Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kodrina Trapezica në Veliko Tërnovo ruan shpirtin e Bullgarisë Mesjetare

Foto: museumvt.com

Trapezica është një nga tre kodrinat me të cilat njihet kryeqyteti i vjetër bullgar Tërnovgrad, që është emri mesjetar i qytetit të sotëm Veliko Tërnovo. E vendosur në veriperëndim të qytetit, ajo qëndron përballë kodrinës fqinje Carevec – vendi ku në Mesjetë ngriheshin pallati mbretëror dhe Patrikana.

Trapezica është e njohur për faktin se gjatë Mbretërisë së Dytë Bullgare (1185–1396), ajo ka qenë lagjja-fortesë e qytetit kryesor. Nga tri anët, vendi rrethohet nga kthesat e buta të lumit Jantra. Kodrina ka pasur mure të forta mbrojtëse që ndiqnin relievin e saj. Muret kanë qenë rreth 8 metra të larta, ndërsa kullat mbrojtëse arrinin deri në 12 metra. Deri para disa vitesh, besohej se në Trapezica kishin jetuar vetëm bujarë fisnikë. Por pas hulumtimeve të thelluara të degës së Institutit Arkeologjik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (BAN), është vërtetuar se kjo ka qenë një lagje ku jetonin jo vetëm aristokratë me banesa luksoze dhe klerikë të lartë, por edhe banorë të zakonshëm. Mendohet se në Mesjetë, popullsia e kësaj kodrine ka arritur në disa mijëra banorë.

“Nëse kodrina përballë Carevec, ka formë piramidale, atëherë Trapezica ka formën e një trapeze, ose një platoje të gjerë dhe të sheshtë. Disa historianë mendojnë se emri lidhet me trapezitët – luftëtarët që ruanin kalimet gjatë Mesjetës” – tregon Svetllana Petkova, cicerone në Muzeun Historik në Veliko Tërnovo.

Svetllana Petkova

“Trapezica është kodrina e dytë më e rëndësishme. Carevec është kodrina kryesore – aty ndodhej pallati mbretëror, prej nga drejtohej shteti, dhe më vonë, në vitin 1235 gjatë sundimit të mbretit Ivan Asen II, u ngrit pallati patriarkal në pikën më të lartë të saj. Në vitin 1195, mbreti Asen solli nga Sredeci (qyteti i sotëm i Sofjes) lipsanet e Shën Joan Rilskit. Kisha e shenjtëruar në emër të mrekullibërësit nga Rilla fillimisht ishte me një nef të vetëm, por më vonë u zgjerua, duke formuar një kompleks të tërë manastiror. Lipsanet e shenjtorit qëndruan aty deri në vitin 1469, kur u rikthyen në Manastirin e Rilës. Sundimtarët tanë ishin thellësisht besimtarë dhe gjatë Mbretërisë së Dytë Bullgare këtu kishte një përqendrim të jashtëzakonshëm lipsanesh. U sollën lipsane të shumë shenjtorëve. Në Trapezica janë ruajtur rrënojat e kishave që datojnë nga koha e Mbretërisë së Dytë Bullgare. Në pjesën perëndimore të kodrinës vijojnë gërmimet – nga aty, dikur banorët zbrisnin deri në lumin Jantra për të furnizuar fortesën me ujë.”

Kishat në Trapezica dalloheshin për zbukurimet e tyre të pasura arkitekturore – piktura murale, mozaikë me ngjyra dhe ornamente qeramike. Para kësaj, deri në vitin 1170, në kodrinë ka pasur një repart ushtarak me një komandant bizantin.
Shkencëtarët mendojnë se Trapezica u banua me popullatë civile mezi në shekullin e XIII-të, në kohën e mbretit Ivan Asen II, kur u arrit paqja me Bizantinë. “Atëherë vijnë bujarët, shfaqen shumë punëtori zanatesh dhe shumë kisha” – tregon Svetllana Petkova dhe vazhdon:

"Nëse Carevec është diku rreth 120 dynym, Trapezica është 80. Popullsia ka qenë përafërsisht në të njëjtën proporcion, por numri i saj ka ndryshuar me kalimin e kohës. Në përgjithësi, me rrethinat e saj që furnizonin fortesat e fortifikuara me ushqime, kryeqyteti Tërnovgrad kishte rreth 20 mijë banorë. Për krahasim, Kostandinopoja në atë kohë numëronte rreth 40–45 mijë banorë. Sipas standardeve evropiane, Tërnovo ishte një qytet me madhësi mesatare."

Sot Rezervati Arkitekturor-Muzeor “Trapezica” tërheq shumë turistë. Në kodrinën historike ata ngjiten me funikular, ndërsa aty është ndërtuar një qendër për prezantimin e trashëgimisë kulturore, ku ekspozohen gjetje nga gërmimet arkeologjike – nga parahistoria dhe koha e trakëve, të cilët janë ndër banorët e parë të kësaj kodrine, deri në Mesjetë, kur Trapezica ishte pjesë e kryeqytetit të Mbretërisë së Dytë Bullgare. “Megjithëse gërmimet kanë nisur që në vitin e largët 1879, kodrina ende fsheh mistere të panjohura, dhe punimet e reja arkeologjike vazhdojnë të sjellin në dritë fakte të paeksploruara deri më sot” – thotë ciceronia Svetllana Petkova për Radio Bullgarinë.

Lexoni më shumë nga arkivi I Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, museumvt.com, Muzeu Historik Rajonal - Veliko Tërnovo, bulgariancastles.com, velikoturnovo.info 





Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një port i lashtë nga mijëvjeçari i I para erës sonë ka ekzistuar pranë Kepit Killik

Nga data 17 deri më 23 shtator 2025, në ujërat pranë Kepit Killik, komuna Avren, u zhvilluan kërkime arkeologjike nënujore nën drejtimin e prof. dr. Ivan Hristov, me pjesëmarrjen e zhytësve nga Muzeu Historik Kombëtar, punonjës të Shërbimit Kombëtar të..

botuar më 25-09-25 5.05.PD

22 Shtator 1908 – Dita kur u shpall Pavarësia e Bullgarisë

Më 22 shtator 1908, me një manifest, princi Ferdinand I shpalli Pavarësinë e Bullgarisë dhe kështu u hodhën hapat e Mbretërisë së Tretë Bullgare. Ky akt nuk është bërë rastësisht në kishën "Shën 40 Dëshmorët" në kryeqytetin e vjetër Veliko Tërnovo: atje..

botuar më 25-09-22 5.05.PD

Rrugët historike të Sofjes

Më 17 shtator, Kisha Ortodokse Bullgare nderon kujtimin e martires së shenjtë Sofia dhe tre bijave të saj Besimi, Shpresa, Dashuria, të cilat vdiqën si martire të besimit në shekullin e parë pas Krishtit. Më 17 shtator përkujtojmë martirizimin..

botuar më 25-09-17 6.15.MD