Një koncert në Maqedoninë e Veriut u shndërrua në një tragjedi të përgjakshme
Maqedonia e Veriut u zhyt në pikëllim. Një koncert i grupit të njohur hip-hop DNA, që synonte të ishte një festë në jetën e qytetit të vogël të Koçanit, u kthye në një tragjedi të vërtetë. Një zjarr i shkaktuar nga shkëndija nga mjetet piroteknike në diskotekën “Puls” gjatë koncertit natën e 15 duke u gdhirë 16 mars, vrau 59 persona, kryesisht të rinj dhe plagosi mbi 150. Rezultoi se patenta e diskotekës ishte marrë në mënyrë të paligjshme. Objekti kishte vetëm një dalje emergjente, e cila ishte e kyçur gjatë koncertit. Pas incidentit të rëndë, një sërë vendesh zgjatën dorën e ndihmës dhe pranuan të lënduarit në spitalet e tyre – mes tyre Bullgaria, Serbia, Turqia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia etj. Qindra maqedonas protestuan duke kërkuar drejtësi dhe ndëshkim për përgjegjësit.
Më 20 mars mijëra njerëz u dyndën në varrimin e të vdekurve në Koçani. Pesë prej muzikantëve u varrosën në Shkup. Vokalisti Andrej Xhorxhiski vdiq heroikisht, duke u kthyer në diskotekën e djegur për të shpëtuar fansat. Vokalistja mbështetëse Sara Projkovska la dy fëmijë jetimë. Njerëzit nderuan edhe kujtimin e shoferit të ambulancës Ile Gocevski, i cili vdiq nga një atak në zemër pas një turni 32 orësh, gjatë të cilit pa pushim i transportonte viktimat në spitale. Ai merr një çmim pas vdekjes për heroizmin e tij.
Në Turqi arrestuan kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamogllu
Në Turqi u lëshuan urdhër-arreste për mbi 100 persona, duke përfshirë kryetarin e bashkisë së Stambollit Ekrem Imamogllu. Aksioni filloi një ditë pasi Universiteti i Stambollit anuloi diplomën e Imamogllut, njoftoi BTA. Shtëpia e kryetarit të bashkisë u kontrollua dhe ai vetë u arrestua me akuza për korrupsion, mbështetje të PKK (Partisë së Punëtorëve Kurdë) dhe udhëheqje të një organizate kriminale, njoftoi gazeta “Hürriyet”. Operacioni u krye vetëm pak ditë para zgjedhjeve të brendshme të Partisë Republikane Popullore për të përcaktuar kandidatin e saj presidencial. Imamogllu, i cili është pjesë e kësaj partie, konsiderohej si kandidati më i mundshëm dhe kundërshtari kryesor i Erdoganit. Zgjedhjet e rregullta presidenciale në Turqi do të mbahen në maj të vitit 2028. Muajt e fundit, Partia Republikane Popullore dhe parti të tjera opozitare kërkuan zgjedhje të parakohshme presidenciale, duke përmendur paaftësinë e qeverisë aktuale për t'u marrë me problemet ekonomike të vendit dhe inflacionin e lartë. Në Stamboll dhe Ankara, dhjetëra mijëra protestuan kundër arrestimit të kryebashkiakut, pavarësisht ndalimit të autoriteteve.
11 kandidatë shkojnë në zgjedhjet e përsëritura presidenciale në Rumani
11 kandidatë do të konkurrojnë për postin e presidentit në Rumani në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, njofton agjencia Agerpres. Katër janë të pavarur dhe 7 u nominuan nga partitë. Fillimisht ishin 26 kandidatë, por disa prej tyre, përfshirë edhe fituesin e zgjedhjeve të anuluara të vitit 2024 Kalin Xhorxhesku, u refuzuan nga Byroja Qendrore Zgjedhore dhe Gjykata Kushtetuese. Sipas sondazheve, shanset më të mira kanë kryebashkiaku i Bukureshtit, Nikushor Dan (i pavarur), ish-udhëheqësi liberal dhe ish-kryetar i Senatit, Krin Antonesku (kandidat i koalicionit qeverisës pro-evropian "Rumani, përpara!"), ish-kryeministri Viktor Ponta (i pavarur), Elena Laskoni (e qendrës së djathtë Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë) dhe Xhorxhe Simion (Aleanca Nacionaliste për Bashkimin e Rumunëve).
Pas raundit të parë të zgjedhjeve më 24 nëntor 2024 kandidati i ekstremit të djathtë që mori më shumë vota, Kalin Xhoxhesku, i akuzuar për pozicione pro-ruse, duhej të përballej në raundin e dytë me Elena Laskonin. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese i anuloi rezultatet për shkak të dyshimeve për ndërhyrje nga Rusia.
Fushata zgjedhore nis zyrtarisht më 4 prill, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 4 maj. Nëse asnjë nga kandidatët nuk fiton shumicën absolute, raundi i dytë do të mbahet më 18 maj.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia bëjnë aleancë ushtarake
Në Tiranë Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë trepalëshe për bashkëpunimin në mbrojtje, njoftoi BTA. Dokumenti u nënshkrua nga ministri shqiptar i mbrojtjes, Pirro Vengu dhe kolegët e tij nga Kroacia dhe Kosova, Ivan Anushiq dhe Ejup Maqedonci. Sipas synimeve të deklaruara, qëllimi është forcimi i aftësive mbrojtëse të tri vendeve, rritja e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, përmirësimi i ndërveprimit ushtarak përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe forcimi i ndërveprimit ushtarak në rajon.
Dokumenti shkaktoi një reagim të ashpër në Serbi. “Është veçanërisht shqetësuese që kjo aleancë ushtarake po formohet pa konsultime me Beogradin, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të një strukture që nuk ka legjitimitet ndërkombëtar dhe që paraqet kërcënim për sigurinë e popullit serb dhe të gjithë rajonit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: EPA/ BGNES, BTA, aa.com.tr, romania-insider.com, kosovapress.com
Gati gjysma e bullgarëve preferojnë që qeveria të vazhdojë të qeverisë dhe nuk duan zgjedhje të reja. Por shumica nuk beson se kabineti i kryeministrit Rosen Zheljazkov do të ketë një mandat të plotë. Këtë e tregon një studim përfaqësues i qendrës..
Pothuajse pesë muaj pas zgjedhjeve të fundit të parakohshme parlamentare në Bullgari, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor “u zmadhua” me një parti dhe tani përbëhet nga nëntë formacione politike rekord. Gjykata Kushtetuese shpalli 16..
Autoritetet rumune largojnë Calin Georgescu nga zgjedhjet presidenciale Calin Georgescu nuk do të lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale në Rumani në maj. Kandidatura e tij u anulua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pas këtij..
Gati gjysma e bullgarëve preferojnë që qeveria të vazhdojë të qeverisë dhe nuk duan zgjedhje të reja. Por shumica nuk beson se kabineti i..