E quajnë Nikopollin "qytetin e shekujve" për shkak të historisë së tij mijëravjeçare. Ai u shfaq si vendbanim qysh në vitin 169 pas Krishtit gjatë kohës së perandorit romak Mark Aureli. Në vitin 629, perandori bizantin Nikifor III Foka e riemëroi qytetin Nikopolis, që do të thotë "Qyteti i fitoreve". Më vonë, gjatë Mbretërisë së Dytë Bullgare (1185 – 1396), kalaja e Nikopolit – e ashtuquajtura Kalaja e Shishmanit, ishte një nga kështjellat më të paarritshme dhe të papushtueshme të kohës së saj. Nuk është rastësi që ishte qendra e Mbretit Ivan Shishman në periudhën e viteve 1388 - 1393.
Sot, përveç kalasë së famshme, ndër monumentet e rëndësishme historike në Nikopoll është një sarkofag mermeri i kohës romake.
Historia e këtij guri varri është shumë interesante. Gjatë viteve të sundimit osman në trojet tona, u muros në themelet e në një çezme të gurtë me ujë burimi, e cila përdoret edhe sot nga banorët e këtij qyteti danubian. Legjenda tregon se ky është një gur varri nën të cilin shtrihet një vajzë e bukur. Bëhet fjalë për gruan e Fronton, ndihmës prokuror financiar romak në atë kohë, i cili humbi shumë herët gruan e tij të re Elia. Nga pikëllimi i madh për të dashurën e tij, Frontoni shkroi një poezi (vargje), me të cilën gurgdhendës mbuluan gurin e varrit të bukuroshes Elia. Në sarkofag, poezia në latinisht mund të lexohet edhe sot: "... Lëreni dredhkën të ndërthuret me lule delikate në ballin e asaj që vdekja ma mori aq shpejt. Vatra ime është e vetmuar, shpresat e mia janëtë zbrazëta pa të...” Mbishkrimi datohet në vitet 160 – 180 pas Krishtit.
Shekuj më vonë, sarkofagu u muros në një çezmë prej guri, e cila në turqisht quhej Sjutlijka (burim qumështi). Dhe njerëzit filluan të vinin te sarkofagu i Elias për t'i derdhur ujë vetes dhe të uleshin e të bisedonin pranë burimit. Megjithatë, historia e dashurisë mes Frontonit dhe Elias nuk përfundon këtu. Rreth vitit 1870 arkeologu dhe udhëtari francez Dizharden mbërriti në Nikopoll. Ai vizitoi shatërvanin dhe ndoshta ishte i pari që lexoi mesazhin nga mbishkrimi pas afro 16 shekujsh. I mahnitur nga gjetja dhe i prekur nga vargjet e buta, arkeologu gdhendi mbishkrimin e tij në gur në përgjigje të romakut Fronton, i cili lexohet si më poshtë: “...Kërkesa jote, Fronton, nuk ishte e kotë. Varri i Elias është kthyer në shatërvan. Dhe nuset, vajzat dhe fëmijët bullgarë i derdhin shtambat e tyre si në pranverë ashtu edhe në vjeshtë. Rruga drejt saj është bërë një shteg ecjeje. ... Dhe lotët e tu, Fronton, janë rrjedhat e pastra të çezmës”.
Ky mbishkrim është i ngulitur edhe në trupin prej guri të çezmës. “Legjendat tregojnë se ajo ishte një vajzë shumë e bukur, të cilën ndoshta të tjerët e kishin zili. Gruaja e re vdiq shumë herët dhe për fat të keq, sipas legjendës, kjo ndodhi pas ditës së dasmës së saj me Fronton. Ndoshta është derdhur helm në filxhanin e saj”, thotë Anelija Dimitrova, nënkryetare e qytetit Nikopoll:
"Fronton nuk mundi t'i mbijetojë kësaj humbje të hershme dhe ai e derdhi pikëllimin e tij në vargje. Dihet se në territorin e Bullgarisë janë zbuluar 19 epitafe të tillë, por më i bukuri i shkruar është ai i Frontonit. Deri më sot kanë ndërruar shumë breza, por uji i pastër i çezmës vazhdon të përdoret. Vërtet, rrjedha e burimit zvogëlohet në verë, por kjo çezmë nuk thahet kurrë. Kur njerëzit vijnë në Nikopoll - si turistët ashtu edhe të ftuarit tanë personalë - ne i çojmë gjithmonë te çezma e Elias, sepse e dimë që kush pi nga atje kthehet gjithmonë në qytet."
Çezma Elia u caktua vite më parë si simboli i qytetit Nikopoll në një sondazh mes banorëve vendas. Sipas banorëve të Nikopollit, ky është vendi më romantik dhe më i bukur i lidhur me dashurinë në Bullgari. Prandaj te çezma Elia organizohen mbrëmje poetike. Përveç kësaj, shumë familje zgjedhin të lidhin martesë civile atje, mësojmë nga Anelia Dimitrova.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Bashkia e Nikopollit, facebook.com/EliyaNikopol, inspiro-bg.com, thebridgesoftime.com, Vatra Popullore e Kulturës "Napredëk 1871" qyteti i Nikopolit
Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..
Gjatë gërmimeve të fundit arkeologjike në qytetin shkëmbor Perperikon, u zbulua varri i një të ndjeri, me rituale kundër vampirëve të kryera në trup, tha për BTA kreu i hulumtimeve, Prof. Nikollaj Ovçarov. Gjetja shfaqet mes pothuajse 250 varreve dhe..
Shkrimtar, hero i Luftës së Dytë Botërore, aviator, gazetar, regjisor dhe diplomat - personaliteti i Romain Gary (1914-1980) është shumështresor dhe enigmatik. Dhe Bullgaria zë një vend të veçantë në jetën dhe veprën e një prej autorëve francezë më të..