Komuniteti bullgar në Kosovë është pak i njohur për opinionin publik në vendin tonë sot. Dritë mbi proceset historike që kanë ndikuar në këtë diasporë bullgare hedh botimi më i fundit i zgjeruar i librit "Komunitetet bullgare në Shqipëri dhe Kosovë. Proceset shoqërore-politike dhe pasojat demografike (1913–2024)".
"Bashkëkombësit tanë në këtë pjesë të Ballkanit kanë mbetur të lënë pas dore nga politika e jashtme e Sofjes pas Çlirimit. Që nga viti 1878, kur Bullgaria e përqendroi vëmendjen në Maqedoni, ajo e harroi popullsinë e vet në veri të malit Shar", vë në dukje autori docent Spas Tashev nga Instituti për Studimin e Popullsisë dhe Njeriut pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
"Mbi 130 mijë bullgarë, të cilët gjatë kësaj periudhe kanë jetuar atje, kanë mbetur jashtë vëmendjes së shtetit bullgar dhe janë bërë objekt i asimilimit dhe serbizimit. Por gjatë regjistrimeve të popullsisë në Perandorinë Osmane, kjo popullsi është regjistruar nga autoritetet osmane si bullgare deri në Luftërat Ballkanike. /.../ Nga këta 130 mijë bullgarë në Kosovë, pjesa më e madhe janë serbizuar, gjë që vlen veçanërisht për bullgarët e krishterë. Një pjesë e vogël, më pak se 30 mijë veta, të cilët gjatë sundimit osman e kanë pranuar islamin, në fakt janë bartës të identitetit bullgar sot. Megjithatë, edhe tek këta, identiteti bullgar është mjaft i zbehur" - tregon studiuesi i komuniteteve bullgare në Ballkan.
Është e vështirë të jepen statistika të sakta për numrin e këtij komuniteti bullgar në ditët e sotme.
"Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, numri i bullgarëve është diku rreth 400 veta. Ende nuk kemi të dhëna zyrtare, sepse, pavarësisht përpjekjeve të Bullgarisë për të rënë dakord me autoritetet e Kosovës që të ketë një rubrikë të veçantë për bullgarët, autoritetet kosovare nuk e morën parasysh këtë kërkesë. Bullgarët përfshihen në rubrikën “të tjerë”, me mundësinë që të specifikohet se i përkasin kombësisë bullgare. Diçka e ngjashme ndodhte edhe në Shqipëri gjatë regjistrimeve të mëparshme – megjithëse njerëzit kishin të drejtë të përcaktonin origjinën e tyre, numri i bullgarëve ishte shumë i vogël. Kur parlamenti i Shqipërisë e njohu komunitetin bullgar në vitin 2017 dhe më pas u mbajt regjistrimi me një rubrikë të veçantë për bullgarët, sot shohim se numri i atyre që janë vetëdeklaruar si bullgarë në Shqipëri është më shumë se 8000 veta", shpjegon Tashev në një intervistë për Radio Bullgarinë. Ai beson se një skenar i ngjashëm do të përsëritet edhe në Kosovë, shtet që është njohur nga Bullgaria.
Tri janë rajonet me të ashtuquajturit “të tanët” në Kosovë, ashtu siç vetëquhen bullgarët e Kosovës dhe si e quajnë edhe gjuhën e tyre. Këto janë Gora, Podgora dhe Zhupa. Rajoni i Gorës është i ndarë nga kufiri shtetëror midis Kosovës dhe Shqipërisë. Një pjesë ndodhet në Shqipëri – kjo është Gora e Kukësit me qendër administrative qytetin e Kukësit. Gora e Prizrenit në Kosovë ka si qendër administrative Dragash. Gora dhe pjesërisht Podgora janë kryesisht zona malore. Ndërsa Zhupa zbret drejt fushave rreth Prizrenit, ku ka shumë bullgarë të krishterë që e kanë ruajtur gjuhën e tyre bullgare analitike, me disa huazime nga e folura serbe.
