Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Muzeu Etnografik Rajonal në Plovdiv po ndihmon në ringjalljen e zanatit të lashtë të punimeve të paendura

Qilimat e paendur të trojeve tona dallohen për nga ngjyrat e pasura, simbolet dhe bukuria

Foto: Muzeu Etnografik Rajonal- Plovdiv

Produktet e bëra prej leshi ngjallin ndjenjën e rehatisë dhe ngrohtësisë së brendshme tek vizitorët e Muzeut Etnografik Rajonal të Plovdivit.

Ekspozita “Qilimat e paendur të Bullgarisë – mesazh nga lashtësia” paraqet një zanat të lashtë, që besohet se është sjellë në trojet tona nga bullgarët e lashtë.

"Felti - ky është një tekstil jo i endur që bëhet duke shtresuar leshin - thotë Grozdelina Georgieva, kuratore në muze. - Vendosen shumë shtresa, ndërsa produkti mund të jetë njëngjyrësh, si dhe me shumë ngjyra dhe modele. Qilimat e Koprivshticës, për shembull, janë jashtëzakonisht shumëngjyrëshe dhe përmbajnë simbole bazë si ylli - rojtari i familjes, rozeta, dielli, figurat që simbolizojnë vazhdimësinë e familjes dhe që përshkruajnë lumin e jetës. Të gjitha këto dëshira nuk shprehen me fjalë, por përmes mjeteve shprehëse të pëlhurës.


Rrobat, rripat, këpucët, mbulesat bëhen përmes kësaj teknike. Në përgjithësi, çdo gjë që mund të krijohet nga pëlhura e zakonshme, mund të bëhet edhe përmes kësaj teknike. “Këtu nuk keni nevojë për pajisje, vetëm duar, ujë dhe sapun”, shton Grozdelina Georgieva.

“Kur punohet me ngjyra, çdo vijë e ka një kuptim, aq më tepër që prodhimet bëhen shpesh si dhuratë në dasmë – vazhdon kuratorja. – Për natën e parë të martesës, të porsamartuarit mernin një qilim të bekuar nga ku të fillonte krijimi i familjes së re dhe të sigurohej vazhdimësia e fisit. Shumë shpesh dielli vendoset si simbol qendror në qilim.

Artikuj më të vegjël për përdorim shtëpiak si pantofla, mantele, rroba dikur i bëheshin edhe nga gratë. Megjithatë, zejtarë të aftë konsideroheshin të ashtuquajturit në bullgarisht “drëndari”- burra që udhëtonin fshat më fshat dhe bënin detyrat më të vështira.

"Punimet e mëdha si qilimat bëheshin nga burra që dihej paraprakisht cilin fshat dhe cilën shtëpi do të vizitonin - thotë Grozdelina Georgieva. – Të zotët e shtëpisë duhej të përgatisnin të gjitha lëndët e para në mënyrë që drëndarët të mund ta mbaronin qilimin e madh për disa ditë, i cili më vonë jepej si dhuratë ose si pajë për vajzën e re që martohej. Kështu që kjo është vërtet një punë e mundimshme."

Sipas studiuesit hungarez Ishtvan Vidak, i cili merrej edhe me punime qilimash të paendur dhe i cili ka udhëtuar në mbarë botën dhe ka përvetësuar njohuri nga popuj të ndryshëm, punimet e paendura të trojeve tona dallohen për nga ngjyrat e shumta, simbolet dhe bukuria. Punimet e paendura janë kryesisht punime të dy shkollave më të shquara - në Vidin dhe në Koprivshtica. Në territorin tonë janë gjetur punime nga fillimi dhe mesi i shekullit të XVIII-të, por më pas tradita përhumbet për një kohë të gjatë.

Që nga viti 2007, Muzeu Rajonal Etnografik në Plovdiv gradualisht filloi të ringjallte zanatin, duke mbledhur mjeshtra në oborrin e tij.

Për momentin kemi gjashtë mjeshtra të punimeve të paendura, të cilët janë edhe të preferuarit e fëmijëve. Asnjë fëmijë nuk refuzon të punojë me lesh dhe ujë dhe të bëjë figura, gështenja të egra, gjerdane. Fëmijët janë pjesëmarrësit e preferuar në punëtoritë tona, shumë prej tyre bëhen nxënës të mjeshtrave dhe kanë pesë ose gjashtë vjet që vazhdojnë t'i vizitojnë. Dhe duke qenë se çdo person është individual, kjo duket edhe në aftësitë e tij dhe nuk ka dy punime të njëjta, gjë që është magjia e punimeve me dorë."

Ndonëse një zanat i lashtë, punimet e paendura përdoren dhe sot për të bërë shalle të bukura në kombinim me mëndafsh, xhaketa, pantofla, çizme.

Brenda Grozdelina Georgievës jeton shpresa se zanati nuk do të zhduket me njohësin e tij të fundit. “Ne u japim një forum, i mbështesim të punojnë, sepse është e rëndësishme të shohësh një njeri të gjallë që jep shpirtin e tij për punimin”, thekson ajo.

Piktura me felt një larmi formash, ngjyrash dhe mesazhesh të koduara, siç përfaqësojnë aktualisht dy katet e muzeut, do të jetë në dispozicion të vizitorëve deri më 15 tetor të këtij viti. "Hyni, sepse ekspozitat, përveç simboleve mbrojtjese, mbajnë edhe simbole për mbarësi dhe secili mund të vendosë se çfarë të sjellë në shtëpinë e tij," fton Grozdelina Georgieva banorët e Plovdivit dhe mysafirët e qytetit.

Foto: Muzeu Etnografik Rajonal në Plovdiv 

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Dimka Vlladimirova

Këngëtarja e muzikës popullore Dimka Vlladimirova u largua nga ne

Ajo ka lindur më 28 korrik 1935 në fshatin Bistrec të Stranxhës në Bullgarinë Verilindore. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në një konkurs në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Sofje, ku u miratua për korin “Filip Kutev”...

botuar më 24-07-12 3.36.MD

Ekspozita "Paftat - një univers shenjash" po viziton Burgasin

Ekspozita "Paftat - një univers shenjash" e Muzeut Historik Rajonal në Ruse po viziton Burgasin. Në ekspozitën, e cila hapet në Muzeun Etnografik mund të shihen më shumë se tridhjetë shembuj të artit të argjendarisë. Paftat janë pjesë e veshjeve..

botuar më 24-07-03 6.10.PD
Foto: Shoqata e Ansambleve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit

Ansamblet folklorike bullgare jashtë vendit janë bërthama e komunikimit social dhe kulturor

Nuk ka statistika që përmbledhin numrin e saktë të grupeve bullgare të vallëzimit jashtë vendit. Por një gjë është e sigurt - këto grupe të krijuara vetë, të shpërndara në të gjitha kontinentet, janë një urë lidhëse e gjallë midis Bullgarisë dhe pjesës..

botuar më 24-06-30 8.05.PD