Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Turqia – qendra e shpërndarjes së gazit rus?

Evropa do të jetë në gjendje të blejë gaz natyror rus përmes Turqisë. Këtë e la të kuptohet Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, pasi presidenti rus Vladimir Putin kishte sugjeruar më parë që Turqia të bëhej një qendër për karburantin blu rus. Sipas presidentit rus, Ankaraja mund të ndërtojë një qendër shpërndarjeje nga e cila gazi mund të arrijë në vende të tjera, kryesisht evropiane, nëse ata janë të interesuar, njoftoi Euronews Bulgaria. Erdogan njoftoi se puna është planifikuar të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Vendndodhja më e përshtatshme do të ishte Trakia, në pjesën evropiane të vendit, ku ndodhet një degëzim i gazsjellësit “Rryma Turke”.
Do të duhen të paktën tre deri në katër vjet dhe miliarda dollarë investime për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme, por pyetja kryesore mbetet - a do të ketë blerës evropianë për këtë gaz, tha para lenta.ru Igor Jushkov, një analist rus nga Fondi Kombëtar i Sigurisë së Energjisë.

Italianët privatizuan portin në Igumenicë të Greqisë


Kompania italiane e anijeve “Grimaldi” privatizoi për mbi 84 milionë euro portin në Igumenicë. Ky është investimi i dytë më i madh i Italisë në Greqi, pasi hekurudhat italiane shtetërore privatizuan ato greke në 2017. Kompania italiane theksoi se privatizimi i portit në Igumenicë është një objektiv strategjik për të thithur fluksin gjithnjë në rritje të mallrave që arrijnë në të nga Bullgaria, Turqia dhe Rumania dhe prej andej shkojnë në portet italiane të Barit, Brindisit dhe Ankonës - linjat e shërbyera prej saj, raportoi korrespondentja e BNR në Itali Elena Shahanova. Kështu, së bashku me hekurudhat greke të privatizuara, Greqia bëhet një lidhje ideale ballkanike nga dhe për në Evropë përmes Apenineve.

Rumania dhe Kuba do të bashkëpunojnë në kujdesin shëndetësor

Ministri rumun i shëndetësisë Alexandru Rafila dhe homologu i tij kuban José Angel Portal Miranda nënshkruan të martën në Havana një marrëveshje për bashkëpunimin shëndetësor midis Rumanisë dhe Kubës, raportoi Radio Romania International. Ministrat diskutuan për mundësitë e shkëmbimit të praktikave të mira në shëndetësi, trajnimin e mjekëve dhe bashkëpunimin në fushën e industrisë farmaceutike. Gjatë vizitës së tij, Rafila mbajti një raport në konferencën ndërkombëtare "Kuba-Shëndeti 2022".

Presidenti i Kroacisë: Nuk do të trajnojmë trupat ukrainase

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic, njoftoi për mediat se si komandant suprem i forcave të armatosura të vendit, do të kundërshtojë idenë e trajnimit të ushtarëve ukrainas në Kroaci, raportoi Radio Televizioni Kroat (HRT), cituar nga “Focus”. "Unë nuk e mbështes këtë ide, sepse nuk e mbështes pjesëmarrjen e Kroacisë në këtë luftë më shumë seç duhet. Ne jemi korrektë, jemi të bashkuar dhe kaq. Nuk më pëlqen ideja sepse kjo do të nënkuptonte sjelljen e luftës në Kroaci”, tha Milanovic.

Serbia fillon të prodhojë dronë të saj

Serbia do të fillojë prodhimin e dronëve të saj “Pegas” për nevojat e ushtrisë së saj, transmetoi rtv.rs. “E ardhmja e industrisë së mbrojtjes janë mjetet ajrore pa pilot, robotët dhe inteligjenca artificiale, kështu që ushtria jonë nuk do të mbetet prapa trendeve botërore”, tha ministri serb i mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç. Dronët e parë “Pegas” do të bëhen pjesë e armatimit deri në fund të vitit, pas së cilës do të fillojë prodhimi i tyre serial. Zbatimi i projektit "Pegas" - një nismë që zbatohet në vazhdim të disa viteve nga inxhinierët vendas - vështirë se do të ishte e mundur pa ndihmën e Kinës, theksoi RTS. Ndihma teknologjike për kompletimin e dronëve serbë ishte pjesë e së njëjtës kontratë sipas së cilës Serbia mori dronët kinezë CH-92 në vitin 2020. Kinezët ndihmuan me optoelektronikën, autopilotin dhe softuerin. Fillimisht dronët serbë do të jenë të armatosur me raketa kineze, e më pas me armë vendas. Dronët janë të kompletuar me një stacion tokësor, i cili është një punim serb, por ai do të ishte i pamundur pa pjesëmarrjen kineze.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: arkiv, ЕPА/BGNES, salud.msp.gob.cu,mod.gov.rs


Më shumë nga rubrika

Prof.Ognjan Gerxhikov

Prof. Ognjan Gerxhikov: Ka ardhur koha për një ndryshim në sistemin zgjedhor dhe për shfaqjen e një projekti të ri politik kuptimplotë

Data 19 qershor 2024 është një datë themelore për Legjislaturën e 50-të të Kuvendit Popullor të Bullgarisë. Presidenti Rumen Radev thirri 240 përfaqësuesit e sapozgjedhur të popullit në seancën e parë. Me votimin e parakohshëm parlamentar, bullgarët..

botuar më 24-06-19 6.55.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Me zgjedhjet për PE në Slloveni, votuan edhe për votim preferencial, eutanazi dhe kanabis për qëllime mjekësore. Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Slloveni më 9 qershor, pjesëmarrja tejkaloi 41%  dhe ishte më e larta që nga viti..

botuar më 24-06-14 5.35.MD

Shpërndarja e vendeve të eurodeputetëve nga Bullgaria është e qartë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpërndau mandatet sipas partive për 17 vendet e eurodeputetëve nga Bullgaria. GERB-SDS merr 5 mandate, Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS) - 3, "Po e vazhdojmë ndryshimin - Bullgaria Demokratike" (PP-DB) - 3,..

botuar më 24-06-13 9.39.PD