Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Hetimet e para arkeologjike në shkallë të gjerë në kompleksin trak të Begliktashit po vazhdojnë

Foto: museumprimorsko.bg

Shenjtërorja trake e Begliktashit ndodhet 5 km nga qyteti i Primorsko dhe është vetëm një nga kuriozitetet interesante në rajon. Në zonën përreth shihen edhe dolmenë të shumtë të ruajtur mirë që lidhen me ritualet e varrimit të fiseve trake. Në fakt, këto varre janë të epokës së hershme të hekurit (shek. 9 - 8 para Krishtit), ndërsa megalitët e Begliktashit janë të paktën 6 shekuj më të vjetër: supozohet se janë të epokës së bronzit.

“E rëndësishme është se të gjitha këto gjetje, të cilat mund të shihen edhe tani, dëshmojnë për një përqendrim të jashtëzakonshëm të jetës në tokat tona në kohën kur janë bërë dolmenët”, thotë Daniell Pantov, drejtor i Muzeut Historik në Primorsko. Ai ndan gjithashtu lajmin e rëndësishëm se këtë vjeshtë fillojnë studimet e para arkeologjike në shkallë të gjerë në rajonin e Primorsko. Pritshmëritë e shkencëtarëve janë të mëdha, pasi deri më tani askush nuk ka ndërmarrë gërmime në shkallë të gjerë të vendeve nga kompleksi megalitik.


“Vitin e kaluar bëmë llogaritje shumë interesante bazuar në mënyrën se si janë gjendur vetë gurët – megalitët. Kjo rezultoi në pika shumë interesante dhe të sakta që tregojnë se vendi është përdorur si observator” – thotë Daniell Pantov dhe vazhdon:

"Për fat të keq dihet shumë pak për këtë vend të shenjtë trak. Hulumtimet janë bërë në fillim të shekullit të 21-të, por ato kanë qenë shumë sipërfaqësore, ulluqet prej guri janë pastruar, por nuk janë bërë kërkime të veçanta arkeologjike. Duhet depërtuar thellë për të konstatuar shtresat kulturore, për të parë se kur ka filluar funksionimi i tij. Qëllimi do të jetë të zbulohet gjithashtu se cili është funksioni i vendit. Nëse fillojmë studimet sistematike, do të studiojmë sektorë në të cilët bien ndërtesa me qëllim kulti”, thotë Daniell Pantov.

Bazilika Shën Paraskeva

Muzeu Historik në Primorsko, dolmeni “Zmejova Kështa”(“Shtëpia e Dragononjve”), gjiri i “Maslen Nos”, mbetjet e bazilikës "Shën Paraskeva" janë vetëm disa nga vendet që tërheqin vëmendjen, veçanërisht të vizitorëve që kanë interes për turizmin kulturor. Dhe meqenëse të vetmet fragmente qeramike të gjetura midis të çarave të gurëve në Begliktash janë të ekspozuara në Muzeun e Primorskos, duhet vizituar vetë vendi. Duke u gjendur në male, në botën mistike të megaliteve, në imagjinatën e njeriut shfaqet imazhi i ritualeve të shenjtërores trake.

Gjiri Maslen Nos

Në Begliktash, mund të prekësh një altar të lashtë flijimi, të shohësh gjurmën e Perëndeshës Nënë, të ulesh në fronin e shamanit dhe të shikosh përmes një të çare guri që dikur i ka lejuar njerëzit të shohin më qartë objektet e qiellit. Gjithçka në Begliktash duket se është rregulluar sipas njohurive dhe besimeve të të parëve tanë, por nuk mund të mos pyesim veten - cila ishte forca që solli dhe rregulloi të gjithë gurët në këtë mënyrë? Disa pyetje nuk marrin përgjigje, por vizitorët kureshtarë ndihmohen nga rrëfimi i guidëve turistikë, të cilët zhvillojnë biseda në bullgarisht, anglisht, rusisht, frëngjisht etj.


Çfarë është ndjenja të jesh këtu çdo ditë në verë, në Begliktash - pyesim guiden e re Elena Pavllova:

"Këtu ka qenë një vend i veçantë ku njerëzit kanë ardhur në ditë të caktuara të vitit dhe kur ka pasur rast për t'u lutur hyjnive të tyre. Si rezultat i eksperimenteve moderne është konstatuar se fusha magnetike këtu është më e lartë se normalja, kështu që ndjesia është se në këtë vend ka një energji të fortë. Madje thuhet se helikopterët dhe avionët nga baza ushtarake aty pranë i shmangen fluturimit mbi Begliktash. Ka histori të ndryshme që lidhen me këtë vend. Për shembull, vajzat e reja që për arsye të ndryshme nuk mund të kenë fëmijë, vijnë këtu dhe qëndrojnë zbathur në gjurmën e hapit të Hyjneshës Nënë. Pas disa vizitave dhe përsëritjes së këtij rituali, ato kthehen këtu me një fëmijë në krahë.


Foto: museumprimorsko.bg, Facebook /Begliktash

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një nimfeum i shekujve 1-2 po studiohet nga arkeologët në "Aquae Calidae" pranë Burgasit

Arkeologët bullgarë vazhdojnë studimin e nimfeumit të lashtë (vend i shenjtë i nimfave), zbuluar në kompleksin "Aquae Calidae" pranë Burgasit. Nimfeu zë një vend qendror në banjot e dikurshme romake dhe ka qenë pjesë e një shatërvani me mbishkrim..

botuar më 24-08-31 8.20.PD

Një tempull unik trak në Plovdiv mund të restaurohet plotësisht

Një tempulli trak nga shekulli III para Krishtit pa analog në vendin tonë mund të shndërrojë 10 hektarë të zonës "Jug" ("Juzhen") të Plovdivit në një park arkeologjik. Vendi ndodhet në bazën e Tumës së Madhe, të cilën një ekip i Muzeut..

botuar më 24-08-23 12.16.MD

Arkeologët kanë zbuluar një varrim të pasur të një luftëtari trak të epokës romake

Gjetje të vlefshme dhe unike arkeologjike u zbuluan gjatë gërmimeve në fshatin Kapitan Petko Vojvoda të rrethit të Topollovgradit, raportoi BTA. Arkeologët e udhëhequr nga Daniella Agre kanë gjetur një varr të mundshëm të një aristokrati trak me..

botuar më 24-08-22 5.56.MD