Minoriteti turk në Trakinë Perëndimore është një prioritet për Ankaranë
Problemet e pakicës turke në Trakinë Perëndimore janë prioritet për Turqinë në dialogun e saj me Greqinë. Ankaraja do të vazhdojë të kujdeset për "bashkatdhetarët e saj" atje, si dhe për "të drejtat e uzurpuara" të turqve qipriotë. Këtë e deklaroi presidenti turk Rexhep Erdogan, cituar nga BTA. Erdogan theksoi se Ankaraja po shfrytëzon "dialogun në zhvillim" me Greqinë në kontekstin e "mbrojtjes së të drejtave të pakicës turke në Trakinë Perëndimore". Në rajonin grek të Trakisë Perëndimore (në pjesën verilindore të vendit, pranë kufirit turk) jeton një pakicë e rëndësishme dhe e vendosur prej kohësh aty, të cilën Turqia e përcakton si turke dhe Greqia si myslimane, sipas Traktatit të Paqes së Lozanës, në të cilin pakicat nuk përcaktohen sipas përkatësisë etnike, por në bazë fetare. Të drejtat civile dhe e drejta për arsimim të këtij minoriteti janë shpesh shkaku i sulmeve të Turqisë ndaj Greqisë, ndërsa Greqia mohon me vendosmëri se të drejtat e myslimanëve shkelen dhe reagon ashpër kur ata përcaktohen si turq.
Rumania zbuloi potencialin për t'u bërë një qendër rajonale e energjisë
Rumania ka potencialin për t'u bërë një qendër e rëndësishme rajonale e energjisë, dhe investimet e SHBA në këtë sektor do të kontribuojnë për këtë qëllim. Këtë e bëri të ditur kryeministri rumun Marçell Çollaku pas një takimi me Sekretaren amerikane të Energjisë, Xhenifër Granholm. Përfaqësuesja amerikane ndodhet në Bukuresht për të marrë pjesë në një takim ministror të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Fushën e Energjisë dhe Klimës (P-TECC), njofton BTA. Çollaku theksoi bashkëpunimin e Rumanisë me SHBA-në për një projekt për ndërtimin e dy reaktorëve të rinj në Centralin Atomik Elektrik “Çerna Voda”, i cili aktualisht ka dy njësi operative me reaktorë kanadezë CANDU, dhe për një investim në reaktorë të vegjël modularë në Termocentralin “Doiçesh”. Falë partneritetit midis Kompanisë Rumune “Nuclearelectrica”, e cila menaxhon Centralin Atomik Elektrik “Çerna Voda”, dhe kompanive amerikane NuScale dhe Fluor, ish-centrali me qymyr në Doiçesh shndërrohet në një termocentral modern bërthamor, dhe Rumania shfaqet si një "pionier në këtë fushë”.
Për 10 vjet, paga mesatare në Serbi u rrit nga 330 në 855 euro
E përshtatur me euron, paga mesatare në Serbi u rrit në 855 euro sipas të dhënave për muajin maj dhe vetëm 10 vite më parë ishte 330 euro. Këtë e bëri të ditur presidenti serb Aleksandër Vuçiç në rrjetet sociale, duke saktësuar se këto të dhëna tregojnë se vendi është në rrugën e duhur. Në Beograd paga mesatare është 1075 euro, në Novi Sad - 982 euro, në Nish - 813 euro. Synimi i pushtetarëve në Beograd është që deri në vitin 2027, paga mesatare në Serbi të bëhet 1400 euro.
Me 80 milionë euro, KE mbështet aksesin e grekëve në internet më të shpejtë
Komisioni Evropian (KE) i jep Greqisë 80 milionë euro për t'i siguruar asaj internet më të shpejtë. Euro-ndihma jepet në formën e kuponëve për internet me shpejtësi të lartë për individët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, njoftoi korrespondentja e BNR Katja Peeva. Një sondazh që përfshin 38 vende e vendos Greqinë në vendin e 29-të për sa i përket shpejtësisë së internetit. Të dhënat tregojnë gjithashtu se grekët duhet të punojnë 6 herë më shumë se bullgarët për të blerë një gigabajt për celularin e tyre. Shpejtësia e internetit fiks në Greqi është sa gjysma e asaj në Bullgari, ndërsa shpejtësia e internetit në celular është 36% më e ulët. Edhe tarifat për internetin fiks janë tepër të larta në krahasim me të ardhurat e qytetarëve. Kuponët evropianë do të mbulojnë vetëm gjysmën e kostos së aksesit në internet me shpejtësi të lartë.
Në Kroaci duan që Gjiri i Detit Karin të hyjë në Librin Guinness
Kroacia do të aplikojë për Librin e Rekordeve Guinness, ku dëshiron të njihet se ka detin më të vogël në botë pranë brigjeve të saj. Bëhet fjalë për Detin Karin me një sipërfaqe prej afërsisht 6 km katror. Edhe pse në fakt është një gji që ndodhet 30 km në lindje të qytetit Zadar, vendasit e quajnë det. Këtë e njoftoi Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), duke saktësuar se disa gjire të thellë përgjatë bregdetit kroat të Adriatikut janë quajtur prej kohësh dete - Deti Novigrad, Deti Vir, Deti Murter. Hyrja në Librin e Rekordeve Guinness do të sigurojë mbrojtjen e zonës dhe promovimin e turizmit. Aktualisht, Deti Marmara në Turqi njihet si deti më i vogël në botë.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: cnn.com, ceenergynews.com, blic.rs, unsplash, TZ Obrovac
Një parlament edhe më shumëngjyrësh u përvijua nga vota e zgjedhësve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 tetorit. Parashikimet fillestare ishin për një Kuvend Popullor me 9 parti, por rezultatet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)..
Një tjetër zgjedhje e parakohshme është tashmë pas nesh, por përtej pjesëmarrjes paksa të rritur të votuesve, krahasuar me votat e qershorit të këtij viti, është ende e vështirë të parashikohen konfigurimet politike që do t'i japin një shans formimit..
Partia MEÇ, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare, do të jetë lojtari i ri në parlament. Shkurtesa MEÇ vjen nga fjalët bullgare moral, edinstvo, çest (morali, uniteti, nderi). Partia u themelua në tetor 2023 nga avokati,..
Deputetët bullgarë dëshmuan në praktikë thënien se nëse përsëritet e njëjta gjë, nuk mund të pritet një rezultat tjetër. Sot ata u mblodhën në sallën..