Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Radio Bullgaria te bullgarët në Shqipëri

Ramona Tullumani: Në operën e Sofjes ndihem si Maria Callas

Ylli i operës së Shqipërisë për Radio Bullgarinë

Foto: Krasimir Martinov

Sopranoja e njohur shqiptare Ramona Tullumani është një nga artistet me të cilën mirëpresim vitin e ri 2024 në atmosferën e ngrohtë të Operës së Sofjes, në koncertin tradicional gala të Vitit të Ri (29, 30 dhe 31 dhjetor 2023), biletat për të cilin u shitën një muaj më parë. Ramona adhuron të këndojë në skenën e Sofjes, sepse e vlerëson publikun bullgar dhe sepse ka rrënjë bullgare. Stërgjyshi i saj Georgi Lillov ishte një inxhinier që punonte me arkitektin Llazar Parashkevanov gjatë ndërtimit të Teatrit të Operës së Sofjes në rrugën Vrabça. Ne zhvillojmë bisedën tonë me Ramonën në ambasadën bullgare në Tiranë, ku ajo gjithëmonë është një mysafire e nderuar dhe e mirëpritur.

"Gjyshja ime është bullgare. Një ditë, në skenën e Sofjes, ajo pa një bariton të bukur. Ky ishte gjyshi im - Ramiz Kovaçi, një këngëtar i njohur opere në Shqipëri, por edhe në Turqi, ku jetoi dhe ku kaloi vitet e fundit të jetës së tij. Të dy martohen, lind nëna ime Rajna dhe ata vijnë të jetojnë në Shqipëri. Pas kësaj linda unë...".

Kështu nis përralla e Ramona Tullumanit. Këngëtarja ka lindur në Tiranë më 5 korrik 1985. Në fëmijëri ka luajtur piano, më pas ka studiuar për kanto në Liceun e Arteve dhe më pas diplomohet në Akademinë e Arteve.

Ylli i operës Ramona Tullumani“Familja jonë ka qenë gjithmonë e lidhur me Bullgarinë”, vazhdon tregimin e saj Ramona. Gjyshja e saj e donte shumë Bullgarinë dhe gjithmonë i mungonte Sofja. Ajo përherë i fliste në bullgarisht, i tregonte përralla, i këndonte këngë. Kështu mësoi të fliste dhe të këndonte këngë për fëmijë në bullgarisht. E pyetëm nëse ka këngë të preferuar?

"Po, kam. "Lepurushi i bardhë, lunate gjithë ditën" (nisi të këndojë ajo)... Kjo është kënga ime e preferuar. Ia këndoja djalit tim, tani ia këndoj edhe vajzës sime."

Dashurinë e saj për operën Ramona e ka të trashëguar nga familja.

"Kam lindur në një shtëpi ku flitej gjithmonë për operën. Dhe nuk mund të mos dashurohesha me të. Kam pasur edhe mësues të mirë - gjyshin Ramiz dhe babain tim Edmond, gjithashtu një këngëtar opere shumë i mirë dhe i njohur. Pas konservatorit, për të përmirësuar veten, studiova në masterclass-in e Rajna Kabaivanskës në Sofje, isha pjesë edhe e masterclass-eve të tjera në Romë, Verona, Modena si dhe në Vjenë. Dhe pastaj u ngjita në skenën e madhe – të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. 

Nuk kaloi shumë kohë dhe bëra audicion edhe ne Sofje. Dhe sot jam soliste si ne Operen e Tiranes ashtu edhe ne Operen e Sofjes. Shpesh më të qeshur i them drejtorit të Operës së Sofjes, maestro Pllamen Kartallov, që në skenën e Sofjes unë e ndjej veten si Maria Callas. Këtë lloj respekti më falin njerëzit atje."

