Përrallat janë mënyra e parë në të cilën një fëmijë njihet me botën përreth dhe fillon të dallojë të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, të drejtën nga e gabuara. Kur rritemi, këto “përralla” na përcillen përmes historive personale të njerëzve që na rrethojnë, personaliteteve që i marrim si shembuj dhe strumbullarë të të kuptuarit tonë, pra iluministët tanë të sotëm. Sot do t’ju tregojmë një histori për një djalë të lindur në vitin e paharrueshëm 1968 në qytetin e Bullgarisë Jugperëndimore - Kjustendill, i cili ndoqi gjurmët e babait të tij piktor dhe pak nga pak u ngjit shkallët deri në majën e vet ...
Ai është Teodor Ushev - animatori më me ndikim në botë për 25 vitet e fundit, sipas një sondazhi të Festivalit të Filmave të Animuar Lerida (Animac) dhe Qendrës Kulturore të Barcelonës nga fillimi i vitit 2021, i dalluar me më shumë se 200 çmime ndërkombëtare, duke përfshirë një nominim për “Oskar” në vitin 2017 për filmin “Vajsha e verbër” bazuar në tregimin e shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov.
Rruga e tij nisi në Plovdiv, ku Ushev u diplomua në Gjimnazin e Arteve Figurative për kuadro skenikë, pastaj e bëri magjistraturën për dizajnin grafik në Akademinë e Arteve të Bukura në Sofje, dhe në vitin 1999 u nis për në Montreal dhe për vite me radhë bashkëpunonte me Bordin Kombëtar të Filmit të Kanadasë për krijimin e disa prej filmave të animuar më të vlerësuar të kohës sonë.
Pjesa tjetër është një histori “lidhjesh të padukshme” me aromë bullgare dhe me pjesëmarrjen e Radio Bullgarisë, të cilat rrëfehen edhe në filmin më të fundit dokumentar të Borisllav Kolev, kushtuar piktorit tonë të njohur.
Filmi “Teodor Ushev: Lidhjet e padukshme” u prezantua për herë të parë më 10 tetor në kuadër të festivalit “Sinelibri” në Sofje.
“Gjithmonë kam qenë i interesuar për njerëzit e artit, kulturës dhe sportit. Dhe megjithëse heronjtë e mi kanë fate, karaktere, profesione të ndryshme, ata janë të një brezi – brezit tim. Të gjithë lindën në vitet 60-të, u formuan në vitet 70-të dhe 80-të të shekullit të XX, kur nisi rrugëtimi i tyre profesional dhe jetuan aktivisht në vitet 90-të e më tej. Dhe në fakt, përmes historisë personale të heronjve të mi, gjithmonë përpiqem të bëj një portret të kohës” – u tha Borisllav Kolev kolegëve tanë nga BNR Varna.
Ushev: “Edhe nëse jetojmë jashtë, ne kërkojmë ndërveprim me njerëzit me të cilët marrim frymë në të njëjtin ritëm”
Në filmin dokumentar ndihet qëndrimi publik shumë aktiv i Teodor Ushev për situatën në Bullgari dhe vendin e saj në hartën gjeopolitike të Evropës. Gjëra që mbrohen në mënyrë indirekte në filmin artistik debutues të vetë animatorit. Filmi i shumëpritur i përbashkët i Kanadasë dhe i Bullgarisë “fi 1.618”pati premierë më 8 tetor në hapjen e festivalit “Sinelibri” në Sofje dhe vetë regjisori vizitoi studion e programit “Hristo Botev” të BNR për të treguar detaje rreth tij. Filmi është frymëzuar nga romani “Fuga” i kulturologut Vlladisllav Todorov, i cili gjithashtu prej shumë vitesh jeton jashtë vendit në SHBA.
“Ndërveprimi i krijuesve bullgarë jashtë Bullgarisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse kështu krijohen kryeveprat - thotë Teodor Ushev. - Edhe nëse jetojmë jashtë, ne kërkojmë ndërveprim me njerëz me të cilët marrim frymë në të njëjtin ritëm. Patriotizmi ynë nuk ka të bëjë me tatuazhin e heronjve kombëtarë që kemi tradhtuar në të kaluarën. Patriotizmi ynë është të kërkojmë njerëz që lindën në një vend, që kanë një vizion për botën. Me një vizion të përbashkët se si ta bëjmë vendin ku lindëm gjithnjë e më tërheqës dhe interesant. Për të qenë më të mirë për gjeneratat e ardhshme.”
Titulli i filmit është vlera e prerjes së artë në natyrë - raporti i dy numrave të fundit në Sekuencën Fibonacci. “Unë jam piktor dhe më pëlqejnë përmasat, numrat. Në matematikë ka një qetësi, një ikje nga kaosi - thotë animatori.
Nuk ka fund mirënjohja e Ushevit për kolegët e tij në Kanada, të cilët pranuan të punonin për filmin pothuajse pa para, vetëm për shkak të emrit të tij.
“Më pëlqen kur njerëzit punojnë për një kauzë, pa u sjellë domosdo ndonjë përfitim material ose pa i lehtësuar gjërat. Përkundrazi, shpesh puna për një kauzë e bën jetën më të vështirë, sepse çdo kauzë përballet me rezistencë dhe kërkon përkushtim të madh. Prandaj është e vështirë që gjërat të ndodhin këtu (në Bullgari)” – shpjegon bashkatdhetari ynë me famë botërore.
Ushev thekson se intuitivisht e rëndësishme për të ishte që shfaqja e parë e filmit të tij debutues të jetë në Bullgari, në vendin e tij. Edhe pse jeton jashtë vendit, ai është shumë i angazhuar në shoqëri - kujtojmë vizatimet e Teodor Ushev me sytë e mjekëve në repartin Covid të Akademisë Ushtarako Mjekësore në Sofje dhe posterat e vizatuar në mbështetje të refugjatëve ukrainas.
“Lufta nuk është asnjëherë një rrugëdalje e mirë nga një situatë dhe sot në “derën” tonë po bëhet një luftë”, thotë animuesi, duke pranuar se për herë të parë ndjehet i shqetësuar nga ngjarjet.
“Gjëja më shqetësuese është se në vendin tonë ka njerëz që janë të gatshëm të hapin derën dhe ta lejojnë që kjo luftë të hyjë në shtëpi, duke qëndruar me anën e gabuar. Duke marrë anën e uzurpatorit. Krijuesit, për aq sa u jepet kjo mundësi, janë të detyruar të mbajnë qëndrim dhe të marrin pjesë në fitoren e normalitetit mbi anormalitetin, të së bukurës mbi të keqen. Ne duhet të jemi ambasadorë të së mirës.”
Kjo është ajo që Teodor Ushev përpiqet të jetë ndërsa përgatit projektet e tij të ardhshme filmike - dy filma me metrazh të plotë dhe dy filma të animuar. Njëri – “Ujku”, është i bazuar në një tregim të shkrimtarit bullgar Emilijan Stanev. “Përsëri gjurmë bullgare”, thotë me shaka regjisori. Një histori që vetë Emilijan Stanev e ka sintetizuar në dy fjali: “Ne e urrejmë ujkun (në vetveten), por nuk mund të jemi të lumtur pa të. Punë e vështirë!”.
*Teodor Ushev është një nga ambasadorët bullgarë të kulturës për vitin 2021 në konkursin BNR.
Tekst: Vesella Krësteva /bazuar në intervistat e Nina Caneva, BNR “Hristo Botev” dhe Aleksandër Jordanov, BNR-Varna/
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Ani Petrova, Teodor Ushev, Elica Mateeva, Cinelibri
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..
Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..