Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Udhëtim në zemër të Rodopeve – komuna Ardino pasuron atraksionet e saj turistike

Foto: ardino.bg

Bashkia rodopase Ardino shpalli se ka filluar përgatitjen e kandidaturës së saj për pjesëmarrje në edicionin e pestë të nismës së Organizatës Botërore të Turizmit pranë OKB-së “Fshatrat më të mirë turistike”. Ideja e programit ndërkombëtar nuk është vetëm të vlerësojë dhe mbrojë zonat rurale, traditat vendore dhe natyrën, por edhe të inkurajojë turizmin e qëndrueshëm në bashkitë e vogla, siç është edhe Ardino. Dhe nëse në të kaluarën jo shumë të largët burimi kryesor i jetesës së popullsisë ishte prodhimi i duhanit, kohët e fundit njerëzit në bashkinë e vogël dhe të bukur rodopase po i drejtohen gjithnjë e më shpesh turizmit. Hotelet dhe shtëpitë e mysafirëve po shtohen, ashtu si edhe atraksionet, të lidhura me turizmin ekologjik dhe rural. 
“Ardino dhe rajoni në vitet e fundit filloi të tërheqë më shumë mysafirë,” deklaroi për Radio Bullgarinë Taner Çobanov, kujdestar i Muzeut Bashkiak në qytet, dhe shtoi se rrethinat janë të pasura me vende tërheqëse: 



“Destinacioni më i njohur në Ardino është Ura e Djallit, e cila ndodhet 10 km nga qendra e qytetit. Vetë ura është monument kulture me rëndësi kombëtare. Është ndërtuar në fillim të shekullit XVI gjatë kohës së sulltan Selimit. Nëpërmjet saj kalonte një rrugë, e cila lidhte fushën e Trakisë së Epërme me Egjeun. Vjeshtën e kaluar hapëm edhe një zipline alpin përpara vetë urës, që kalon mbi lumë, me gjatësi 280 metra dhe lartësi rreth 17 metra. Ky atraksion i ri gëzon interes të madh si ndër të rinjtë, ashtu edhe te fëmijët, sepse krijon një përjetim emocionues, pa qenë shumë ekstrem,” – thotë Taner Çobanov. 



Një rrjet i dendur i shtigjeve këmbësore çon turistët në vende të bukura të Rodopeve. Operatorë turistikë dhe klube vendore aventuriere organizojnë zbritje me kanoe ose me varka të fryra përgjatë rrjedhës së lumit Arda. 



“Në territorin e bashkisë Ardino, lumi Arda formon kthesat e tij më të bukura, të ashtuquajturat meandre. Dhe një nga meandret më të njohura ndodhet në liqenin Kërxhali – i ashtuquajturi ‘Kthesa’,” – thotë Taner Çobanov. – “Vitin e kaluar mbi këtë fenomen natyror ndërtuam një platformë vëzhgimi nga e cila vizitorët mund të admirojnë meandrën qetësisht.

 
Mbi vetë shkëmbin, në majë të meandrës, duken edhe mbetje të një kalaje të vonë antike dhe mesjetare. Ideja e pushtetit komunal është të socializojë kalanë përmes ndërtimit të një teleferiku, i cili të lidhë luginën me vetë kalanë dhe të lehtësojë qasjen turistike. Por projekti ende pret financim.” 

Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë: 



Pushteti vendor shpreson që projekti ambicioz të tërheqë edhe më shumë mysafirë në rajon. Në vitin 2023  Ardino i hapi dyert një atraksioni të ri – i vetmi në vend muze i duhanit. Vizitorët mund të ndjekin të gjithë procesin, të lidhur me prodhimin e duhanit në Rodopet – nga lërimi dhe përgatitja e fidanëve, përmes mbjelljes dhe punimit, deri te vjelja, përpunimi në shtëpi, tharja, paketimi dhe blerja. Dhe një tjetër atraksion lë mbresa të mëdha te turistët – kompleksi shkëmbor i lashtë “Shkëmbinjtë e Shqiponjave”, i vendosur 2 km nga qyteti Ardino: 



“Përbën një shkëmb vullkanik të madh me rreth 97-100 zgavra trapezoidale. Ajo që është interesante për këto formacione është se hasen vetëm dhe vetëm në territorin e Rodopeve Lindore,” – thotë Çobanov. – “Dhe konkretisht ‘Shkëmbinjtë e Shqiponjave’ janë nga më të njohurit dhe përbëjnë kufirin perëndimor të përhapjes së fenomeneve të tilla. Deri tani mungon një shpjegim i qartë për funksionin dhe origjinën e tyre, për çka bashkia Ardino planifikon një studim arkeologjik pranë vetë shkëmbit. Ka shumë hipoteza: sipas një prej më të njohurave, zgavrat janë pjesë të nekropoleve, të përdorura në rituale trakase, të lidhura me të ashtuquajturin djegie ose varrosje trupore. Por nga ana tjetër disa studiues e kundërshtojnë lidhjen e tyre me praktikat varrimore.” 

Fotografi: ardino.bg, Facebook /Bashkia Ardino, BGNES, facebook.com/kreposttamogilitsa, Muzeu Bashkiak i Ardinos

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Përtej reve – shkëmbinj dhe balona sërish në një kërcim magjik mbi Bellogradçikun

Bellogradçiku dhe shkëmbinjtë e tij të famshëm botërisht janë sërish skena e një spektakli magjik. Për pesë fundjava radhazi – nga 19 shtatori deri më 19 tetor – qyteti është mikpritës i edicionit të pestë të Festivalit të Balonave. Pritet që mbi 5 mijë..

botuar më 25-09-27 9.10.PD

Luks antik dhe përjetime moderne – Vila “Armira” e rinovuar bëhet një hit turistik

Në Rodopet Lindore, në vendin ku patrikët romakë pinin verë nën kolona mermeri, sot turistët veshin toga autentike dhe mahniten nga mozaikët origjinalë të shekujve II-III. Vila “Armira” – e vetmja rezidencë aristokratike romake e ruajtur në Ballkan me..

botuar më 25-09-20 9.15.PD

Në tunelet e kohës – Muzeu nëntokësor i minierës në Pernik

I vetmi në Ballkan, por edhe unik për të gjithë Evropën – ky është Muzeu nëntokësor i minierës në Pernik, që ndodhet vetëm rreth 30 kilometra nga Sofja. Ai është ndërtuar në një minierë funksionale, dikur e njohur si "Minierat e Vjetra". Hapja e saj..

botuar më 25-09-13 10.00.PD