Gjëja më e rëndësishme për një artist është të këndojë me zemër dhe të punojë vazhdimisht mbi veten e tij – thotë Ramona, e cila tashmë ka kënduar dhe vazhdon të performojë në teatrot më të mëdha të operës në Evropë dhe Amerikë. "Për t'u bërë një këngëtare e mirë, duhet shumë punë dhe këmbëngulje," na thotë ajo dhe ndan kujtimet e masterclass-it me Rajna Kabaivanskën në Sofje:

"E vlerësoj shumë Rajna Kabaivanskën. Ajo më thoshte se kam zë të bukur, diapazon të gjerë dhe më këshillonte të jem e kujdesshme. Ishte e rreptë, kërkuese. Më thoshte - duhet të jesh më e dobët, je shumë e mbushur, me këtë bark nuk këndon dot. Epo, unë isha vërtet shumë më e mbushur se kjo që jam sot (thotë duke qeshur ajo)..."

Gena Dimitrova është sopranoja tjetër bullgare që la gjurmë në zemrën e Ramona Tullumanit. “Madhështore” – kështu e përshkroi ajo.

Me ekipin e Radio Bullgarisë në TiranëE pyetur në lidhje me bullgarishten dhe si ajo e ka ruajtur gjuhën:

"Me ndihmën e nënës sime. Ne flasim shumë bullgarisht me të, ajo është përkthyese e shumë librave bullgare. Unë shpesh u flas bullgarisht edhe fëmijëve të mi. Megjithatë, e di që kjo nuk mjafton. Koha nuk është asnjëherë e mjaftueshme.Vajza ime është akoma e vogël, dy vjece, por djali im di shumë fjalë në bullgarisht. Ai mund të kuptojë dhe të bëjë pyetje - si je, cfarë po bën... Edhe atij i pëlqen të vij me mua në Sofje, për të më parë kur bëj prova në opera. Do të doja të merrja edhe vajzën time, por udhëtimi me makinë është i lodhshëm për fëmijët e vegjël - 8-9 orë. Nëse do të kishte linjë direkte avioni midis Sofjes dhe Tiranës, do të ishte më ndryshe. Por kjo ide vazhdon të shtyhet."

Në fund të bisedës sonë, Ramona Tullumani na ftoi të gjithëve për të shijuar performancat e saj në Sofje:

"Do të jetë një kënaqësi e madhe për mua që të presim vitin e ri së bashku në koncertin gala të vitit të ri të Operës së Sofjes më 29, 30 dhe 31 dhjetor. Jeni të mirëpritur! Ju dua! Dëgjoni Radio Bullgarinë. Dhe gëzuar vitin e ri!"

Mund ta dëgjoni intervistën me Ramona Tullimanin në bullgarisht këtu.

Foto: Krasimir Martinov, arkiva personale e Ramona Tullumanit

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Denica Gruber dhe jeta e saj kushtuar ilustrimit në Gjermani

Pothuajse çdo fëmijë ka dëshirën dhe aftësinë për të vizatuar. Sa i përket talentit, ndonjëherë duhen vite që ai të vihet re dhe të vlerësohet. Sidomos nëse ndodh që të rritesh në Bullgari në agimin e demokracisë. E tillë është historia e bashkatdhetares..

botuar më 24-07-19 7.30.PD
Tervell-Ljubomir Bojanov

Si Tervell-Ljubomir ndjek ëndrrat e tij më të guximshme si zbulues në Bullgari

Kurioziteti për botën përreth nesh dhe një dëshirë e pandërprerë për të ecur përpara dhe për të kuptuar se çfarë fshihet pas çdo hapi të ri dhe përparimi në shkencë - ky është filli kryesor i përparimit për një shkencëtar shumë të ri në Bullgari...

botuar më 24-07-16 7.30.PD

Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello: Shqiptarët janë një popull tolerant dhe i vlerësojnë bullgarët

Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe në Shqipëri gjuha bullgare studiohet në mënyrë akademike. Lektorati jonë është pjesë e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe prej disa..

botuar më 24-07-09 7.30.PD