Në vjeshtë rendimentet e rrushit priten të rriten me nja 20-30 për qind në krahasim me vitin e kaluar, parashikoi para Radios Kombëtare Bullgare (BNR) Krasimir Koev, drejtor i Agjencisë Ekzekutive të Vreshtarisë dhe Verës. Tani bujqit luten vetëm për shi kështu që të përmbushen shpresat e tyre për një vit të mirë pas rënies gjatë vitit të pandemisë 2020.
Sektori i vreshtarisë nuk u dëmtua nga ngricat dimërore dhe ky është një nga shkaqet të priten të korra më të mira cilësore dhe sasiore. Vitin e kaluar ndërmarrjet volën dhe përpunuan 120 760 tonë rrushi, prej të cilit prodhuan 83 milion litra verë.
“Kushdo që ka rritur rrushin e tij në gjendje të mirë pa kokrra të plasaritura dhe me përmbajtje të lartë sheqeri, gjithmonë do të marrë një çmim të mirë – tha Krasimir Koev. – Pronarët bëjnë përpjekje maksimale për të ruajtur vreshtat. Kështu, kur kishte breshër dhe shira të rrëmbyeshëm, ata spërkatën hardhitë për të parandaluar sëmundjet, dhe tani ujiten për shkak të vapës ekstreme gjatë dy javëve të fundit. Sidoqoftë, thatësira tashmë po shkakton dëme, për shembull në Bullgarinë Jugperëndimore, ku disa vile në të cilat mbahen kokrrat e rrushit kanë filluar të thahen për shkak të motit të thatë dhe temperaturave të larta.”
Vreshtat nga të cilët priten të piqet rrushi janë të vendosura në 60 162 hektarë. Prodhimi i sivjetshëm i verës do të shitet në tregjet tradicionale para përhapjes së Covid-19 me përjashtim të atij kinez.
“Shihet një intensitet i porosive për 11 shtete afrikane – shton Krasimir Koev. – Rusia gjithashtu shfaq interes ndaj verërave bullgare. Doemos sasia më e madhe është e destinuar për vendet e Evropës Qendrore dhe Perëndimore. Në vitin 2020 eksportuam më se 47 milion litra verë në sfondin e 64 milion tonë në vitin 2019. Mirëpo, kjo mund të shpjegohet me përhapjen e epidemisë. Deri në fillimin e saj vendi ynë ishte në lulëzim, përfshirë në aspektin e shitjeve me shumicë të verës në segmentet e çmimeve më të larta - në intervalin midis 4 dhe 7 euro.”
Dhe përderisa presim që shpresat e sivjetshme për sektorin e vreshtarisë dhe verës të kthehen në lajme të mira, nga Shoqata e porsathemeluar e Vreshtarëve Bullgarë kërkuan përkrahje nga shteti.
“Situata në vreshtarinë bullgare është e rëndë – ishte kategorik kryetari i shoqatës Dr. Petër Boshnakov në një intervistë për BNR “Horizont”. – Hasim vështirësi në realizimin e prodhimit dhe çmimet e ulëta të blerjes, në prodhim dhe në mungesën e mundësisë për blerjen e teknikës bujqësore nëpërmjet ndihmave evropiane. Kemi qasje vetëm në një program të vetëm të Bashkimit Evropian, por parat janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme dhe lidhen më tepër me investime se sa me prodhimin aktual. Në të njëjtën kohë shpenzimet e drejtpërdrejta për rritjen e kulturës rritën ndjeshëm vitet e fundit madje kemi ulje të dyfishuar të çmimit blerës. Me të vërtetë ne punojmë në humbje.”
Vreshtarët shpresojnë se disa vitet e ardhshme me fillimin e periudhës së re programore t’i kushtohet një vëmendje serioze sektorit, sepse ai është tradicionalisht bullgar dhe meriton që prapë të zërë vendin më të denjë. Ndërkohë i bëjnë thirrje degës të pastrohet nga praktikat gri, të tilla siç janë shitja e rrushit dhe e verës së parregulluar. Priten gjithashtu ndryshime ligjore, ide për të cilat mund të nxirren nga strategjia për zhvillimin e ardhshëm të sektorit të Shoqatës së Vreshtarëve Bullgarë.
Përpilues: Diana Cankova (sipas intervistave të Evelina Stojanova dhe Snezhana Ivanova, BNR, “Horizont”)
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, Ani Petrova, lozari.bg
Punëdhënësit po kundërshtojnë në gjykatë rritjen e pagës minimale. Asociacioni i Kapitalit Industrial në Bullgari njoftoi se paraqitën një ankesë në Gjykatën e Lartë Administrative. Rreth 430 000 njerëz në vend marrin pagën minimale. Ka dy arsye për..
Nëse kriza politike vazhdon, përfitimet e humbura do të arrijnë një prag nga i cili biznesi bullgar në mënyrë të pakthyeshme do të fillojë të humbasë aftësinë konkurruese për shkak të deficiteve në rritje në arsim, kujdesin shëndetësor,..
Ne po shkojmë drejt opsionit që të mos kemi një buxhet të miratuar shpejt për vitin 2025, tha për BNR Llëçezar Bogdanov, kryeekonomist nga Instituti për Ekonominë e Tregut. Gjatë prezantimit të opsionit alternativ të institutit për buxhetin e shtetit,..