vend të tyre nuk vijnë punonjës të rinj, domethënë numri i krahut të punës po pakësohet dhe plaket. Është vështirë që në këtë situatë të pritet se ekonomia do të jetë e nivelit të teknologjive të larta dhe e vlerës së madhe të shtuar. Në sfondin e kësaj krize duhet shtuar edhe një dukuri tjetër e madhe – vala e madhe e bullgarëve që shkojnë për të punuar jashtë shtetit, kryesisht në Evropë. Ndër emigrantët ka të tillë, të cilët mbledhin luleshtrydhe në Britaninë e Madhe, portokaj në Greqi, por ka edhe bankierë, profesorë universitarë, sipërmarrës, doktorë të respektuar, specialist në sferën e teknologjive të larta. Emigracioni mund të jetë i mirë për këta njerëz dhe për të afërmit e tyre në vend që marrin ndihmë financiare nga ata, por nuk është i mirë në plan afatgjatë për Bullgarinë, sepse kombinimi prej këtyre faktorëve, si dhe prej faktorëve të tjerë, e vendos nën pikëpyetje të ardhmen e saj si një shtet me popullsi të prosperuar dhe të lumtur. Bota është e madhe dhe kudo ka vështirësi, por askush nuk do të kujdeset për Bullgarinë dhe nuk do të vijë për t’i zgjedhur problemet e saj. Këtë mund ta bëjnë vetëm bullgarët që kanë mbetur në atdhe, ndërsa ata bëhen gjithnjë e më pak.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme në zonat detare dhe në resortet tona balneologjike - ky është përfundimi nga të dhënat në analizën..
Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..
Përshpejtim të inflacionit në 1.1% në tetor krahasuar me një muaj më parë, regjistroi Instituti Kombëtar i Statistikave. Në bazë vjetore, indeksi është 1.8 për qind. Në tetor, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për argëtim dhe kulturë janë rritur me 8,6%, për..