Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Boris Tonkov – mes Amerikës dhe Europës, mes muzikës klasike dhe xhazit, me Bullgarinë në zemër

Boris Tonkov
Foto: arkiva personale

Njëri nga muzikantët më të spikatur në përbërjen e Filarmonisë së Strasburgut është violisti bullgar Boris Tonkov. Një talent i dëshmuar, i cili mbaron Shkollën Kombëtare të Muzikës “Ljubomir Pipkov” në Sofje si nxënës i legjendarit prof. Ognjan Stançev dhe vazhdon studimet në SHBA – fillimisht si student i pedagogut dhe violinistit të njohur Kevork Mardirossian, e më pas me Jerzy Kosmala në Universitetin e Louisianës (Louisiana State University) dhe me Jesse Levine në Universitetin prestigjioz Yale, ku fitoi bursë si asistent-pedagog. 

Borisi merr pjesë në shumë konkurse ndërkombëtare, jep leksione, por më mbresëlënëse është përvoja e tij e madhe në orkestrat simfonike në SHBA, Brazil, Angli, Spanjë dhe Francë. Ka qenë solist-drejtues në disa orkestra simfonike prestigjioze, përfshirë Orkestrën Baton Rouge Symphony dhe Filarmoninë e Londrës. Në vitin 2000 bëhet anëtar i Orkestrës Simfonike të Sao Paolos, dhe më vonë përzgjidhet personalisht nga Lorin Maazel si anëtar i Orkestrës së re Operistiko-Simfonike në Valencia. Ka luajtur nën drejtimin e disa prej dirigjentëve më të shquar të kohës: Claudio Abbado, Lorin Maazel, Kurt Masur, Valery Gergiev, Zubin Mehta, Michael Stern.

Që nga viti 2011 e deri më sot, Boris Tonkov është anëtar i Filarmonisë së Strasburgut – Orchestre Philharmonique de Strasbourg. Në fakt, kjo është orkestra e parë simfonike në Francë.
Orkestra Filarmonike e Strasburgut
Përveç Boris-it, ka edhe dy bullgarë të tjerë në orkestër. Ata janë dy violiniste dhe një violonçelist – i njohuri Aleksandër Somov.

Një nga takimet më të paharrueshme të Boris-it ndodh kur ai ishte anëtar i Filarmonisë së Londrës:

"Pata mundësinë të luaja me Kurt Masur në katër koncerte në Gjermani – një nga turnetë e tij të fundit. Ai ishte tashmë mjaft i moshuar. Më herët, në Sao Paulo, kisha punuar gjithashtu me të, ndoshta në vitin 2001. Luajtëm Simfoninë e pesëmbëdhjetë të Shostakoviçit! Vetëm një simfoni në katër koncerte në sallat më të mëdha të Gjermanisë..."

Ai ka jetuar në shumë vende të ndryshme – në SHBA, në Evropë. Kur e pyesin cili prej tyre është më i miri, ai përgjigjet pa hezitim: "Spanja! Zemra ime mbeti atje!"

E pyesin për vështirësitë në rrugëtimin e tij, sepse ai e ka lënë Bullgarinë shumë i ri, sapo kishte mbaruar shkollën dhe menjëherë u largua:

"Nuk kam studiuar në Akademinë Kombëtare të Muzikës. Por gjatë dy viteve të fundit në Shkollën e Muzikës pata mundësinë të mësoja me prof. Ognjan Stançev, i cili ishte profesori kryesor atëherë në Akademi. Kështu që pata shumë kontakte – jo vetëm me Ognjan Stançevin, por edhe me pedagogë të tjerë të Akademisë." Personi më i rëndësishëm në fillimet e rrugëtimit të tij në SHBA ishte violinisti dhe pedagogu i njohur Kevork Mardirossian:

"Ai ishte atëherë 43 vjeç dhe sapo kishte filluar punën e tij të parë si mësues violine në Arkansas." Pikërisht për shkak të interesit për Mardirossianin si pedagog, Boris Tonkov vendos të aplikojë në universitetin përtej oqeanit. Fillimi ishte i vështirë për shkak të kalimit nga arsimi muzikor në atë akademik:

"Nuk isha shumë i fortë në aspektin akademik atëherë dhe për këtë arsye universiti për mua nuk ishte i lehtë. Më vonë mësova të isha më i përgjegjshëm dhe më i suksesshëm në mjediset akademike. Por vitet e para ishin të vështira për një arsye të thjeshtë – duhej të mësoja lëndë që nuk kishin lidhje me muzikën. Për më tepër, një pjesë të madhe të kohës gjatë javës e kaloja në punë – sërish si muzikant. Kjo më jepte mundësinë të siguroja të ardhura për veten – të merrja pjesë në prova dhe koncerte me pagesë, por më merrte edhe kohën e lirë, kohë që mund ta përdorja për të luajtur muzikë për veten time apo për të studiuar."

Pas më shumë se dhjetë vitesh të kaluara në SHBA, bullgari ndieu një dëshirë të madhe për t’u kthyer sërish në Evropë, dhe oferta më e mirë për punë në atë kohë ishte në Spanjë. Gjatë tre viteve të para, çdo verë ka pasur angazhime përtej oqeanit:
"Fjalë për fjalë, nga viti 2006 deri më 2009 nuk kam pasur pushime verore, kthehesha në Shtetet e Bashkuara për të luajtur në koncerte, lloj-lloj angazhimesh të tjera në festivale verore me orkestra."

