Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria pa bullgarë - a është kolapsi demografik i vendit i pakthyeshëm?

Në 10 vjet, vendi ynë ka humbur 11.5% të popullsisë

Foto: BTA

Regjistrimi i fundit i popullsisë në vend konfirmon thellimin e tendencave negative demografike që kanë ekzistuar në Bullgari gjatë 30 viteve të fundit – ulja e numrit të popullsisë si dhe plakja e saj, shpopullimi i territoreve të vendit si rezultat i rritjes natyrore negative dhe proceseve migratore.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave (IKS), në 7 shtator 2021, popullsia e vendit ka qenë 6 520 314 njerëz. Prej tyre 52,1% femra, 47,9% meshkuj. Vazhdon një proces i plakjes demografike, i cili shprehet në rritje të numrit të popullsisë me moshë 65 e sipër, e cila arrin në 23,9%, me 5.4 për qind më i lartë se në vitin 2011 dhe 9.6 për qind më i lartë se në vitin 1992. Ndërsa fëmijët dhe të rinjtë deri në 17 vjeç janë vetëm 15,9% e popullsisë. Rezultatet e regjistrimit të fundit në vitin 2021 janë "më katastrofiket në krahasim me të gjitha periudhat e tjera të mëparshme", tha për BNR Valentin Sëjkov, kryetar i shoqatës "Iniciativa Civile Bullgaria 2050", e cila organizoi një forum diskutimi me ekspertë në lidhje me temën "A është kolapsi demografik i pakthyeshëm?”.

Në 10 vjet Bullgaria ka humbur 845 mijë njerëz, ose 11.5% të popullsisë, që është rënia më e madhe në të gjithë historinë tonë bashkëkohore, por edhe rënia më e madhe në krahasim me vendet e tjera evropiane. Nëse shoqëria bullgare nuk merr masa për t'u përballur me këtë katastrofë demografike, do të vijë dita kur shteti i Bullgarisë do të ekzistojë, por në të nuk do të ketë më bullgarë. Nuk mund të presim më të ashtuquajturën elitë politike për të zgjidhur problemin e krizës demografike. Është koha që shoqëria të fillojë të punojë për një strategji afatgjatë, të paktën për 3 dekadat e ardhshme, për zhvillimin e vendit, e cila vendos demografinë në vend të parë”.

Demografët për dekada me rradhë kanë paralajmëruar autoritetet shtetërore për tendencat e thellimit të këtij problemi, por nuk pati asnjë rezultat dhe zëri i tyre mbeti një zë i humbur në shkretëtirë, pranon Sëjkov. Ndërsa diskutimi i organizuar nga shoqata nuk kishte për qëllim të jepte një përgjigje apo zgjidhje konkrete, por të shërbente si një fushë e gjerë për diskutime mbi të ardhmen tonë, në të cilën është e rëndësishme që secili të mbajë një qëndrim.

Një nga shkencëtarët më të angazhuar në lidhje me këtë temë në vendin tonë është prof.as.Georgi Bërdarov, pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Gjeografisë të Universitetit "Shën Kliment Ohridski" dhe shkrimtar. Ai vetë pranon se ishte i befasuar nga "kjo rënie jashtëzakonisht e madhe" e numrit të bullgarëve.

"Ndoshta për këtë një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Pandemia, gjatë së cilës Bullgaria arriti nivele rekord të vdekshmërisë me një mesatare prej 20 veta në një mijë. Vlera të tilla vërehen vetëm në vendet afrikane dhe në zonat me konflikte të mëdha ushtarake."

Për 40 vitet e fundit, humbja e popullsisë në vend vlerësohet në më shumë se 2 400 000 njerëz – që është shifra më e madhe që nga koha kur kanë nisur regjistrimet në vendin tonë, që nga 1 janari 1881 në Principatën e Bullgarisë. Prof.as. Burdarov shpreh se gjëja më shqetësuese në këtë situatë është treguesi i moshës, i cili, sipas tij, është një bombë sociale.

