Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shembuj të kulturës muzikore bullgare

"Strati i thoshte Angelakit"

Foto: Veneta Nikollova



Misterioz, i pazbërthyeshëm dhe I vështirë për t’u arritur, mali Stranxha (në Juglindje të Bullgarisë) mahnit me pamjet dhe atraksionet e tij. Midis detit të qetë të kodrave të gjelbra fshihen fshatra magjepsës me shtëpi të vjetra prej druri, burime të pastra dhe ujëvara spektakolare, kapela dhe vendvarreza të lashta misterioze. Rajoni folklorik i Stranxhës fsheh thesare të paçmueshme, ndër të cilat padyshim kryeson loja e famshme e nestinarëve. Një pasuri e vërtetë janë këngët e lashta, të ruajtura nga vendasit: dasmore, korrjeje, të mbrëmjeve, valleje, të tryezës. Në Stranxha shpesh këndohet për hajdutë dhe kryetarë çetash: Vëllçan, Dobri, Inxhe, Haxhi Dimitër, kapiten Petko Vojvoda.

E dashur nga brezat është "Strati i thoshte Angelakit", në të cilën Strati e pyet Angelakin pse nuk e udhëheq më çetën e tij besnike, dhe trimi vojvodë i përgjigjet se është i sëmurë. Ka qenë i plagosur dhe tashmë nuk është në gjendje të jetë udhëheqës i hajdutëve. Kënga është e njohur në interpretime të këngëtarëve të shquar nga Stranxha si Georgi Pavllov dhe Zheçka Sllaninkova, por përpunimi më i njohur i saj është përfshirë në pllakatën e parë të serisë së famshme "Misteri i zërave bullgarë", botuar nga producenti zviceran Marsel Selie në vitin 1975.

Aleksandër Josifov (1940 – 2016)

Versioni mbresëlënës në tre zëra është i kompozitorit, dirigjentit dhe pedagogut të shquar bullgar Aleksandër Josifov (12 gusht 1940 – 25 nëntor 2016). Në moshën 28-vjeçare ai fiton çmimin e parë në një konkurs kompozimi në Trieste (Itali) dhe njohje ndërkombëtare. Pasojnë çmime nga Japonia, Italia, Greqia, Turqia, Rusia, Gjermania, Sllovakia, Polonia, Jugosllavia. Josifov është autor i një krijimtarie mbresëlënëse me mbi 1500 vepra në të gjitha zhanret: gjashtë simfoni, pesë koncerte për piano dhe orkestër, tre koncerte për violinë, koncerte për violonçel, për kavall, për flaut, shumë miniatura vokale korale dhe solo, muzikë për fëmijë, mbi 800 këngë pop, mbi 300 përpunime këngësh popullore, muzikë për filma artistikë dhe dokumentarë. Pjesët e tij për duo në piano janë interpretuar me sukses në të gjithë botën.

Shumë të vlerësuara nga publiku dhe kritika janë veprat e tij skenike muzikore. Opera “Han Krumi i Madh” është vënë në skenë në Teatrin Bolshoi, ndërsa fragmente të veçanta janë interpretuar në mënyrë koncertale në Operën Shtetërore të Vjenës dhe në teatrin “Champs-Élysées” në Paris. 

Aleksandër Josifov (në mes) në premierën e operës 'Han Krumi i Madh' së bashku me libretistin Banço Banov dhe këngëtarin Stojan Popov
Në vitin 1986, në qytetin polak Gdansk, është premiera e baletit “Kryqtarët” sipas romanit të Henrik Sienkiewicz. Kjo vepër është shfaqur në shumë skena evropiane. Veçanërisht të dashura janë operat e tij për fëmijë, të cilat edhe sot luhen në të gjitha teatrot muzikorë bullgarë. Nga viti 1968 deri më 1986, Aleksandër Josifov është drejtor i përgjithshëm i firmës së disqeve gramafonike "Ballkanton". Politika e tij është pasqyrimi i arritjeve më të larta të muzikantëve bullgarë. Një nga meritat më të mëdha të Aleksandër Josifovit është botimi nga "Ballkanton" i një serie pllakash gramafonike me bas-in legjendar Boris Hristov. Kjo është një nismë personale e drejtorit, i cili ndihmon për kthimin e Boris Hristovit në Bullgari dhe i jep mundësi të regjistrojë.

Aleksandër Josifov me basin legjendar bullgar Boris Hristov

Gjatë kohës së Josifovit realizohen gjithashtu: antologjia e folklorit bullgar, regjistrime të "Misterit të zërave bullgarë", ansamblet "Filip Kutev" dhe "Pirin", një seri për fëmijë – mbi 100 përralla, panoramë e artit koral bullgar… "Ballkanton" krijon kontakte me firma prestigjioze ndërkombëtare të regjistrimeve dhe shpërndan me sukses tituj nga katalogu i vet. Firma EMI boton regjistrimet e Boris Hristovit dhe recitale operistike, firma RCA shpërndan të gjitha operat me Rajna Kabaivanskën, ndërsa Marsel Selie boton serinë “Misteri i zërave bullgarë”.



Sot përpunimi i Aleksandër Josifovit i “Strati i thoshte Angelakit” është i njohur edhe në interpretimin e trios me famë botërore “Bëllgarka”, krijuar në vitin 1975, në të cilin marrin pjesë Eva Georgieva nga Dobruxha, Stojanka Boneva nga Pirini dhe e madhja Janka Rupkina nga Stranxha. Tre emra legjendarë nga përbërja origjinale e Ansamblit për këngë popullore të Radios Bullgare, i cili ka triumfuar në mbarë botën si “Misteri i zërave bullgarë”. E ne rikujtojmë regjistrimin e këngës nga ajo pllakë e parë nga viti 1975, e nderuar me Çmimin e Madh të Akademisë “Charles Cros”.



Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Veneta Nikollova, alexanderyossifov.com



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kolazh me foto: Ivan Petrov

"Një Amanet"

Me rastin e festës së 6 Shtatorit, kushtuar një ngjarjeje të rëndësishme historike – Bashkimit të Bullgarisë, kujtojmë një marsh legjendar patriotik bullgar. Me siguri në shtatorin e vitit 1885, “Një Amanet” nuk ka shoqëruar as kryengritjet popullore në..

botuar më 25-09-05 6.35.PD
Vasill Najdenov

Vasill Najdenov feston ditëlindjen e tij

Vasill Najdenov, një nga këngëtarët më të dashur bullgarë të muzikës pop, feston sot, 3 shtator, ditëlindjen e tij të 75-të. Duke filluar karrierën e tij profesionale në fillim të viteve 1970, ai ka punuar me interpretuesit dhe kompozitorët më të..

botuar më 25-09-03 3.50.MD

"Forca" dhe dëshira e MONA-s për ta bërë muzikën e saj të arritshme për të gjithë

MONA është pseudonimi krijues i Simona Petrovës. Edhe pse shumë e re, ajo ka bërë një rrugë të gjatë nga një fëmijë i ndrojtur në qytetin e saj të lindjes, Kjustendill, deri në një këngëtare të sigurt në skenë me pjesëmarrje në konkurse dhe forume..

botuar më 25-09-02 6.05.PD