Sot ai punon edhe si pedagog në një festival në Arçidoso, në provincën italiane të Toskanës. Emri i festivalit është Clazz – një bashkim i fjalëve klasikë dhe jazz.


"Është një festival veror, ku nxënësit marrin mësime individuale, mësime në muzikë dhe shansin të ngjiten në skenë për të luajtur një program koncerti me orkestër."

U takuam në Sofje, ku Boris Tonkov mbajti një master-class në shtëpinë-muze "Panço Vlladigerov". Kjo nuk është përvoja e tij e parë e tillë, por është master-classi i parë i organizuar me nismën e tij personale. Në këtë kontekst, pranoj se gjithmonë kam ndjerë një respekt të jashtëzakonshëm për njerëzit që nxjerrin një tingull të bukur përmes harkut nga një instrument me tela, dhe e pyes se cili është sekreti i tingullit të bukur të nxjerrë nga viola.

"Së pari, edhe unë jam i mendimit se tingulli që del nga një tel metalik, që fërkohet me qime kali të lyera me rrëshirë, është diçka shumë delikate. Është shumë e vështirë të nxjerrësh atë tingull, që duket sikur këndon. Të zhvillosh ndjeshmërinë ndaj tingullit merr shumë kohë. Dhe këtu do të filloj me mësuesin tim të parë të vërtetë të violës – prof. Ognjan Stançev, ai i kushtonte shumë rëndësi kësaj! Për të, tingulli kryesor, i bukur, i thellë i violës ishte një lloj motoje. Nuk e duronte zhurmën, tingujt që shushurijnë – gjithmonë më thoshte: 'nuk duhet të luash si një violinist'. Nxjerrja e tingullit te instrumentet me tela është diçka shumë e ndjeshme, shumë e rëndësishme. Çdo interpretues ka tingullin e vet karakteristik. Disa adhurues të muzikës janë absolutisht të aftë të njohin interpretues të caktuar vetëm duke i dëgjuar, pa e ditur se kush po luan. Edhe për mësuesin tim të fundit nga Universiteti Yale, Jesse Levine – edhe për të bukuria e tingullit ishte moto. Kjo ishte gjëja që ai theksonte më shumë dhe përmes tij unë përfundova edhe përgatitjen time të fundit shkollore."


Kur e pyesin se nga vjen interesimi i tij për të ashtuquajturin “crossover”, Borisi thotë se nuk është vetëm nga shtatë vitet e fundit në Clazz – festivali në të cilin merr pjesë çdo verë dhe ku ka pasur mundësi të zhvillojë këto “dalje nga rruga klasike”:

“Duhet të pranoj se që në gjimnaz u pasionova shumë pas rock’n’roll-it. Luaja në një grup rock me kitarë bas. Prej andej më ka mbetur prirja për të bërë përzierje me stile të tjera, edhe pse për një kohë të gjatë nuk i kam zhvilluar. Disa vite më vonë, kur jetoja në Luiziana, dilja në mbrëmje – nëpër bare luhej shumë blues dhe ndonjëherë crossover me jazz. Nuk kisha studiuar fare teori jazz-i atëherë dhe ishte vështirë ta kuptoja. Por çdo të diel luaja në meshën në kishën katolike të kampusit të Louisiana State University. I gjithë repertori ishte i lidhur me vera të bazuara në blues. Aty ndjeva që po filloja të improvizoja. Dhe, ndonëse nuk kam studiuar jazz seriozisht, mendoj se kjo është diçka që njeriu e ka brenda vetes, nëse ka dëshirë ta zhvillojë.”

Në fund, pasi ka kaluar kaq shumë kohë nëpër botë, e pyes se çfarë është Bullgaria për të?

“Shtëpi! Kjo është shtëpia ime, po. Gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të mbetet.”

Dhe çfarë duhet të bëjmë ne që Bullgaria të bëhet një shtëpi e mirë për bullgarët?
“Do të thosha – të gjejmë në mënyrë që të ndihemi më mirë vetë në shtëpinë tonë”, – përgjigjet me vendosmëri Boris Tonkov.


Përgatiti në shqip the publikoi: Kostandina Bello
Foto: Facebook/ Boris Tonkov, philharmonique.strasbourg.eu 



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Violinistja Aljona Çehova: Simfonieta-Vraca është një fenomen në jetën muzikore të Bullgarisë

Orkestra Filarmonike e qytetit Vraca – Simfonieta – është shndërruar në një strehë për violinisten Aljona Çehova. E lindur në qytetin rus Tjumen (Siberia Perëndimore), e rritur në Krimenë ukrainase dhe pasi ka jetuar më shumë se 10 vjet në Moskë, ku..

botuar më 25-06-12 7.25.PD

"A pi uthull, a ha limon"… rreth mesazheve negative – me një buzëqeshje

Stefan Vëlldobrev ka publikuar një tjetër këngë nga albumi i tij me “Të dyshuarit e zakonshëm” "!Pikëpyetje të çuditshme?". Duke ndjekur emrin e albumit, Stefan nuk pushon së bëri pyetje edhe në titullin e këngës "A pi uthull, a ha limon", dhe vazhdon..

botuar më 25-06-12 6.10.PD

Pomorie pret Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Ortodokse

Ditën kur të krishterët ortodoksë nderojnë ikonën “Nëna e Shenjtë e Zotit – Është e Denjë”, qyteti bregdetar Pomorie mirëpret përsëri qindra pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Ortodokse me të njëjtin emër. Edicioni i 21-të i forumit..

botuar më 25-06-11 5.55.PD