Gratë në shkencë kanë nevojë për inkurajim dhe mbështetje të veçantë, veçanërisht kur duhet të ndërthurin rolet e shkencëtares së përkushtuar, nënës së kujdesshme dhe bashkëshortes së mirë në hapësirën e ngushtë të një dite të vetme. Një nxitje e ngjashme për to janë edhe çmimet "Për gratë në shkencë", të cilat një kompani globale kozmetike së bashku me UNESCO-n ua dorëzojnë prej 12 vitesh shkencëtarëve të rinj të shquar bullgarë. Para pak kohe çmimin e mori edhe biologia Katerina Takova-Sakalijska nga Universiteti i Plovdivit “Paisij Hilendarski”.
Dr. Katerina Takova synon të krijojë një produkt komercial për diagnostikimin e Covid-19. Ajo është studente postdoktorale në departamentin “Fiziologjia e bimëve dhe biologjia molekulare” të universitetit.
"Unë jam pjesë e një ekipi që merret me prodhimin e proteinave të rëndësishme virale në bimë të tëra të duhanit," thotë ajo. – Dhe projekti me të cilin fitova çmimin lidhet me prodhimin e proteinave nga SARS-CoV-2 për diagnostikimin e antitrupave specifikë kundër koronavirusit. Është ende në fillimet e tij, por ne kemi rezultate fillestare inkurajuese dhe ndoshta do t'i shpallim vitin e ardhshëm në këtë kohë."
Shkencëtarja shpreson se ndërsa kërkimi përparon, disa kompani biofarmaceutike do të jenë të interesuara për produktin e zhvilluar në laboratorin e Plovdivit. Ndërkohë, ajo shpreson se shkenca dhe biznesi në vendin tonë do të bashkojnë duart në mënyrë që risitë të kenë një fokus praktik. "Edhe shkencëtarët po e kërkojnë gjithnjë e më shumë biznesin, edhe biznesi po i kërkon gjithnjë e më shumë shkencëtarët," shton ajo.
Katerina zbuloi aktivitetet në laborator si një rrugë të mundshme në vitin 2015: “Jam mirënjohëse që pata shansin të takojë një grua të jashtëzakonshme që më udhëhoqi në shkencë, ajo është edhe mbikëqyrësja ime shkencore Dr. Gergana Zahmanova. Ajo ishte me mua që në tezën time të bachelorit”. Në vitet në vijim Katerina arriti të përfundojë programin e masterit "Biologji molekulare dhe bioteknologji", të specializojë në Universitetin e qytetit portugez të Algarve, të marrë ftesë për punë me liderët në këtë degë në qendrën kërkimore "John Innes” në Norwich, të mbrojë një disertacion doktorature mbi fiziologjinë e bimëve, të bëhet bashkëautore e shtatë botimeve shkencore. Ajo thotë se baza e suksesit të saj është "durimi i pakushtëzuar" - një cilësi thjesht femërore, e nevojshme në shkencë, ku rezultatet nuk vijnë shpejt.
Dhe meqë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve grave të nderuara dëgjoheshin shpesh fjalët “Bota ka nevojë për shkencën”, kush sipas Katerina Takovës është më i fortë sa i përket ndryshimit – shkencëtarët apo politikanet?
“Besoj se partneriteti mes shkencëtarëve dhe politikanëve është strategjia më e mirë, sepse ne nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin – përgjigjet ajo. – Ne kemi ekspertizë të ndryshme dhe secili mund të kontribuojë me diçka. Në përgjithësi, partneriteti është gjëja më e rëndësishme në një zhvillim të qëndrueshëm. Ajo që na duhet më së shumti tani është të vlerësojmë prioritetet tona si shoqëri. Nëse vendosim objektiva dhe i vlerësojmë prioritetet tona, do të jetë shumë më e lehtë të kemi një drejtim në të cilin të shkojmë.”
A është shkolla një partner i shkencëtarëve, që ka sukses të frymëzojë të diplomuarit e saj për shkencë?
“Një fakt interesant është se kam qenë mësuese për gati 4 vjet – thotë shkencëtarja. - Ajo që pashë më nxit të mendoj se gjithnjë e më shumë po i kushtohet vëmendje shkencës në shkollë. Ministria e Arsimit ka një strategji për të ndërtuar qendra STEM për të ndihmuar në futjen e shkrim-leximit shkencor në moshë të re dhe besoj se partneriteti do të thellohet. Arsimi i mesëm do të kërkojë gjithnjë e më shumë arsimin e lartë, i cili, nga ana tjetër, ka se çfarë të marrë nga arsimi i mesëm.”
Edhe pse Katerina ka pasur shumë mundësi për një karrierë shkencore jashtë vendit, ajo ka zgjedhur të mbetet në shtëpi. "Kur hipni në aeroplan dhe dëgjoni fjalimin bullgar - kjo është arsyeja pse unë dua të zhvillohem në Bullgari," tha ajo për Radio Bullgarinë. Në vendin tonë ajo disponon gjërat themelore që i nevojiten për të zhvilluar potencialin e saj. Sigurisht, ka ende shumë për të ndërtuar, por gjëja më e rëndësishme është të shihet qëndrimi i shoqërisë ndaj shkencës dhe njerëzit të vlerësojnë punën e shkencëtarëve. “Kemi një bazë të mirë – kemi shkencëtarë, kemi infrastrukturë, kemi partneritete dhe në asnjë mënyrë nuk po e nisim nga e para”, është e bindur doktoresha Katerina Takova.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BNR
Çdo vit në prag të festës së vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, të alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare dhe letërsisë sllave - 24 maj, një delegacion bullgar i kryesuar nga kryetari i Kuvendit ose kreu i shtetit priten në audiencë nga kreu i..
Casa Bulgara ose Shtëpia Bullgare zë një vend kryesor në guidat e kuzhinës në São Paulo - qyteti më i madh në Brazil me mbi 12 milionë banorë. Mëngjesorja ka gati gjysmë shekulli që ndodhet në të njëjtën adresë dhe është në pronësi të 75-vjeçares..
Ichak Finci ka lindur më 25 prill, pjesë e të ashtuquajturit “brezi i artë” i aktorëve bullgarë. Për udhëtimin e tij 91-vjeçar në tokë, Icko Finci le gjurmë të dallueshme në jetën teatrale, filmike dhe kulturore bullgare. Ai ka lindur në Sofje,..