Në vitet 60 të shekullit të XIX-të, bullgarët jetonin me ndjenjën se rendi i vjetër i ekzistencës brenda Perandorisë Osmane kishte kaluar në mënyrë të pakthyeshme dhe se po vinte koha për ndryshime të mëdha. Gazetat përhapnin lajmet për rebelime dhe luftëra në Ballkan dhe në Evropë. Zmadhimi i numrit të çetave tregoi se ka njerëz që janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën për çlirimin e shumëdëshiruar. Kjo gatishmëri dhe vendosmëri e përgjithshme për të luftuar, veçanërisht në mesin e bullgarëve të rinj, të arsimuar dhe të zgjuar, jep arsye për të folur për një lëvizje nacionalçlirimtare në mesin e popullit bullgar, i cili dëshironte të heqë sundimin osman dhe të rifitojë shtetin e tij të pavarur. Ndër idetë, propozimet dhe nismat e ndryshme nuk kishte një unitet që do të çonte në veprime konkrete. Duhej organizuar fryma e përgjithshme. Në një kohë kaq të stuhishme, u shfaq Vasill Ivanov Kunçev, i cili mbeti në histori si Levski - Apostulli i Lirisë.
Ai lindi më 18 korrik të vitit 1837 në qytetin Karllovo, në familjen e Ivan dhe Gina Kunçevi. Babai i tij vdiq herët. Vasill studioi në shkollën e qytetit të lindjes dhe më pas në qytetin Stara Zagora. Xhaxhai i tij, Arkimandrit Vasilij, e dërgoi në një shkollë për priftërinj në Plovdiv. Më 1858 u shugurua murg me emrin Ignatij. Më 1861, ai hoqi dorë nga murgjëria, por mbeti “dhjak laik” dhe shkoi vullnetar në Beograd, ku Georgi Stojkov Rakovski mblodhi Legjionin e Parë Bullgar. Në sulmin e Kalemegdanit, i riu Vasill Kunçev tregoi guxim dhe shkathtësi, dhe një kërcim i tij bëri që shokët të thërrisnin – “ky është një kërcim luani” dhe prej andej mbeti nofka Vasill Levski. Pas legjionit u kthye në Plovdiv dhe u arrestua përkohësisht. Më pas jepte mësim në fshatra. Më 1866 emigroi në Vllahi (sot Rumani). U kthye në Bullgari si flamurtar i çetës së Panajot Hitovit, e cila me përleshje për 99 ditë e çau rrugën për në Serbi. Aty kreu kursin e nënoficerit të Legjionit të Dytë Bullgar dhe pas një sëmundjeje të rëndë u kthye sërish në Vllahi.
Gjatë bredhjeve të tij, Levski takonte shumë njerëz, dëgjonte qëndrimet e tyre, debatonte dhe gradualisht formonte idenë e tij në shërbim të Atdheut. Ai donte që bullgarët të çliroheshin, pa ndihmën e huaj, me një kryengritje mbarëkombëtare të përgatitur nga një rrjet komitetesh. Kështu, Levski u nis si apostull në mesin e njerëzve, për të predikuar një besim të ri në të cilin ai vetë tashmë besonte fort - Bullgarinë e Lirë.
Në periudhën e viteve 1869 - 1872, në udhëtimet e tij nëpër Bullgari, ai gradualisht krijoi rrjetën e Organizatës së Brendshme Revolucionare. Në komitetet revolucionare të qyteteve dhe fshatrave, ai tërhoqi bullgarët më të zgjuar, më të guximshëm dhe më besnikë ndaj kauzës.
