Projektet bullgaro-ruse nuk zhvillohen mirë kohët e fundit, madje ka mundësi që ai i fundit prej tyre – “Rryma Turke”, i cili duhej të hynte në veprim vitin tjetër, të rrëzohet krejtësisht. Para tij, gjatë vitit 2014, dështoi projekti gjigant “Rryma Jugore”, që duhej të arrinte në Bullgari në fund të Detit të Zi dhe të vazhdonte deri në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, duke e furnizuar me rreth 64 mlrd metra kubikë gaz rus. Sa i përket këtij gazsjellësi çdo gjë zhvillohej sipas planit mes Moskës dhe Sofjes, derisa nuk u përzien Brukseli dhe Uashingtoni, nën presionin e të cilave projekti dështoi.
Sot po vëzhgojmë një tension të ri në marrëdhëniet bullgaro-ruse sa i përket ndërtimit të “Rrymës Turke”, që kalon nga Turqia përmes Bullgarisë në drejtim të Evropës Qendrore. Sikurse gjithçka deri tani ishte në rregull dhe ndërtimi i gazsjellësit në Bullgari dhe Serbi po përparonte. Mirëpo, javën e kaluar Presidenti rus Vladimir Putin e akuzoi ashpër Bullgarinë se e vonon qëllimisht ndërtimin nën presion të huaj, derisa serbët pothuajse e kanë mbaruar segmentin e tyre. Vetë Kryeministri bullgar Bojko Borisov i përgënjeshtroi akuzat, duke na shpjeguar se çdo ditë ndërtohen nja 4-5 kilometra prej gazsjellësit dhe se vonimi i detyrohet zbatimit të kërkesave të BE-së.
Ultimatumi i Putinit, siç shkruajnë mediat ruse, e kërcënon Bullgarinë, se në qoftë se po vazhdon të vështirësojë ndërtimin e gazsjellësit me kapacitet 15.8 mlrd metra kubikë gaz në vit do të kërkohen trase të reja, të cilat të mos kalojnë përmes territorit të saj. “Në qoftë se bullgarët nuk duan – jo bullgarët, por qeverisja bullgare – do të kërkojmë rrugë të tjera për realizimin e mundësive tona në Evropën Jugore”, theksoi lideri rus në një konferencë të përbashkët në Soçi pasi bisedoi me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç. “Çdonjëri e ka të drejtën për të kërkuar trase të reja, ne kërkojmë një diversifikim alternativ”, u përgjigj Kryeministri bullgar Bojko Borisov dhe thërriti urgjentisht Ambasadorin rus në Bullgari Anatoli Makarov për të sqaruar rastin lidhur me akuzat. Pas këtij takimi u deklarua se “nuk ekzistojnë premisa, të cilat të vështirësojnë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe edhe në të ardhmen". Pak më konkrete pas kërcënimeve dhe qortimeve ruse ishte Ministrja e Energjetikës Temenuzhka Petkova. Ajo deklaroi se ndërtimi i “Rrymës Turke” përmes Bullgarisë po zhvillohet sipas grafikut, por saktesoi se veprimtaritë lidhur me aplikimin e direktivës evropiane për gazin natyror, me zhvillimin e prokurimeve publike për zgjedhjen e ekzekutuesit dhe me apelimet kërkojnë kohë. Rastësisht apo jo, të nesërmen pas ultimatumit të Putinit, Moska dëboi nga vendi një diplomat bullgar, duke e shpallur “persona non grata”. Sipas Ministres së Jashtme Ekaterina Zaharieva kjo nuk ka lidhje me vërejtjet e Putinit.
Deri tani Bullgaria këmbëngulte për t’u bërë vend transiti i së ashtuquajturës “Rrymë Ballkanike”. Ndërtimi i saj do të kushtojë 1.102 mlrd euro për 474 kilometra tubacione, të cilat duhet montuar për 615 ditë nga konsorciumi saudit “Arkad”. Bullgaria shpreson se do ta kthejë investimin nëpërmjet taksave për transit. Me këtë rast Ministrja Petkova deklaroi në një mënyrë jo shumë të qartë se bëhet fjalë për një “fitore indikative gjatë 20 viteve në vijim prej mbi 4,358 mlrd levash” (rreth 2.2 mlrd euro).
Sipas Presidentit turk Erdogan “Rryma Turke” do të inaugurohet zyrtarisht më 8 janar. Është e dukshme se deri në këtë datë Bullgaria nuk mund të ndërtojë pjesën e vet të segmentit. Përveç kësaj nuk mund të gjendet trase alternative për gazsjellësin, e cila ta rrethojë Bullgarinë. Në një etapë më të hershme të projektit kandidate për gazsjellësin ishte dhe Greqia, por ajo u tërhoq për shkak të kushteve më të leverdishme të ofruara nga Sofja.
Ekspertët në Bullgari pohojnë se vendi nuk ka shkaqe për të vonuar qëllimisht ndërtimin e “Rrymës Ballkanike”. Para disa ditësh Kryeministri bullgar Bojko Borisov u takua në Uashington me Presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa pak pas kësaj Ambasadorja amerikane në Sofje Herro Mustafa tha se “Rryma Turke” nuk do të sjellë dobitë e pritura dhe “vazhdimi i “Rrymës Turke” përmes Bullgarisë ka qëllim ta përdorë Bullgarinë vetëm si vend transiti.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari “ngriu” në nivelet e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cituara nga BTA, përjashtim bëjnë qytetet e mëdha, ku ka një rritje të numrit të transaksioneve...
1454 leva (738 euro) në muaj i nevojiten një personi që punon për të mbajtur veten dhe për të jetuar sipas standardeve bullgare. Për një familje prej tre anëtarësh me dy të rritur dhe një fëmijë, shuma është 2616 leva (1329 euro), sipas Institutit për..
Pas zgjedhjeve të 27 tetorit, deri në fund të muajit, qeveria e përkohshme duhet të paraqesë në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2025. Sipas disa analistëve ekonomikë në vendin tonë, gjendja e planit buxhetor të shtetit për vitin 2024 ka qenë më e keqja..