Bullgaria ka një qëndrim të qartë për Ukrainën, tha Ministrja e Jashtme Teodora Gençovska në një intervistë për Radio Bullgarinë. Krahas mbështetjes për rrugën evropiane dhe euroatlantike të Ukrainës, Bullgaria këmbëngul edhe për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut. Një shprehje e përkrahjes së saj është takimi me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmitro Kuleba i planifikuar për 21 shkurtin në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel, si dhe vizita e përbashkët e ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian në Kiev. E pyetur nëse ekziston rrezik real për sigurinë në rajon, Ministrja Teodora Gençovska iu përgjigj kështu:
“Kriza rreth Ukrainës ka një rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare. Për momentin, nuk ka asnjë hap nga ana e Rusisë për të ulur tensionet në kufijtë me Ukrainën dhe në rajonin e Detit të Zi. Ky është një tregues i rreziqeve dhe sfidave serioze të sigurisë. Forcimi i krahut lindor të NATO-s është një prioritet për ne dhe aleatët tanë në NATO dhe BE. Kërkesa e Rusisë ndaj NATO-s për të ndalur zgjerimin e saj të mëtejshëm drejt lindjes është e papranueshme. Çdo shtet ka të drejtën sovrane të vendosë për të ardhmen e tij. Ne mbetemi të hapur për dialog me Rusinë, por pa kompromentuar vlerat dhe parimet tona. Të gjithë shpresojmë se do të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë.”
Sa i përket një teme tjetër të nxehtë në politikën e jashtme të Bullgarisë – marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe perspektivën e saj evropiane, Ministrja Gençovska është e bindur se Bullgaria do të insistojë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Fqinjësisë të vitit 2017.
“Vendi ynë do të vazhdojë të mbështesë kërkesën legjitime të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut që të përfshihen në kushtetutën e saj, në baza të barabarta me kombet e tjera. Ne do të përpiqemi të bëjmë përparim në punën e Komisionit të Përbashkët për Çështjet Historike dhe Arsimore, në përgatitjen e një kalendari për kremtimin e përbashkët të personaliteteve të historisë së përbashkët, për të cilën tashmë është arritur marrëveshje (mbreti Samuil, Shenjtorët Kiril dhe Metodi, Shën Klementi, Shën Naumi). Ne do të insistojmë për fillimin e një procesi për përditësimin e programit arsimor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për rehabilitimin e qytetarëve të regjimit komunist jugosllav të përndjekur për vetëdijen e tyre bullgare”.
Për sa i përket politikës ndaj komuniteteve bullgare në mbarë botën - një fokus i rëndësishëm i punës së Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, një nga prioritetet do të jetë Agjencia Shtetërore për Bullgarët Jashtë Shtetit. Pasi ajo kalon nën drejtimin e Ministrisë së Jashtme, duhet të “mbushet me përmbajtje”, d.m.th. për të qenë në dobi dhe shërbim për diasporën tonë. Ministrja Teodora Gençovska theksoi edhe rolin e Radio Bullgarisë në politikën e përgjithshme mediatike të Bullgarisë.
“E falënderoj ekipin e Radio Bullgarisë, e cila 85 vjet jep kontributin e saj të paçmuar në ndërtimin e imazhit të Bullgarisë në mbarë botën, komunikon në mënyrë aktive me komunitetet bullgare jashtë vendit, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe ne do të vazhdojmë t'ju mbështesim në përpjekjet tuaja. Dhe jam e sigurt se ky rol dhe mision i Radio Bullgarisë do të gjejë një vend të merituar në ligjin e ri për mediat. Ju falënderoj!"
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: MPJ, BGNES
Kabineti i dytë zyrtar, i kryesuar nga Dimitër Gllavçev, u betua para Kuvendit Popullor. Detyra kryesore e ekipit të ministrave në detyrë do të jetë sërish mbajtja e zgjedhjeve të ndershme, me votimin e radhës të parakohshëm parlamentar të planifikuar..
Në zbatim të Kushtetutës, presidenti Rumen Radev nënshkroi një dekret për emërimin e qeverisë së propozuar nga i nominuari për kryeministër të përkohshëm, Dimitër Gllavçev . Kabineti i ri pritet të betohet menjëherë para Asamblesë Kombëtare. Në..
Në Turqi dhe Greqi presin një rendiment më të mirë të ullinjve Vjelja e vajit të ullirit në Turqi do të jetë rekord. Lulëzimi intensiv i ullinjve u dha shpresë prodhuesve akoma në pranverë pas sezonit të dobët të..
"Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë në kushtetutë qytetarët që janë pjesë e kombeve të..
Një parlament edhe më shumëngjyrësh u përvijua nga vota e zgjedhësve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 tetorit. Parashikimet fillestare ishin..