Është e Diela e të Lidhurit të Djathit. Sipas traditës ortodokse, dita kremtohet çdo vit në prag të Kreshmës së Madhe, kur të krishterët falin njëri-tjetrin. Kjo është dita e fundit para kreshmës, në të cilën besimtarët mund të konsumojnë bulmetra prej nga vjen edhe emri - E Diela e Të Lidhurit të Djathit. Kjo ndodh pasi të dielën e mëparshme, kur bie E Diela e Të Lidhurit të Mishit, është dita e fundit para Kreshmës, kur mund të hahet mishi dhe produktet e mishit.
Në shërbesën e mbrëmjes, besimtarët i drejtohen njëri-tjetrit me fjalët “Më fal!” dhe “Të faltë Zoti!” dhe përqafohen në shenjë dashurie vëllazërore. Në këtë ditë mblidhen familjet dhe fëmijët me përulësi kërkojnë falje nga prindërit e tyre, të vegjlit nga më të mëdhenjtë dhe anasjelltas.
Për Kishën tonë Kreshma e Madhe është më e rëndësishmja nga të gjitha, sepse ajo i përgatit shpirtërisht besimtarët për festën më të ndritshme - Ngjalljen e Krishtit. Në këtë kuptim, falja perceptohet si një kusht i domosdoshëm për bashkimin me Zotin.

Sipas fjalëve të At Kliment Harizanov nga kisha "Shpërfytyrimi i Zotit" në kryeqytet, "një i krishterë nuk pret që dikush t'i kërkojë falje, ai është i pari që shtrin dorën dhe kërkon falje, edhe nëse e kanë ofenduar. Kjo është ajo që na mëson Shpëtimtari ynë, i cili thotë: "Falni dhe do të faleni", "Me atë masë që matni, do t'ju matet edhe juve", "Nëse ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve; por nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'ua falë juve gabimet tuaja."

Kështu, Kisha i inkurajon besimtarët që të çlirojnë shpirtrat e tyre nga fyerjet e grumbulluara dhe të përmbushen me dashuri, butësi, përulësi, të pajtohen me armiqtë dhe të ndjejnë mëshirë e dhembshuri për të gjithë.
Dhe e gjithë kjo arrihet me kreshmimin. Privimi nuk është vetëm nga ushqimi, por edhe nga komoditetet dhe argëtimet e ndryshme që ushqejnë “egon”. Dhe kur egoizmi tërhiqet, njeriu më lehtë fal dhe sheh cilësitë e veta negative.

Prandaj, kreshmimi shoqërohet edhe me ndërgjegjësimin për gabimet dhe pendimin e sinqertë për veprimet e nxitura nga krenaria.
Kështu, nëpërmjet pastrimit të shpirtit dhe trupit, besimtarët përgatiten për bashkim me Zotin nëpërmjet Kungimit të Shenjtë.

Lexoni më shumë për traditat e festës në koleksionin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Darina Grigorova, BTA, BGNES, FreepikMë 15 nëntor 1910, nga një pistë e improvizuar pranë Sofjes, piloti rus Boris Maslenikov ngriti në ajër një aeroplan të tipit "Farman". Në ditët në vijim u kryen edhe disa fluturime të tjera demonstrative, në njërin prej të cilëve morën pjesë edhe anëtarë..
Më 11 nëntor, Kisha Ortodokse Bullgare përkujton Shën Minain, martir të madh dhe mrekullibërës, i cili vuajti për Krishtin në Egjipt në shekullin IV. I lindur në Egjipt, Shën Minai shquhej për guximin dhe besimin e palëkundur. Ai ishte ushtar në..
Më 10 nëntor mbushen 36 vjet nga fillimi simbolik i tranzicionit nga sistemi njëpartiak drejt demokracisë në Bullgari. Një ditë pas rënies së Murit të Berlinit – më 10 nëntor 1989 – plenumi i Partisë Komuniste Bullgare, që ishte në pushtet atëherë, e..
Më 15 nëntor 1910, nga një pistë e improvizuar pranë Sofjes, piloti rus Boris Maslenikov ngriti në ajër një aeroplan të tipit "Farman". Në ditët në vijim u..