“Ne jemi një vend me jetëgjatësinë më të ulët, sado e zhvilluar të jetë një shoqëri, ajo udhëhiqet nga popullata e re aktive e cila këtu është në një minimum kritik” - shpjegon pedagogu.

Përpos faktorit “vdekshmëri”, Georgi Bërdarov e konsideron si faktorin më të rëndësishëm për dinamikën demografike të Bullgarisë emigrimin e të rinjve. Një faktor tjetër kyç për rivitalizimin demografik të vendit tonë rezulton edhe zhvillimi ekonomik i vendbanimeve më të vogla.

“Duhet të krijohet një politikë e qartë e cila të fillojë në nivel shtetëror dhe lokal. Anjë familje e re me fëmijë të vogël nuk do të shkojë të jetojë diku, nëse nuk ka një qendër normale spitalore 50-100 km nga vendi ku jeton. Faktorët janë të shumtë. Arsimi është gjëja më e rëndësishme, por është vetëm hapi i parë"- thekson prof.as. Bërdarov dhe kujton se Bullgaria është shumë më e madhe se 111 000 km sipërfaqe.

“Mund të jetë një klishe shprehja se Bullgaria ndodhet kudo ku rreh një zemër bullgare, por kjo klishe është plotësisht e vërtetë – thotë shkrimtari demograf. – Bullgarët, sidomos ata në Evropë, ku udhëtoj shpesh, e mbajnë në zemër atdheun e tyre. Ata e duan Bullgarinë, vullnetarisht krijojnë shoqata bullgare dhe kanë një dashuri shumë të sinqertë dhe të pastër për atdheun. Kam parë fëmijë të lindur në një vend tjetër që këtë dashuri të vërtetë për Bullgarinë e bartin brenda vetes. Këta bashkëqytetarë do të ktheheshin po të shihnin se kushtet në Bullgari kanë ndryshuar dhe nuk janë më si ato që i nxitën për të emigruar, ata aktualisht nuk shohin kushte të tilla dhe prandaj nuk kthehen. Por ata mund të punojnë për Bullgarinë edhe nga larg.

Shpopullimi i Bullgarisë dhe plakja e popullsisë janë gjithashtu në fokus të projektit bullgar të Bienales së Arkitekturës të Venecias, e cila fillon më 20 maj. "Projekti shqyrton një sërë problemesh që ne duhet t'i zgjidhim në mënyrë që të jemi në gjendje të shohim përpara drejt së ardhmes" - shpjegoi Bozhidara Valkova, pjesë e ekipit të arkitektit Boris Tikvarski, përgjegjës për projektin bullgar.

Autore: Vesella Krësteva / nga intervista e Llora Tërkolevës, BNR-Horizont/

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: BTA, BGNES, BNR



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Gjeorgjia: tërheqja nga vlerat evropiane dhe përgjigja e mundshme e BE-së

Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së u mblodh për të diskutuar vendosjen e masave shtesë kundër autoriteteve gjeorgjiane lidhur me përdorimin brutal të forcës nga policia, ndalimin e protestuesve dhe liderëve të opozitës dhe persekutimin e synuar të..

botuar më 24-12-17 8.40.MD
Lojat me maska

Në Sofje hapet ekspozita "Thesaret e gjalla njerëzore - Bullgari"

Instituti i Etnologjisë dhe Folklorit me Muzeun Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave hap ekspozitën "Thesaret e Gjalla Njerëzore - Bullgaria" në qendër të Sofjes, nën kupolën “Largoto”. Ekspozita paraqet 44 elementët e trashëgimisë..

botuar më 24-12-17 5.55.PD

Një projekti ruan traditat dhe zakonet e bullgarëve të Bosilegradit

Shoqata "GLAS" - Bosilegrad mblodhi në një seri prej 25 video-raportesh histori nga e kaluara dhe e tashmja e shumicës së fshatrave të Bosilegradit të banuara nga bullgarë etnikë. Videot mund të ndiqen përmes portalit "Glaspress" dhe Agjencisë..

botuar më 24-12-16 4.04.MD