Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Reagime të stuhishme në Ballkan pas rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë


Reagime të stuhishme në Ballkan shkaktoi rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën 11 korriku u shpall Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave në enklavë. Rezoluta, e propozuar nga Gjermania dhe Ruanda, dy vende që gjithashtu përjetuan gjenocidin në shekullin e XX-të, u votua me 84 vota "pro", 19 "kundër" dhe 68 "abstenime". Ndër vendet që votuan “kundër” janë Bjellorusia, Kina, Kuba, Hungaria, Rusia dhe Serbia. Dokumenti shkaktoi protesta në Serbi, Republika Srëpska dhe Malin e Zi. Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, e cilësoi rezolutën si “fitore të së vërtetës”. Pa demonstrata masive, familjarët e viktimave të masakrës në Srebrenicë e mirëpritën rezolutën, njoftoi BNT. Më 11 korrik do të bëhen 29 vjet nga hyrja e njësive serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç në enklavën myslimane të Srebrenicës pas disa sulmeve të formacioneve myslimane ndaj serbëve. Gjatë operacionit në vitin 1995, u vranë më shumë se 8 mijë myslimanë - burra dhe djem.

Në Greqi identifikuan 18 viktima të nazistëve 83 vjet më vonë

Tetëmbëdhjetë civilë që u ekzekutuan në ishullin grek të Kretës gjatë Luftës së Dytë Botërore u identifikuan 83 vjet më vonë përmes analizës së ADN-së në Laboratorin e Gjenetikës Paleogjenomike dhe Evolucionare të Institutit të Biologjisë Molekulare dhe Bioteknologjisë në Greqi, shkruan gazeta greke "Katimerini". Burrat e moshës nga 16 deri në 60 vjeç nga fshati Adele u ekzekutuan më 2 qershor 1941 pas Betejës së Kretës nga ushtarët e Rajhut të Tretë. Drejtuesi shkencor i studimit të parë të këtij lloji në Greqi, Nikos Poullakakis, thotë se nazistët u jepnin viktimave lopata dhe të afërmit e tyre mendonin se po i çonin në një kamp përqendrimi ose në punë të detyruar. Megjithatë, ata u dërguan në zonën e Sarakinës dhe u detyruan të hapnin gropën që u bë varri i tyre masiv. Të afërmit e tyre arritën t'i gjenin eshtrat e tyre disa ditë më vonë dhe i zhvendosën në një varr tjetër. Në vitin 1960, eshtrat u zhvarrosën, por në atë kohë nuk ishte e mundur të identifikoheshin. “Katimerini” thekson se nga qershori deri në gusht 1941, ushtarët e Rajhut të Tretë masakruan rreth 2000 njerëz në ishull.

Në Rumani, kandidatë nga 23 deri në 100 vjeç do të konkurrojnë në zgjedhje

Në Rumani, më 9 qershor të këtij viti, mbi 207 000 kandidatë do të konkurrojnë në zgjedhjet lokale dhe 494 - për Parlamentin Evropian, njoftoi BTA. Kandidati më i ri është 23 vjeç dhe më i moshuari 100 vjeç. 18 955 qendra votimi do të hapen në vend, dhe jashtë vendit – një numër "rekord", sipas kryetarit të Organit të Përhershëm Zgjedhor të Rumanisë Toni Grebla, 915 qendra votimi krahasuar me 450 në zgjedhjet e mëparshme evropiane në 2019. Shumica do të jenë në vendet me numrin më të madh të shtetasve rumunë. Në Itali do të ketë 150 seksione, në Britaninë e Madhe - 147, në Gjermani - 104, në Francë - 66, në Moldavi - 52, në SHBA - 48. Dita e zgjedhjeve në Rumani do të fillojë në orën 07:00 dhe do të përfundojë në orën 22:00, por për personat që presin të votojnë, do të jetë e mundur të zgjatet deri në orën 23:59.

Serbia nisi ndërtimin e centralit të saj më të fuqishëm diellor

Kompania izraelite Nofar Energy nisi ndërtimin e termocentralit më të madh diellor në Serbi me kapacitet 26 megavat. Investimi në afërsi të qytetit Senta, rajoni i Vojvodinës, në një sipërfaqe prej 30 hektarësh, kap vlerën e 25 milionë eurove me një prodhim vjetor të pritshëm të energjisë elektrike që mbulon afërsisht nevojat e më shumë se 9000 familjeve. Impianti duhet të lidhet me rrjetin elektrik të vendit deri në fund të vitit, njofton agjencia “Tanjug”. Pritet të reduktojë emetimet vjetore të dyoksidit të karbonit me 25 000 ton.

Turqia po lufton kundër një rënie të paprecedentë të lindshmërisë

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave Turke (Türkstat), nëse në vitin 2001 në Turqi kishte mesatarisht 2.38 lindje për grua, në vitin 2023 ato bien në një mesatare prej 1.51 lindje të gjalla për grua në moshë për të lindur fëmijë. Në përpjekje për të zbuluar arsyet dhe për t'u përballur me rënien e paprecedentë të lindjeve, Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale ndërmori një iniciativë për të kryer anketa speciale në qytetet Karabjuk, Zongulldak dhe Bartën, ku lindshmëria është më e ulëta, si dhe në Izmir, Antalia dhe Karaman, ku përqindja e divorceve është e lartë. Në bazë të rezultateve do të hartohet një plan veprimi për këto rajone. Ndër masat e konsideruara për stimulimin e lindjeve është propozimi për zgjatjen e pushimit të amësisë nga katër muaj në një vit.


Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Reuters, Gazeta “Kathimerini”, BTA, Tanjug, voaturkce.com


Më shumë nga rubrika

Foto: Qendra e Shtypit e Presidencës

Republika e Maqedonisë së Veriut dëshiron të përfshijë bullgarët në kushtetutë pas hyrjes në BE

Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..

botuar më 24-11-20 9.49.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Athina do të modernizojë ushtrinë greke deri në vitin 2030 Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, prezantoi para partive në parlament planin e ndryshimeve në ushtri. Reformat do të përfshijnë të tre llojet e trupave. Deri në vitin 2030 Do..

botuar më 24-11-16 10.30.PD
Presidentët Rumen Radev dhe Gordana Siljanovska

Presidenti Rumen Radev u takua me Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska

Presidenti Rumen Radev u takua në Baku me Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska, njoftoi BNT. Në fillim të bisedës, Radev falënderoi Siljanovskën për ftesën dhe theksoi se takimi është një vazhdim i rëndësishëm i..

rinovuar më 24-11-13 3.48.MD