Më pak se 100 ditë kanë mbetur deri në zgjedhjet për përfaqësuesit në Parlamentin Evropian, të cilat do të zhvillohen në kontekstin e luftës në Ukrainë, inflacionit dhe kërcënimit të dezinformimit. Cilat janë prioritetet e votuesve europianë?
Pesë kriza të mëdha kanë prekur jetën e evropianëve në vitet e fundit: lufta në Ukrainë, pandemia e koronavirusit, kriza e migracionit, trazirat ekonomike globale dhe ndryshimet klimatike. Pasojat e tyre, në një mënyrë apo tjetër, do të reflektohen në zgjedhjen e votuesve në qershor, kur ata do t'i japin mbështetjen e tyre një prej familjeve politike.
Një sondazh i shoqatës “Reseco” bën të qartë se temat më të rëndësishme për votuesit evropianë janë pesë: politika bujqësore dhe tregtare, pavarësia e energjisë dhe ndryshimet klimatike, politika e zgjerimit, politika e migracionit dhe siguria. Drejtori ekzekutiv i “Reseco Bullgaria” Martin Stojanov shpjegon:
“Javët e fundit, kemi parë protesta mjaft të ashpra nga ana e fermerëve dhe blegtorëve kundër vendosjes së rregulloreve në lidhje me futjen e politikave të gjelbra, të cilat e rritin çmimin e produkteve të tyre, ose i bëjnë fermerët të pakonkurrueshëm në krahasim me ata në vendet, ku këto rregullore nuk funksionojnë. Për këtë temë, tashmë ka disa vendime kompromisi nga Komisioni Evropian, qeveritë, disa shtete anëtare dhe për shkak të reagimit që patën protestat dhe të shqetësimeve që ato krijuan në disa shtete anëtare, të lidhura, për shembull, me bllokadat e infrastrukturës. Për ne ky është një prioritet absolut, i cili nëse nuk zgjidhet deri në fund të fushatës zgjedhore, do të sillte një votim të rëndë penalizues ndaj partive që aktualisht e dominojnë këtë sferë në Parlamentin Europian. Rezultati kryesor i zgjedhjeve të 2019-ës ishte vala e gjelbër që përfshiu Evropën. Ajo arriti kulmin me miratimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, e cila parashikonte që Evropa të bëhej një lider botëror në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Qëndrimet për parlamentin e ardhshëm janë tashmë në anën tjetër të spektrit politik. Sipas të dhënave sociologjike, partitë e gjelbra janë ato që do të jenë humbësit e mëdhenj në zgjedhje. Këtë e shpjegon fakti se politikat e gjelbra i bëjnë disa fusha të prodhimit dhe biznesit jashtëzakonisht të shtrenjta, gjë që çon në humbje të mëdha. Pas krizës së luftës në Ukrainë, pas pandemisë, shohim që në rendin e ditës për njerëzit është siguria në formën më të pastër, si dhe siguria ekonomike, siguria e të ardhurave, e biznesit.
Për sa i përket politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian, në fund të vitit të kaluar në Këshillin Evropian, në dhjetor, pamë një shpejtësi të paprecedentë për të çuar përpara procedurën e anëtarësimit të disa vendeve, si Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia. Çështja e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian në këtë drejtim është ende në tavolinë. Për shkak se mbi 50 për qind e evropianëve janë "për" anëtarësimin e këtyre vendeve, ka pritshmëri ndaj përbërjes së ardhshme të komisionit dhe parlamentit se si do ta trajtojnë zgjerimin e Bashkimit, sepse këta popuj, këto vende i përkasin Evropës. Kjo është vetëm çështje kohe dhe jo nëse këto vende do të bashkohen.
Sa për politikën e migracionit – pakti i ri për migracionin dhe azilin do të zgjidhë në masë të madhe problemet urgjente që lidhen me migracionin, të cilat kanë mbizotëruar diskursin publik në Evropë për gati dhjetë vjet. Nga ana tjetër, kjo është arma më e madhe, avantazhi i madh i partive të ekstremit të djathtë, të cilat po fitojnë pozicione mjaft serioze në të gjithë Evropën. Dhe ne besojmë se pikërisht për këtë arsye kjo temë do të jetë qendrore gjatë debatit parazgjedhor, pasi partitë e forta kanë interes të madh që kjo temë të dominojë dhe do ta fusin atë në rendin e ditës.
