Legjislatura e 48-të e Kuvendit Popullor do të mblidhet në seancën e parë më 19 tetor. Pasi kreu i shtetit nënshkroi dekretin për mbledhjen, u hodh linja e parë ndarëse mes partive parlamentare. Tensioni u shkaktua nga pyetja nëse ambasadori rus duhet të ftohet së bashku me ambasadorët e tjerë në hapjen e seancës së parë.
Propozimi, që ambasadorja e Federatës Ruse Eleonora Mitrofanova të mos jetë në mesin e zyrtarëve të ftuar në hapjen e punës së parlamentit ,u bë nga “Bullgaria Demokratike”, e cila gjithashtu njoftoi se menjëherë pas mbledhjes së parlamentit do të paraqesë një projektvendim për dërgimin e ndihmës ushtarako-teknike për Ukrainën. Mbështetjen e tyre deklaruan nga formacioni “Po e vazhdojmë ndryshimin”, e më pas edhe nga forca më e madhe politike, GERB. Kundër janë BSP dhe “Vëzrazhdane”, ndërsa përfaqësuesit e formacioneve të tjera nuk shpallën ndonjë pozitë. Se si do të veprojë protokolli i Kuvendit Popullor mbetet për t’u parë, por pyetja në këtë moment është se sa tregues është ky “mini-skandal” për vendimet e ardhshme të parlamentit të ri, si për shembull nëse do të mblidhet një shumicë në mbështetje të një vendimi për dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë.
“Kjo do të ishte e mundur nëse ndonjë nga partitë e vetëshpallura euroatlantike nuk ndryshon qëndrimin”, tha në një intervistë për BNR Georg Georgiev, ish-zëvendësministër i punëve të jashtme dhe deputet i ardhshëm në Legjislaturën e 48-të të Kuvendit Popullor. “Për momentin, çdo sekondë në të cilën nuk ka qeveri dhe nuk po punohet për zgjidhjen e krizave është i humbur për vendin”, beson ai, por shtoi se është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohen bisedimet për formimin e kabinetit. Deri në çfarë mase GERB, si forca e parë politike tek e cila do të shkojë mandati i parë eksplorues për të formuar një qeveri, do të bojkotonte të dytin dhe të tretin?
“GERB nuk ka bojkotuar kurrë. Në këtë situatë, le të vijmë fillimisht te mandati i parë, e më pas të komentojmë të dytin dhe të tretin. Pasionet politike janë ndezur aq shumë që është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Shpresojmë shumë që partitë politike të tregojnë largpamësinë, arsyen dhe mendimin e nevojshëm për njerëzit, në mënyrë që ata të mos i nënshtrohen vetëm pasioneve të tyre. GERB do të bëjë gjithçka për të formuar një qeveri, por me 67 deputetë nuk ka se si të mbështesë një qeveri në sallë. Le të mos ketë politikë, por njëfarë mendimi dhe njëfarë ndjenjë nga ana e klasës politike që në fund të fundit ajo u zgjodh për të rikthyer stabilitetin në këtë vend.”
Nevoja për një qeverisje të qëndrueshme të Bullgarisë është veçanërisht e dukshme në sfondin e situatës ndërkombëtare dhe thellimit të tensionit midis Rusisë dhe botës perëndimore. Emri i vendit tonë u përmend si një pikë në rrugën e kamionit që hodhi në erë urën e Krimesë. Shërbimet dhe prokuroria u aktivizuan për këtë temë dhe kabineti teknik e hodhi poshtë pretendimin duke deklaruar se kamioni me bombë nuk ka qenë kurrë në Bullgari. “Vendi ynë nuk duhej të angazhohej në asnjë mënyrë tjetër përveçse të thoshte se gjithçka që del nga Moska duhet të injorohet”, vuri në dukje Velizar Shallamanov, një ish-ministër i mbrojtjes dhe ekspert i sigurisë kombëtare. Në një intervistë për BNR, ai pranoi se shërbimet bullgare morën informacion sekret nga Moska në lidhje me rastin me kamionin dhe paralajmëroi se nëse ky është një fakt, “mund të jetë mjaft i frikshëm për sigurinë tonë kombëtare”. Ai e qortoi presidentin Rumen Radev për vonimin e qëllimshëm të thirrjes së seancës së parë të Kuvendit Popullor.
“Dëshira e presidentit për të kufizuar rolin e parlamentit duke shtyrë thirrjen dhe skandalizimi i seancës së parë me propozimin e administratës për të ftuar ambasadoren ruse Mitrofanova është tashmë një problem serioz. Krijon një mjedis në të cilin debatet kuptimplota do të jenë më të vështira. Administrata e parlamentit, si dhe e gjithë administrata në vend, aktualisht drejtohet nga presidenti i Republikës së Bullgarisë në bazë të qeverisë zyrtare dhe lidhjeve të trashëguara nga partitë që propozuan presidentin. E rëndësishme është që presidenti do të mbledhë parlamentin në një tension tashmë të krijuar. Por kam besim se pikërisht për çështjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe pajisjet zëvendësuese për të mbushur deficitet në ushtrinë ukrainase nga aleatët tanë do të arrijnë një shumicë, e cila bazohet në arsyen dhe përgjegjësinë ndaj Bullgarisë dhe qytetarëve bullgarë. Dhe kjo mund të ndryshojë realisht rrjedhën e ngjarjeve në parlament.”
Përpiluar nga: Elena Karkallanova /bazuar në intervistat e Sillvija Velikova, BNR “Horizont”/
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES
Një tjetër zgjedhje e parakohshme është tashmë pas nesh, por përtej pjesëmarrjes paksa të rritur të votuesve, krahasuar me votat e qershorit të këtij viti, është ende e vështirë të parashikohen konfigurimet politike që do t'i japin një shans formimit..
Partia MEÇ, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare, do të jetë lojtari i ri në parlament. Shkurtesa MEÇ vjen nga fjalët bullgare moral, edinstvo, çest (morali, uniteti, nderi). Partia u themelua në tetor 2023 nga avokati,..
“Fitorja e GERB-SDS është e sigurt. Dhe ne kemi marrë një angazhim për të formuar një qeveri”. Kështu u shpreh në një konferencë kreu i GERB-it, Bojko Borisov. Sipas tij, pas rritjes së aktivitetit të votuesve mund të flitet për përfaqësim në..