Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Georgi Zllatev-Çerkin – “Sykaltra”

Georgi Zllatev-Çerkin (1905-1977)
Foto: arkiva BTA

Që në vitet ’20 të shekullit XX, kompozitori i ri bullgar Georgi Zllatev-Çerkin u quajt nga kritikë muzikorë në Vjenë “Shuberti bullgar”. Krijuesi i talentuar është i njohur për veprat e tij si Trio për piano, “Pastoral” për flaut dhe piano, dhe “Sevdana” tepër popullore për violinë dhe piano, por ai është gjithashtu autor i operetave, kantatave, muzikës për kor dhe rreth 50 këngëve solistike mbi tekste të poetëve të mëdhenj bullgarë: Dimço Debeljanov, Geo Milev, Hristo Smirnenski, Elisaveta Bagrjana, Bllaga Dimitrova. Një nga muzikantët më autoritarë tanët, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme, Zllatev-Çerkin ishte një pedagog i jashtëzakonshëm vokal, që ka krijuar yje si Aleksandrina Millçeva dhe Ana Tomova-Sintova. 
Ljuba Veliç në rolin e Salomes
Ndër nxënësit e Georgi Zllatev-Çerkin shkëlqen e mrekullueshmja Ljuba Veliç – një nga gratë e para bullgare që pushtuan teatrin operistik botëror. Veliç është e famshme për rolin e Salomes nga opera me të njëjtin emër e Richard Strauss-it. Kompozitori i madh ishte vetëm një nga muzikantët botërorë që admironte talentin e saj. Por jo të gjithë adhuruesit e saj e dinë se ajo ishte e preferuara e pedagogut Zllatev-Çerkin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Bullgari u përhap një thashethem se Ljuba kishte vdekur gjatë një prej bombardimeve mbi Vjenë. I tronditur, kompozitori krijoi miniaturën e tij më të njohur vokale – “Sykaltra”, mbi poezinë prekëse të Elisaveta Bagrjanës. Lajmi për vdekjen e Ljubës së bukur, me sy blu dhe flokë të kuqe, fatmirësisht doli i rremë, ndërsa “Sykaltra” – e përshkuar nga dhimbja për një njeri shumë të afërt dhe shumë të talentuar – mbetet edhe sot një nga këngët më të dashura të klasikës bullgare. Është interpretuar nga bullgare të shquara si Julia Viner, Bllagovesta Karnobatllova, Krasimira Stojanova, Nadja Krësteva, Aleksandrina Pendaçanska.


Megjithatë, pak njerëz vërtetë e dinë se ajo ka luajtur një rol jo të vogël në karrierën e së madhërishmes Gena Dimitrova. Në repertorin e Genes së paarritshme, veprat bullgare janë më pak se gishtat e njërës dorë. “Sykaltra” lidhet me triumfin e saj të parë – çmimi i parë dhe medalja e artë në Konkursin e katërt për këngëtarë të rinj operistikë në Sofje në vitin 1970. 
Gena Dimitrova në rolin e Abigail nga
Janë interesante regjistrimet nga raundi i parë dhe i dytë i konkursit – nga prilli i vitit 1970, kur këngëtarët e rinj duhej të interpretonin fragmente operistike dhe miniatura me piano. Gena këndoi arie nga “Forca e fatit” e Verdit dhe “Don Zhuan” i Mocartit, këngë të Richard Strauss-it dhe Rahmaninovit, si edhe “Sykaltrën” e Georgi Zllatev-Çerkin. Regjistrimi me pianistin mjeshtër Atanas Atanasov është pjesë e një arkive të paçmuar, që është në pronësi të vetme të Radios Kombëtare Bullgare. Në fund dëgjohen duartrokitje – konkursi ynë i famshëm operistik, një nga krenaritë e humbura të muzikës bullgare, lejonte publik në të gjitha raundet. Pas medaljes së artë në Sofje, në vitin 1972 Gena Dimitrova fitoi çmimin e parë edhe në konkursin në Trevizo. Pasoi specializimi në “La Scala” të Milanos dhe karriera botërore që e bëri të njohur sot. Gena Dimitrova u nda nga jeta më 11 qershor 2005. Dy dekada më vonë, le ta kujtojmë me “Sykaltrën”.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: BTA, operasz.bg, arkiva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bobi Ivançev vazhdon rrugën e tij muzikore… "I Pastruar"

Bobi Ivançev, të cilin e njohim edhe si pjesë të duetit "Avenue", vazhdon të ndjekë rrugën e tij të pavarur muzikore. Kënga e tij e re origjinale "I Pastruar" është e ndryshme nga ajo që kemi dëgjuar deri më tani për muzikën e tij - ai vetë..

botuar më 25-08-04 6.10.PD

"Strati i thoshte Angelakit"

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski Foto: Veneta Nikollova, alexanderyossifov.com

botuar më 25-08-01 2.30.MD

Bansko është përsëri kryeqyteti i xhazit i Bullgarisë – për 10 ditë në kulmin e verës

Adhuruesit e xhazit e dinë tashmë – në kulmin e verës Bansko bëhet kryeqyteti i xhazit i Bullgarisë! Dëshmi e suksesit të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit në shkallë të gjerë është zgjerimi i tij – këtë vit për herë të parë do të zgjasë dhjetë..

botuar më 25-07-31 5.50.PD