Rreth vitit 1870, Levski themeloi një komitet të tillë në qytetin Zllatica, që shtrihet në rrëzat malin Stara Pllanina. Streha e tij ishte në metohun e kishës, në pronësi të Manastirit të afërt “Shën Gjergji”. Qyteti në atë kohë ishte qendra e një kazaje me një popullsi prej rreth 5000 banorësh, prej të cilëve 4500 ishin myslimanë dhe vetëm rreth 500 të krishterë. Pikërisht në këto vende turqit më së paku prisnin që të kishte një komitet të tillë”, thotë Ivan Ivanov, doktor i Shkencave Historike. Dhe na çon në ndërtesën e Metohut në Zllatica, ku u vulos përgjithmonë kujtimi për Vasill Levski:
“Për këtë godinë gjetëm dokumente në arkivin historik se ajo u ndërtua në vitin 1834. Përderisa isha në punë duke studiuar këtë lashtësi, e cila atëherë ishte në një gjendje të mjerueshme, hasa në një fakt të jashtëzakonshëm dhe kureshtar. Dhoma më e gjerë, e cila ndodhet në anën e rrugës, ka dy hyrje - një nga oborri dhe një nga rruga. Interesante ishte se, duke zbritur në bodrumin e ndërtesës, zbuluam tri shkallë guri që çonin nën oxhakun e dhomës. Prej andej përmes dritareve Levski pati mundësinë të shpëtonte veten nëse e kërkonin në metohun e kishës. Çdo vit, kur është koha për të bërë homazhe dhe për të shfaqur respekt për bullgarin e madh, banorët e qytetit Zllatica që nga koha të lashta mbajnë një kortezh të madh me pishtarë. Kjo traditë nuk është e ndërprerë asnjëherë me kalimin e viteve. Kështu e ruajmë kujtimin e Apostullit brez pas brezi.”
Pasi krijoi një rrjet prej dhjetëra komitetesh, emri i Levskit filloi të pëshpëritet nga veshi në vesh dhe ai u bë i famshëm në mesin e bashkatdhetarëve të tij për shkathtësinë e tij në shmangien e grackave dhe vështirësive, sepse autoritetet po e kërkonin kudo.”
Më të rëndësishmet janë idetë e Apostullit. Veprimtaria e tij shënon një kulm në lëvizjen tonë nacionalçlirimtare. Ai asnjëherë nuk devijoi nga qëllimi - për organizimin e një kryengritjeje të pavarur bullgare, për një revolucion të armatosur të udhëhequr nga komitetet revolucionare. Levski besonte se revolucioni do të kishte sukses vetëm nëse bullgarët më të interesuar do të merrnin pjesë në të. Vizioni i Apostullit u shtri edhe më tej - në shtetin e çliruar bullgar, ai parashikonte krijimin e një republike të pastër dhe të shenjtë, në të cilën do të mbizotëronte drejtësia dhe barazia e kombësive të ndryshme. Mjerisht, Levski nuk jetoi për të parë shpërthimin e Kryengritjes së Prillit të vitit 1876. Më 1872 u kap dhe u dënua me vdekje, u var në trekëmbësh më 18 shkurt në afërsi të Sofjes.
Gjyqi kundër Vasill Levskit mbetet i mbuluar me mister. Për të nuk shkroi as shtypi turk, as ai botëror. Bota nuk e di për dramën në konakun e Sofjes, ku një bullgar mposhti fuqinë e një perandorie të tërë me vullnetin dhe besimin e tij në çështjen e popullit. Përveç gjyqit kundër Levskit, enigmë edhe sot e kësaj dite mbetet varri i tij në Sofje. Ka shumë versione dhe supozime se ku mund të prehen kockat e këtij bullgari të madh, por askush nuk mund të japë prova të padiskutueshme se ku duhet të ngrihet lapidari i tij.
Ajo që është më e rëndësishme është se Levski, përmes besëlidhjeve të tij, jeton në mendjet e njerëzve. 150 vjet pas vdekjes së tij, fjalët e tij tingëllojnë më të vërteta se kurrë: “Atdheut tonë të çmuar i duhen njerëz të denjë për ta udhëhequr në rrugën e prosperitetit, në mënyrë që ne të jemi të barabartë me kombet e tjera evropiane”.
Publikimi është në kuadër të një projekti të realizuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, sipas Programit Kombëtar për përkujtimin e 150 vjetorit të vdekjes së Vasill Levskit.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, zlatitsa.com, YouTube@AlexanderSeniorMitov
Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..
Arkeologët studiuan një nekropol në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll. Perimetri në të cilin ndodhet është pjesë e historisë së Apolonisë Pontika dhe daton në shekullin e IV-të para Krishtit. “Kjo është një zonë me varrime interesante,..
Më 10 nëntor 1989, në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare (BKP), Todor Zhivkov u lirua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm - posti më i lartë në parti dhe në shtet. Ajo që ndodhi në takim më vonë do të përkufizohej si një..
Statuja e parë prej mermeri e zbuluar më 3 korrik në qytetin antik Heraklea Sinthika është ndoshta e nipit të perandorit romak Oktavian Avgust - Lucij,..