Prioriteti i tretë është siguria. Lufta në Ukrainë ka treguar se Evropa duhet të rindërtojë aftësitë e saj mbrojtëse dhe të përshpejtojë prodhimin e armëve dhe municioneve, duhet miratuar një strategji e përbashkët evropiane embrojtjes, duke pasur parasysh faktin se zgjedhjet presidenciale në SHBA po vijnë në vjeshtë dhe është e rëndësishme, pavarësisht nga rezultati i tyre, Evropa ta garantojë sigurinë e vet.”
Deri në çfarë mase mund të presim një rirregullim të hartës politike në Parlamentin Evropian dhe një "efekt pasqyrë" të zgjedhjeve evropiane nga zgjedhjet kombëtare në vendet evropiane ku ka mbështetje në rritje për partitë e ekstremit të djathtë, si Holanda dhe Italia për shembull?
“Shpesh shumica e votuesve përsërisin zgjedhjen e tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe në ato evropiane dhe rrjedhimisht është jashtëzakonisht e mundshme që kjo valë e ekstremit të djathtë që ka përfshirë disa vende anëtare, si Holanda, të reflektohet edhe në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.”
Në një kontekst më të gjerë, cilat janë ndryshimet në qëndrimet ndërmjet vendeve në mesin e votuesve në zgjedhjet evropiane?
“Për bullgarët, për shembull, prioriteti kryesor do të jenë çështjet dhe problemet që lidhen me financat personale dhe të ardhurat, pasi Bullgaria është një nga vendet më të varfra të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, në Gjermani prioriteti kryesor janë ndryshimet klimatike dhe pavarësia energjetike, pasi njerëzit atje kanë një standard jetese shumë më të lartë, krahasuar me atë në Bullgari dhe është logjike që ata të shqetësohen më shumë për këtë lloj problemi. "
Çfarë kandidatësh të familjeve politike duan të shohin votuesit, çfarë cilësish presin të shohin njerëzit për të shkuar në votim? A prisni që Ursula von der Leyen të fitojë sërish dhe si do të duket sipas jush mandati i saj i dytë?
“Evropa po përjeton një krizë të lehtë lidershipi. Do të thosha se profili i njerëzve që kërkohen për të plotësuar si pozitat kryesore drejtuese në Komisionin Europian, ashtu edhe vendet parlamentare në Parlamentin Europian është të jenë personalitete të forta që mbrojnë interesat e Bashkimit Europian, që do të merren me rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës, që janë në gjendje të kundërshtojnë Rusinë, të ndalojnë ambiciet e saj perandorake, njerëz që mund të garantojnë sigurinë e Bashkimit, si dhe zgjerimin e mundshëm të tij në mandatin e ardhshëm. Për sa i përket rolit të kryetarit të komisionit, nga të dhënat që disponojmë, duket se një mandat i dytë për Ursula fon der Lyen është ndoshta zhvillimi më logjik. Unë do të thosha se kolegjiumi i ardhshëm i komisionit ndoshta do të jetë pak më konservator, duke pasur parasysh faktin se nuk do të shohim një shtytje të tillë drejt politikave progresive, apo të gjelbra, por më tepër do të shohim politika që lidhen me vendosjen e sigurisë dhe rendit në Bashkimin Evropian.”
Si duhet të duket një fushatë e suksesshme zgjedhore e PE në mënyrë që të votojnë më shumë njerëz?
“Mënyra më e mirë për të përfshirë njerëzit në fushatë është të shpjegohen gjërat më themelore me të cilat merret Parlamenti Evropian dhe çfarë bëjnë në të vërtetë përfaqësuesit e Parlamentit Evropian. Shoqëria, si në Bullgari ashtu edhe në mbarë Evropën, nuk është mjaft e informuar. Votuesit nuk janë të bindur saktësisht se çfarë bëjnë njerëzit në Parlamentin Evropian, për të cilët kanë votuar. Prandaj duhet të flasim për politika, të flasim për vlerat, për prioritetet dhe të mos biem në një retorikë që lidhet me futjen e frikës dhe konfuzionit në popullatë, e ashtuquajtura "fushatë e zezë PR", siç parimisht ndodh në Bullgari kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Kjo do të ishte një recetë e mirë për rritjen e pjesëmarrjes në votime. Është e rëndësishme të theksohet se në zgjedhjet e fundit të vitit 2019 u arrit pjesëmarrja më e lartë që nga viti 1994. Mendimi im personal është se pas krizave që kemi përjetuar në Europë vitet e fundit, qytetarët do të kenë një motivim të fortë për të votuar. Pra, natyrisht ne presim që pjesëmarrja e votuesve të rritet, por duhet theksuar roli dhe funksioni i Parlamentit Evropian në familjen politike të institucioneve evropiane.”
Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje, pse njerëzit duhet të votojnë në to dhe të jenë më të interesuar për politikën panevropiane?
“Është e rëndësishme që ata të votojnë, pasi Bullgaria është anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. Ne jemi pjesë e Evropës dhe kjo është shprehja më e drejtpërdrejtë e aktivitetit politik dhe pjesëmarrjes në proceset vendimmarrëse. Është e drejta e tyre, detyra e tyre dhe nëse në të vërtetë duan ta përcaktojnë fatin e tyre, përfaqësuesit e tyre, më e pakta që mund të bëjnë është të votojnë dhe të informohen.”
Në një sondazh në lidhje me zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian në qershor, studentët nga Universiteti Teknik në Sofje ndanë prioritetet e tyre dhe propozuan që institucionet evropiane të punojnë mbi programe për t'i ndihmuar ata për të gjetur një punë. Studentët shprehën gjithashtu dëshirën e tyre për të hequr tarifat për arsimin e lartë në universitete. Shumica e tyre përfitojnë, ose synojnë të përfitojnë nga programet evropiane, si Erasmus. Nga ana tjetër, studentët më tepër nuk janë të interesuar për nismat dhe kauzat legjislative të mbrojtura nga partitë politike individuale në PE.
Megjithatë, sondazhet e fundit mbi qëndrimet e votuesve evropianë tregojnë se interesi për zgjedhjet evropiane është në rritje.
Jaume Duch Guillot – Zëdhënësi i Parlamentit Evropian:
“Rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe për president të SHBA-së do të përcaktojë drejtimin e asaj që do të ndodhë në Bashkimin Evropian dhe në vendet fqinje në vitet e ardhshme. Është e qartë se këto zgjedhje evropiane janë shumë më politike se ato të mëparshme”.
Mos u dorëzoni pas cinizmit dhe apatisë dhe merrni pjesë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, bëri thirrje presidentja e institucionit, Roberta Mezzola:
“Në periudhën 6-9 qershor 2024, qytetarët e vendeve anëtare do të kenë të drejtën e votës. Demokracia e Bashkimit Evropian është më e rëndësishme se kurrë. Vota juaj ka rëndësi. Ajo do të përcaktojë drejtimin që do të marrë Bashkimi ynë dhe do të vendosë se çfarë lloj Europe dëshironi të shihnim. Marrim më shumë kur jemi bashkë. Ne pamë zjarrfikës rumunë në Spanjë, pacientë nga Franca që merrnin kujdes shëndetësor në Luksemburg, shpëtimtarë nga Sllovenia që ndihmonin në Itali, specialistë kibernetikë nga Estonia që na siguronin mbrojtje të gjithëve. Ky është solidariteti. Kjo është Evropa, një Evropë që nuk mund ta konsiderojmë thjesht si një dhuratë.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: arkiv, EPA/BGNES, BNR
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Pak ditë më parë në Bllagoevgrad u pikturua një grafiti-mural shumëngjyrësh i krijuar në lidhje me 20-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vepra e artit të rrugës u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë,..
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën Prokopij i Varnës”, me takime çdo mbrëmje në orën 17.00. Një vëmendje e veçantë i kushtohet..
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit të Betejës së Slivnicës , shkaktoi pakënaqësinë e qindra bullgarëve. Ata protestuan para..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..
Banorët e qytetit Pleven të Bullgarisë Veriore do të përcjellin vitin 2024 me një Qytezë Krishtlindjesh dhe takime me Plakun e Krishtlindjeve. Programi..
Modernizimi i aftësive të të menduarit kritik, verifikimi i fakteve dhe shkrim-leximi mediatik janë thelbësore për shoqërinë, veçanërisht për të rinjtë..