Nëse jeni kureshtarë dhe dëshironi të njihni Bullgarinë jashtë klisheve të zakonshme turistike, ju rekomandojmë të vizitoni muzetë e mëposhtëm, të cilat do t'ju befasojnë dhe do të pasurojnë idetë tuaja rreth traditave bullgare dhe trashëgimisë sonë kulturore.
Muzeu i Kosit në fshatin Studen Izvor
Kosi bullgar, fama e të cilit është përhapur në të gjithë botën, këndohet në një muze unik që gjendet në një shtëpi më shumë se 200-vjeçare në fshatin e lindjes të Dr. Stamen Grigorov, i cili në vitin 1905 përshkroi për herë të parë Lactobacillus bulgaricus - bakterin që shkakton formimin e produktit të shëndetshëm dhe me pak kalori të qumështit.
Muzeu i Gomarit në fshatin Gurkovo
Ideja për krijimin e tij është lidhur me zhvillimin e një rali me karroca gomari të pikturuara bukur. Vizitorët mund të shohin ekspozita autentike që kanë të bëjnë me gomarin, i cili ka qenë një ndihmës i madh në punën bujqësore të paraardhësve tanë. Atraksioni kryesor në muze është një gomar i balsamuar që përshëndet mysafirët në hyrje.
Mirësevini në kohën e socializmit të vonë në vitet '80 të shekullit të njëzetë! Në qendër të Sofjes do të gjendeni në një botë tjetër. Apartamenti-muze rikrijon shtëpinë tipike të banuar nga familja e dikurshme mesatare bullgare. Gjithçka këtu është paraqitur deri në detajet më të vogla - nga televizori i vjetër, mbulesat e tavolinave prej druri, e gjer te telefoni dhe mobiliet. Muzeu është një hit mes turistëve të huaj.
Muzeu i Pliocenit pranë fshatit Dorkovo
Ndërtesa e muzeut nga jashtë është projektuar si një koshere e lashtë bletësh. Brenda do të takoheni ballë për ballë me një mastodont mbresëlënës në madhësi reale, i cili duket si i gjallë. Vizitorët mund të teleportohen 5 milion vjet më parë në Pliocenin e vonë. Mbeturinat e gjetura në varrezat prehistorike afër Dorkovos datojnë që nga ajo kohë. Muzeu gjithashtu paraqet eshtra smilodonësh, rinoqerontë parahistorikë dhe specie të tjera interesante të zhdukura prej shumë kohësh.
Muzeu i Minierave në qytetin e Pernikut
Ai është pjesë e një galerie nëntokësore me një gjatësi prej 630 metra, ku midis viteve 1891 dhe 1966 është nxjerrë qymyr.Vizitorët vendosin helmeta sigurie dhe depërtojnë në minierën e vjetër.Këtu janë paraqitur lloje të ndryshme të lokomotivave dhe të vagonëve të tjerë, mjete dhe pajisje autentike të minatorëve, telefona minierash, etj. Pranë hyrjes së muzeut ruhet një pemë e ngurtësuar që është mbi 50 milion vjeçare.Quhet "pema e lumturisë".Dikur, duke hyrë në minierë, minatorët e kanë prekur atë për fat.
Muzeu i Verës pranë qytetit të Plevenit
Vera është nderuar në trojet tona që nga koha e trakëve.Kjo është arsyeja se pse njerëzit në Pleven i kanë kushtuar asaj një muze të veçantë, veçanërisht pasi qyteti është shtëpia e Institutit të Vreshtarisë dhe Enologjisë. Në shpellën e freskët në Parkun Kajllëka gjendet një bodrum komod ku mund të shijoni varietete të ndryshme të verës vendase.Dhe jo vetëm.Enoteka e muzeut ruan verëra të moshës nga 30 deri në 90 vjeç.Koleksioni përmban gjithashtu 6000 shishe me verëra më të reja nga i gjithë vendi.
Nëndetësja-Muze në qytetin Bellosllav
"Lavdi" - ky është emri i nëndetëses së fundit bullgare, e kthyer në një eksponat muzeor. Është prodhuar në vitin1959 në Bashkimin Sovjetik. I është dorëzuar Marinës Bullgare në vitin 1985 dhe ka lundruar deri në fund të vitit 2010. Me të ekuipazhet kanë kryer stërvitje luftarake dhe kanë marrë pjesë në stërvitje ndërkombëtare. Përveç kabinave të oficerëve dhe postës komanduese, vizitorët mund të shohin një tryezë kirurgjikale me instrumente për kryerjen e operacioneve. Nëndetësja është e gjatë mbi 76 metra dhe e gjerë gati 7 metra. Ajo është e vendosur në afërsi të një vendi tjetër jo standard në qytet - Muzeu i Qelqit.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: bulgariatravel.org, arkiv, redflatsofia.com, museumpernik.com, Facebook/ Wine museum in the Town of Pleven, Facebook/ podvodnicaslava
Një kompleks i ri historik në Trojan tregon për heroizmin e bullgarëve vendas që morën pjesë në Luftërat Ballkanike (1912-1913), Lutën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore. Kompleksi paraqet historinë e Regjimentit të 34-të të Këmbësorisë së..
Kombinimi i një klime të favorshme, natyrës së bukur dhe ujërave të shumta minerale dhe baltës shëruese në Bullgari është i përshtatshëm për zhvillimin e mjekimeve të ndryshme në resortet tona. Në Kongresin e 11-të Vjetor të Unionit Bullgar të..
Fshehur nga vështrimi i turistit masiv, fshatrat e Danubit janë një magnet për adhuruesit e natyrës në kërkim të privatësisë dhe përvojave autentike. Këta udhëtarë zgjedhin fshatra të vegjël bregdetare si Srebërna, Gigen, Vetren, Novo Sello e të tjerë,..