Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Si u shpëtua “Sllava” nga harresa – historia e nëndetëses së fundit bullgare

Foto: Veneta Nikollova

Bellosllav është një qytet i vogël, i cili ndodhet në bregun e Liqenit të Varnës. Pikërisht këtu, në portin e thjeshtë të qytetit, është ankoruar e vetmja nëndetëse bullgare e ruajtur – “Sllava”. Ky mjet lundrues prej kohësh nuk e çan më thellësinë e Detit të Zi dhe sot është shndërruar në një nga muzetë më tërheqës në Bullgari.

Vizitorët mund të njihen me historinë e nëndetëses, e cila në fakt është prodhuar në Bashkimin Sovjetik në vitin 1959. Në vitin 1985, ajo iu dha flotës detare ushtarake të Bullgarisë nga Bashkimi Sovjetik me emrin “Leninski Komsomoll”, por në fillim të viteve ’90 të shekullit XX u riemërua “Sllava”. Pas anëtarësimit të Bullgarisë në NATO, nëndetësja mori pjesë në stërvitje të përbashkëta me aleatët tanë, por më vonë u braktis dhe ra në harresë. “Kishim një qëllim të qartë – nëndetësja e fundit bullgare të mos kishte fatin e të tjerave, që u dërguan për skrap”, thotë Danço Kallçev, drejtues i muzeut “Sllava” dhe pronar i fabrikës së xhamit ngjitur me të. Në vitin 2018, familja e tij, së bashku me fondacionin “Xhami i Bellosllavit”, u përfshinë në iniciativën për restaurimin e nëndetëses. Dy vjet më vonë, nëndetësja hapi solemnisht dyert si muze dhe priti vizitorët e saj të parë.

“Njerëzit mund të shohin një strukturë të madhe ushtarake, e cila është 76 metra e gjatë, 6.5 metra e gjerë dhe 12 metra e lartë,” – shpjegon Danço Kallçev. “Mund të kuptojnë përkushtimin e burrave bullgarë – të qëndrosh 20 ditë e net nën ujë për të mbrojtur atdheun! Vizitorët mund të njihen me seksionin e torpedove (një lloj arme ushtarake, e përdorur për të shkatërruar anije dhe nëndetëse armike) , të gatshme për t'u lëshuar, shikojnë shtretërit e ekuipazhit, ku marinarët flinin me turne prej 8 orësh. Janë ekspozuar edhe sistemet analoge me të gjitha valvulat dhe vidat. Çdo anëtar i ekuipazhit duhej t’i njihte shumë mirë, sepse edhe gabimi më i vogël mund t’u kushtonte jetën të gjithëve. Turistët mund të shikojnë dhe 34 bombolat me ajër të kompresuar. Interes të veçantë zgjon kuzhina, ku përgatiteshin deri në 180 vakte në ditë, si dhe dy tualetet – të ngushta, por jetike për ekuipazhin prej 60 personash.”

Ndërsa përpiqemi të kalojmë përmes korridoreve klaustrofobike, kuptojmë çfarë do të thotë të jetosh me disiplinë të hekurt, të ndash ajrin me edhe 60 persona të tjerë dhe të mos kesh të drejtë për asnjë gabim. “Kjo nuk është film – këtu gjithçka është e vërtetë”, thekson Kallçev.

Sipas disa burimeve, nëndetësja ka marrë pjesë nën flamurin sovjetik gjatë krizës së Karaibeve në vitin 1962. Por pasi iu dorëzua Forcave Detare Bullgare në vitin 1985, “Sllava” operoi tërësisht në Detin e Zi.

“Nuk ka nëndetëse bullgare që të ketë dalë jashtë Detit të Zi. Funksioni i nëndetëseve bullgare ka qenë të mbrojnë brigjet e atdheut. Ato janë në vijën e parë të frontit – të parat që përballen me anijet kundërshtare. Kjo është një pajisje për shkatërrimin e armikut. Dhe duhet ditur se midis viteve 1916 dhe 1918, Bullgaria ishte një nga dhjetë shtetet në botë që kishte flotë nëndetësesh. Fatkeqësisht, sot nuk kemi asnjë nëndetëse aktive”, përfundon Danço Kallçev.

Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Veneta Nikollova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Projektim i një filmi shkencor-dokumentar me temë aviacionin për vizitorët e muzeut.

Aeroplanë, hidroplanë dhe ushqim kozmik – histori nga qielli të mbledhura në muzeun e aviacionit pranë Plovdivit

Që nga përpjekjet e para për të fluturuar me krahë të ndërtuara vetë që në shekullin e 19-të, deri te fluturimet e para luftarake në botë me qëllime zbulimi dhe bombardimi. Nga ulja e parë e suksesshme në histori e një aeroplani me motor të ndalur,..

botuar më 25-04-08 7.30.PD

Muzeu Arkeologjik i Burgasit tregon për llullat dhe duhanin në Bullgarinë mesjetare

Llulla nga fundi i shekullit XVII, nga shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX, si dhe tradita e kultivimit të duhanit në Bullgari, janë paraqitur në ekspozitën më të re të Muzeut Arkeologjik të Burgasit. "Këto lloj llullash gjenden shpesh në..

botuar më 25-04-05 8.30.PD

Kush është Marko Totev dhe pse emri i tij po bëhet një përkufizim për fat të keq dhe fatkeqësi?

Në Bullgari, kur flasim për një person me fat të keq, shpesh themi: "Oh, çfarë Marko Totev është!". Por kush është në të vërtetë Marko Totev dhe si u bë emri i tij një përkufizim i njohur për një njeri, fati i të cilit vazhdon të dështojë?..

botuar më 25-04-01 7.35.MD