Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Për tre ditë gjatë qershorit Veliko Tërnovo jeton në kohën midis shekujve XII dhe XIV

10
Foto: Facebook/ Festivali Ndërkombëtar 'Tërnovgradi Mesjetar'

Për të dhjetin vit radhazi, festivali "Përditshmëria e Tërnovgradit Mesjetar" do të mbledhë nga 6 deri më 8 qershor pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës, për të rikrijuar ngjarjet historike dhe jetën e përditshme të qytetit ashtu siç kanë qenë midis shekujve XII dhe XIV, kur ai ka qenë kryeqytet i Perandorisë së Dytë Bullgare dhe një nga tre qytetet më të rëndësishme evropiane, së bashku me Romën dhe Kostandinopojën.



"Me kostumet dhe armët kampi është shumë mbresëlënës, pasi pjesëmarrësit kalojnë natën në çadrat dhe tendat e tyre, të cilat i ngrejnë në kalanë “Carevec” – shpjegon Nelina Cërova nga Komuna e Veliko Tërnovos, drejtoreshë e Drejtorisë “Kulturë, trashëgimi kulturore-historike e paluajtshme, festa dhe festivale” dhe shton: – Atje mund të shihen, për shembull, italianë të veshur si kryqtarë – në tenda me flamujt karakteristikë të ngulur. Pa dyshim kampi nuk përshkruhet me fjalë, kjo është diçka që duhet parë! Vetë vizitorët prekin mënyrën e jetesës së njerëzve të mesjetës, sepse në tendë nuk shohin një shtrat fushor, por katër lëkura të hedhura në dysheme. Me të vërtetë, për tre ditë “Carevec” jeton në kohën midis shekujve XII dhe XIV."



Tema e festivalit këtë vit është "SACRA TERRA" /tokë e shenjtë/, dhe programi është i kushtuar 840-vjetorit të kryengritjes së Asenit dhe Pjetrit dhe rivendosjes së shtetit bullgar. Për këtë arsye ngjarjet do të paraqiten në kompleksin mbretëror të kalasë me një spektakël teatror jashtëzakonisht të pasur nga Teatri Muzikor-Dramatik “Konstantin Kisimov” – Veliko Tërnovo. "Vetë festivali fillon me një përulje në kishën “Shën dyzet martirët”, zbulon Nelina Cërova dhe shton:



"Në program janë përfshirë rikonstruksione dhe demonstrime të zanateve, jetesës, traditave dhe zakoneve, për shembull moda mesjetare, që përfshin një sfilatë dhe paraqitje të veshjeve nga epoka, të rikrijuara sipas vizatimeve nga libra të vjetër dhe pamjeve nga afreske. 



Gjithashtu edhe Drejtësia Mesjetare, për të cilën dimë nga dokumente të ruajtura. Është përfshirë edhe një tjetër spektakël teatror – “Patriarku i fundit”, sërish me pjesëmarrjen e aktorëve nga Teatri Muzikor-Dramatik. 

Për fëmijët kemi përgatitur animacion me qitje me hark dhe punë me qeramikë, si dhe teatër kukullash për të vegjël dhe të rritur, që do t’i njohë me përrallat dhe legjendat nga koha e Mbretërisë së Tërnovos. Programi përfshin, sigurisht, edhe shumë lojëra luftarake dhe demonstrime të praktikave dhe teknikave luftarake me harqe, që janë rikonstruksione të atyre mesjetare. 



Do të ketë edhe dy koncerte të grupit Notte Medievale, të cilët krijojnë një atmosferë magjike dhe të pabesueshme në sfondin e kalasë së qytetit."



Nelina Cërova ndan se organizimi i festivalit gjithmonë fillon menjëherë pas përfundimit të atij të mëparshëm, dhe çdo vit vijnë shumë të huaj. Një pjesë e madhe e tyre janë jashtëzakonisht të informuar dhe tregojnë interes të madh për të parë "drejtpërdrejt" atë që kanë lexuar në libra. Të tjerët, që nuk kanë pasur mundësi të njihen me ngjarjet historike, mbeten thellësisht të impresionuar dhe nuk fshehin admirim kur mësojnë se në shekujt XII – XIV Tërnovo ka qenë qyteti i tretë më i rëndësishëm në Evropë.



"Gjatë viteve kemi pasur pjesëmarrës nga vende të ndryshme – Rumania, Serbia, Maqedonia, Italia, Ukraina, Gjermania etj. Partneri kryesor i Komunës për organizimin e festivalit është Shoqata “Tërnovci” – një shoqatë e rikonstruktuesve të lirë, të cilët kanë fituar përvojë të madhe ndër vite, kanë shumë kontakte dhe arrijnë të përzgjedhin dhe ftojnë rikonstruktuesit më të mirë, që çdo edicion të ardhshëm ta bëjnë edhe më të mirë se të mëparshmin. Falë kësaj, festivali për 10 vite ka arritur një nivel shumë të lartë evropian. 



Ajo që e bën të preferuar për pjesëmarrje të huaj është fakti se ngjarjet që rikrijohen, bëhen në vendin ku kanë ndodhur shekuj më parë – një nga festivalet e rralla që ofrojnë një mundësi të tillë. Kështu që shikuesit mund të zhyten në këtë atmosferë vërtet unike dhe të papërsëritshme – njëkohësisht tërheqëse dhe madhështore", ndan Nelina Cërova disa ditë para se Veliko Tërnovo dhe festivali ndërkombëtar të transportojnë banorët dhe vizitorët e qytetit në Bullgarinë Mesjetare.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski


Foto: BTA, Facebook: Festivali Ndërkombëtar "Tërnovgradi Mesjetar"



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Regjisori slloven do të vërë në skenë “Fizika e trishtimit” në Teatrin Popullor në Sofje

Një nga titujt, që do të jetë pjesë e repertorit të Teatrit Popullor gjatë vitit 2026, tashmë është i njohur. Kjo është shfaqja “Fizika e trishtimit” , të cilën regjisori slloven Jernej Lorenci do ta vërë në skenën teatrore. Kjo nuk është puna e tij e..

botuar më 25-06-07 7.00.PD

Shenja nga e kaluara - çfarë tjetër nuk dimë për alfabetin glagolitik?

Një alfabet, një mesazh për Evropën dhe shumë hipoteza – shkrimi glagolitik është një çelës për trashëgiminë dhe identitetin tonë kombëtar. Me rastin e 1170-vjetorit të krijimit të tij, ne transferohemi pas në kohë dhe më saktësisht në shekullin e..

botuar më 25-05-25 6.55.PD

Rruga Kulturore e Kirill dhe Metodij zbulon një trashëgimi historike evropiane që përfshin më shumë se 11 shekuj

Në vitin 2021, “Rruga e Kirillit dhe Metodij” shndërrohet në njërën nga 48 rrugët kulturore evropiane, dhe tradita shkrimore, kulturore dhe fetare kirillo-metodievske merr njohjen e radhës si pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të Kontinentit të..

botuar më 25-05-24 3.00.MD