Fshati Asenovo i Banatit, pranë qytetit Danubian të Nikopollit, u kthye si një destinacion kulinarie falë Marija Ivanovës, sekretare e bibliotekës vendase dhe iniciatore e palodhshme e aktiviteteve të ndryshme për ruajtjen e kulturës së Banatit. Ajo është organizatore e festivalit "Delikatesat e Banatit - traditat e fshatit tim", i cili çdo vit mbledh mjeshtër kuzhinierë nga e gjithë Bullgaria. Dhe pjatat e saj, të përgatitura sipas traditave të vjetra të Banatit, fitojnë vazhdimisht çmime nëpër organizime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Kush janë bullgarët e Banatit? Mund ta shihni këtu:
Të tërhequr nga lavdia e kuzhinës vendase, gjithnjë e më shumë turistë ndalojnë në Asenovo - kryesisht të huaj, të udhëhequr nga agjencitë turistike të kryeqytetit. Marija i pret me ushqime tunduese nga Banati. Por mbi të gjitha, ajo dëshiron t'i njohë të ftuarit e saj me kulturën dhe historinë e paraardhësve të saj.
“Bullgarët tanë të Banatit janë kthyer në Asenovo pasi kanë jetuar për më shumë se 200 vjet në kufijtë e Perandorisë Austro-Hungareze, duke ikur në vitin 1688 nga kryengritja e Çiprovit, thotë Marija. Por jeta e tyre në pjesën evropiane ka sjellë ndryshime në kuzhinën dhe kostumet e tyre. Ushqimi, brumërat dhe mishi i tymosur nga Asenovo janë diçka e ndryshme që dallon nga kuzhina bullgare. Për shembull, këtu bëhet një kozunak Pashkësh shumëngjyrësh, i cili bëhet me brumë të bardhë dhe të kuq. Gjyshet e vjetra thoshin dikur se e kuqja është si gjaku i Jezusit, e bardha është si trupi i Tij dhe kjo na ka mbetur si traditë”, thotë Marija.
Në oborrin e shtëpisë së saj në Asenovo, Marija ka vendosur një sofër të gjatë dhe e ka mbushur me lloje të ndryshme ushqimesh të mira të përgatitura nga vetë ajo. Turistët mbërrijnë dhe akomodohen në një vend me ajër të pastër dhe biseda të këndëshme. Ndërsa e zonja e shtëpisë është një burim i pashtershëm i recetave dhe historive interesante:
“Ne mirëpresim grupe nga Anglia, SHBA-ja, Australia, Rumania, Hungaria, Greqia... Dhe sigurisht që ushqimi që u ofrojmë është vetëm tradicional”, thotë Maria Ivanova. Shumë prej tyre janë të impresionuar nga ushqim i quajtur gallushki. Bëhen me vezë, kripë, zihen në supë të kriposur, kullohen, marinohen me piper të kuq dhe shërbehen të nxehta. Por ne këto gatime i përgatisim bashkë me të ftuarit. Ose gatuajmë pitën sallankareva (një ushqim tjetër tradicional) me turistët. Ne e quajmë kështu sepse ka sodë amoniaku. Bëhet me fruta të ndryshme - mund të bëhet me mollë, ftua, ose reçel kumbulle etj. Pas kësaj, të ftuarit me kënaqësi e shijojnë atë si ëmbëlsirë mbas drekës”.
Të shijshme dhe të lehta për t'u përgatitur janë të ashtuquajturat treski. Brumi bëhet me një vezë, një filxhan ujë, pak kripë dhe uthull. Duhet të shtohen dy lugë raki, sepse kështu brumi nuk e thith vajin, mësojmë nga Marija. Patatet, mishi i derrit dhe salloja, specat dhe piperi i kuq adhurohen në kuzhinën e Banatit.
Shumë i njohur është i ashtuquajturi dripavi pershore - laker e grire me mish te tymosur dhe proshute dhe me pak oriz per te thithur ujin nga lakra kur është duke zier, sigurisht që shtohet edhe piper i kuq. Me emër në kuzhinën e Banatit është edhe një sallam derri i tymosur dhe i përgatitur me një grup erëzash të veçanta.
Në shtëpinë e Marijas, turistët mund të mësojnë edhe për kostumet popullore të Banatit madje mund t'i veshin edhe për të bërë një selfie. Karakteristikë e veshjeve të grave nga Asenovo janë ornamentet dhe shamitë e mëdha me të cilat gratë mbështillen në mënyrë të veçantë. Në fund, mysafirët e Asenovos nuk harrojnë të ndalen pranë kishës katolike "Trinia e Shenjtë", e cila ruan një kopje të ikonës mrekullibërëse të Virgjëreshës së Shenjtë të Çiprovcit dhe vitin e ardhshëm do të ketë 100 vjetorin e saj.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Veneta Nikollova
Më 22 qershor mbi 30 kuzhinierë nga i gjithë vendi mblidhen në Montana për festivalin e kuzhinës popullore "Babina Dushica". Festivali i kuzhinës është pjesë e programit për kremtimin e festës së Montanës "Shpirti i Shenjtë" në Kopshtin e..
Myslimanët në Bullgari festojnë Kurban Bajramin. "Kurbani është një fjalë arabe që do të thotë “afrim”. Përmes kurbanit, myslimanët bëjnë gjithçka që është e mundur për t'iu afruar mëshirës së Allahut", tha kryemyftiu në Bullgari, Dr. Mustafa Haxhi, në..
Sot është sërish Dita e Arifes, e cila i paraprin çdo Bajrami, pavarësisht nëse është Ramazan apo Kurban Bajram. Myslimanët sot respektojnë të dashurit e tyre të vdekur dhe në çdo shtëpi, gratë gatuajnë brumë, prej të cilit bëhet ëmbëlsira të..