A mos ndoshta është e vogël Toka
A mos ndoshta ne fëmijët jemi shumë
Vetëm ne njerëzit dimë të urrejmë
Dhe nga njëri-tjetri dimë të ruhemi
Dhe nga ngjyra edhe besimi vetë përçahemi...
Fëmijët janë të mençur, jo të rriturit. Dëgjojini fjalët e tyre, fëmijët nuk janë zemërgur. Nëse Zoti do të bënte që kënga e fëmijëve të dëgjohej çdo minutë, ditë pas dite, në çdo cep të kësaj toke, mençuria do të dëbonte marrëzinë dhe mëshira do të shkrinte ndjenjat e ngrira.
Sa kufij do të vizatojmë
As emrat e njeri-tjetrit nuk i dimë
Gjithnjë e më e lehtë është bashkë të flasim
Por ne zgjedhim të debatojmë
Në vend që të falim – zgjedhim të lëndojmë...
Fëmijët e Ukrainës dërgojnë mesazhin e tyre të paqes përmes artit. Këndojnë, vizatojnë, shkruajnë poezi dhe besojnë se, ashtu si meloditë, imazhet dhe fjalët e shkëputura nga zemra e tyre, do të vijë dita kur nga dritaret e shtëpive nuk do të shpërndahen copat e xhamave dhe vetëm rrezet e diellit do të hyjnë të paftuara në dhomë.
"Bombarduan qytetin tonë fqinj - thotë Ivana Demirova, një bullgare etnike, mësuese vokale në Qendrën bullgaro-ukrainase "Media" në fshatin Kriniçnoe, rajoni i Bolgradit. - Shpresojmë shumë që fëmijët tanë të mos e përjetojnë këtë. Mundohemi t'i bëjmë të lumtur, t'ua kthejmë vëmendjen te e mira, te këngët. Prandaj këndojmë dhe studiojmë edhe në vendstrehim. Nuk mund t'i ndalim aktivitetet pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo luftë. Ne po përpiqemi të ecim përpara.”
Ivana Demirova qëndron stoike dhe nëpërmjet shembullit personal, përpiqet të vendosi sado pak rregull në botën kaotike në të cilën maturantët e saj për një vit e gjysme tashmë janë përpjekur të gjejnë një vend sigurie. Në Sofje, takojmë nxënësen e saj të vogël Varja - e gëzuar dhe e buzëqeshur, fituese e çmimit të madh në konkursin e këngës së Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit.
“Fëmijët tanë janë shumë të talentuar”, thotë me krenari Ivana Demirova, ndërsa pesëvjeçarja Varvara Trandafillova këndon përzemërsisht:
Le të kapim duart të gjithë për të luajtur rëçenica
Një-dy, një-dy-tre me këmbë trokit ti...
“Më pëlqen në Bullgari”, thotë vogëlushja. - Në shkollën bullgare mësojmë për ditët e festave. Ka shumë - Gjyshe Marta, Krishtlindja, festa e Kirillit dhe Metodit. Kur të kthehem në Ukrainë, do t’u tregoj se pyjet këtu janë të bukura. Ne nuk kemi pyje të tilla, por detin e kemi. Shpresoj të vij sërish në Bullgari vitin e ardhshëm”.
Varvara është vetëm një nga fëmijët që çdo të shtunë viziton Qendrën bullgaro-ukrainase "Media". Aty trajnohen në artin vokal edhe këngëtarët e vegjël të grupit “Karamellki”, të cilët dërgojnë një thirrje prekëse për të ndalur luftën. “Fëmijët vijnë, nënat i presin”, thotë Ivana Demirova.
“Këmbëngulim të besojnë në të bukurën, sepse nëse fëmija është në stres të pafund, nuk do të mund të punojë, të krijojë, të zhvillohet. Ne duhet t'i qetësojmë dhe t'u japim besim, jo ta përkeqësojmë situatën e tyre tashmë të rëndë. Ne u shpjegojmë atyre se ka gjëra që nuk duhet t'i shohin fare. Ne gjithashtu u themi atyre se paqja me siguri do të vijë, se të gjithë duhet të shpresojmë se herët a vonë do të arrijmë fitoren dhe pastaj do të vijnë ditë të mira për ta.”
Dhe deri atëherë, lufta do të vazhdojë të shkaktojë plagë. Disa nga plagët nëpër trup do të shërohen, por një gjë është e sigurt, të gjithëve do t'u plagoset shpirti. Por si shërohen plagët e padukshme?
“Nuk e di, nuk e di – përsëriti fjalët Ivana Demirova. - Ata janë ende fëmijë - ata shohin se çfarë po ndodh, por ata nuk ndjejnë dhe nuk kuptojnë plotësisht. Do të jetë shumë e vështirë, shumë e vështirë. Nuk do të kalojë lehtë. Unë vetë përqendrohem te fëmijët, grupi im këndon këngën "Fëmijët e Tokës" që ata të besojnë se do të ketë fitore, paqe dhe një jetë të qetë".
Njerëz, na dëgjoni, ju lutemi, pa luftë
Ndaloni, na shpëtoni
Nëna me lot në sy dhe fëmijë të vetmuar, kush ktë gjë e lejoi?
A do ta bëjmë këtë?
A do të bëhemi për pak të mirë?
Një vit më parë - disa muaj pas shpërthimit të luftës, nxënësja e klasës së dhjetë Adelina Hristova nga komuniteti i bullgarëve të Besarabisë në Bolgrad tha për Radio Bullgarinë:
“Më vjen shumë keq për nënën time Ukrainë. Çdo moment për ne mund të jetë i fundit. Ne nuk e dimë se çfarë na pret, kështu që ne jetojmë – gëzohemi me aq sa na jep jeta."
Një vit më vonë, dëshirat për fëmijët e Ukrainës mbeten ende të njëjta.
“Dëshirojmë që fëmijët tanë të kenë një fëmijëri të lumtur dhe një të ardhme të lumtur dhe me kolegët tanë bëjmë gjithçka që është në dorën tonë – thotë Ivana Demirova. - Ne duam që ata t'i kujtojnë mirë vitet e fëmijërisë, sepse ajo që ndodh sot do t'i shoqerojë ata për gjithë jetën. Ne duam që ata të këndojnë, të gëzohen, të kërcejnë, të buzëqeshin, por edhe të zhvillohen e realizohen në këto ditë shumë të vështira.”
Një vajzë pesëvjeçare ëndërron të kthehet në Bullgari vitin e ardhshëm për të kënduar një këngë të re.
Le t’i japim dorën njëri-tjetrit
Le ta ruajmë paqen si një lule
Le t'i buzëqeshim një të huaji
Të mos urrejmë, por të dashurojmë
Le të japim në vend që të marrim
Të gjithë jemi fëmijë të një Toke...
Foto: Qendra bullgaro-ukrainase "Media"
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...
Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..
Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..