Lart mbi rrugën automobilistike për në fshatin Krepça të Bullgarisë Verilindore ndodhet një manastir i gdhendur në shkëmb. E themeluar në shekujt IX - X, ai është një nga banesat shkëmbore më të hershme në territorin e Bullgarisë. Uzbulua nga babai i arkeologjisë bullgare Karell Shkorpill në fillim të shekullit të X-të, por deri më sot ai nuk i ka zbuluar të gjitha sekretet e tij. Manastiri është i restauruar pjesërisht dhe është i hapur për vizita. Ai shtrihet në tri kate dhe dikur përbëhej nga një kishë, qeli murgjish dhe një kishë-varr. Kishte gjithashtu një çardak, ndoshta të mbuluar me një strukturë druri ose me ndërtim guri. Tarraca e mesme, ku ishte kisha e manastirit, aktualisht është e hapur për vizita.
Pasuria më e madhe e manastirit shkëmbor në Krepça janë mbishkrimet.
Ato janë në cirilike dhe janë rreth 20 në numër. Mes tyre, megjithatë, ekziston edhe një në gjuhën e lashtë hebraike - një mister që ende ngjall diskutime në qarqet shkencore. Dhe gjetja më interesante është një mbishkrim i vjetër në hyrje të kishës shkëmbore. Ai u zbulua në fillim të viteve 70-të të shekullit të XX-të. Në të lexohet: “Në vitin 921, shërbëtori i Zotit Anton vdiq në muajin tetor”.
Mbishkrimi është 9 rreshta, tre rreshtat e parë prej tij lexohen relativisht mirë, dhe ato në vijim përmbajnë shkronja dhe fjalë të veçanta, të cilat supozohet se përmbajnë informacion për vetë datën e vdekjes së këtij murgu dhe ndoshta edhe kohën e vdekjen, mësojmë nga Mirosllav Georgiev, kurator në Muzeun Historik Rajonal - Tërgovishte:
“Ky manastir u themelua nga një murg i quajtur Antonij ose Anton. Këtë e kuptojmë nga dy nga mbishkrimet në manastir. Ai e krijoi atë në fund të shekullit të IX-të dhe në fillim të shekullit të X-të dhe rreth tij u formua një vëllazëri prej 5 deri në 10 murgj. Antonij vdiq në vitin 921. Kjo pasqyrohet në një nga mbishkrimet, i cili duket të jetë mbishkrimi cirilik më i hershëm i gjetur deri më sot. Rreth 250 milionë njerëz në mbarë botën përdorin alfabetin cirilik. Dhe nuk kemi mbishkrim më të hershëm se sa viti 921!” – thotë Mirosllav Georgiev.
Përpara hyrjes së kishës-varr, në një lartësi prej 8 metrash, studiuesit hasën në një gjetje tjetër mahnitëse - një mbishkrim 5 rreshtash të ruajtur relativisht mirë. Me shkronja nja 2 - 3 centimetra të mëdha të gdhendura shumë mirë në gur, shkruhet në vijim: “Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Shën At Antoni prehet këtu †Dhe kushdo që bën hambar në kishë, le të përgjigjet përpara Zotit. Shkroi Mihailli i padenjë. Amen”. “Interesante është se Antonij në mbishkrim quhet “i shenjtë”. Është e mundur që pas vdekjes të jetë shpallur shenjtor, thekson Mirosllav Georgiev.
Mbishkrimi në kishën-varr zbulon gjithashtu një detaj interesant historik. Bëhet fjalë për atë që është shkruar: Dhe kushdo që bën hambar në kishë, le të përgjigjet para Zotit. “Nuk ka asnjë dokument tjetër të ngjashëm në epigrafinë bullgare” - pohon Mirosllav Georgiev dhe shton:
“Ato fjalë paralajmëruese mund të jenë drejtuar ndaj murgjve, që i lejuan vetes të përdorin mjediset e manastireve, ose të këtij manastiri të veçantë, për qëllime ekonomike dhe jo për adhurim ose veprimtari kishtare. Ekziston edhe një teori tjetër. Gjatë periudhës kur Mbreti Simeon i Madh zhvillonte luftëra në Traki, ka dëshmi të njohura që tregojnë se ai ka urdhëruar, që drithi për të ushqyer ushtrinë e tij të ruhet në kisha apo vendbanime të ngjashme shkëmbore” - shpjegon Mirosllav Georgiev.
Shihni më shumë manastire shkëmbore në këtë pjesë të Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Svetllana DimitrovaFotot: Veneta Nikolova, Mirosllav Georgiev, Kadir Kadirov
Autor i videos: Kadir Kadirov
Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..
Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..
Arkeologët studiuan një nekropol në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll. Perimetri në të cilin ndodhet është pjesë e historisë së Apolonisë Pontika dhe daton në shekullin e IV-të para Krishtit. “Kjo është një zonë me varrime interesante,..