Pas shkëputjes së Kosovës nga Serbia ka nisur një proces i kërkimit të identitetit, dhe kohët e fundit është vërejtur një dëshirë për të regjistruar shoqata bullgare, të cilat të merren në mënyrë aktive me kërkimin e dokumenteve historike dhe promovimin e fakteve për të kaluarën e tyre, me qëllim që të “ringjallet” edhe komuniteti bullgar i krishterë.
Pse bullgarët në Kosovë e quajnë veten "të tanët"?
“Ideja e termit “të tanët” është të tregojë se, pavarësisht se disa njerëz kanë identitete të ndryshme, bëhet fjalë për të njëjtën popullsi. Në fund, kur ulen në hanin e fshatit, ka njerëz që e konsiderojnë veten bullgarë, të tjerë e konsiderojnë veten maqedonas. Disa të tjerë janë boshnjakë, të tjerë serbë, të tjerë goranë. Por në fund të fundit të gjithë thonë: “Ne jemi të tanët, flasim të njëjtën gjuhë të tanëve.” Pra, identiteti “të tanët” tregon se këta njerëz janë e njëjta gjë, por janë ndarë nga propaganda. Këtu është roli i shtetit bullgar, si mbrojtës dhe ushqyes i identitetit bullgar, që t’u japë dorën këtyre njerëzve, që ata të kenë akses në sistemin arsimor bullgar, në shkencën bullgare, në fondet arkivore bullgare, që të mund të marrin njohuri historike dhe të argumentojnë prejardhjen e tyre bullgare”, shpjegon studiuesi.
Aktualisht, si ish-qytetarë të Jugosllavisë, shumë nga bullgarët e Kosovës marrin paga dhe pensione nga Serbia, e cila nuk e njeh Kosovën e pavarur. Beogradi mbështet edhe shkolla në Gora, ku mësimi bëhet në gjuhën serbe dhe boshnjake. Bullgarët në Kosovë ndjekin këto shkolla, sepse Universiteti i Prishtinës ofron mësim në gjuhën boshnjake, e cila është gjithashtu e ngjashme me serbishten, por shkruhet jo me alfabetin cirilik, por me alfabetin latin.
Shkolla bullgare e së dielës ekziston vetëm në Prizren. Për vit nja 15-20 studentë kosovarë regjistrohen për të studiuar në institucionet e larta arsimore bullgare. Gjuha bullgare transmetohet gojarisht në shtëpi si gjuhë amtare, ndërsa burrat zakonisht gjatë vitit janë në kurbet jashtë fshatit.
Si një traditë interesante dhe pozitive, demografi përshkruan ritualin e ruajtur të fejesave dhe martesave mes “të tanëve” në Kosovë.
“Pavarësisht që këta njerëz tashmë migrojnë me familjet e tyre, kur të rinjtë të rriten dhe të vijë koha për të krijuar familje, ata kanë një traditë shumë të qartë, ndoshta shekullore. Kudo që të kenë shkuar në botë, në Ditën e Shën Gjergjit (6 maj) secili shkon në vendbanimin e tij të lindjes. Për disa ditë zhvillohen festa dhe atëherë të rinjtë njohin njëri-tjetrin dhe martohen me njëri-tjetrin. Ndoshta 99% e martesave që kryhen atje janë vetëm mes përfaqësuesve të këtij komuniteti.
Kështu, të paktën për momentin, modeli i martesës është ai që garanton riprodhimin e komunitetit bullgar. Por ai nuk do të jetë më i përqendruar në mënyrë kompakte në rajonin e Gorës. Do të jetë i shpërndarë, dhe për këtë arsye tani është koha të ruajmë këto lidhje përmes një politike aktive bullgare, kryesisht në fushën e arsimit dhe dhënies së shtetësisë bullgare”, është kategorik studiuesi, docent Spas Tashev.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, KosovaPress, Krasimir Martinov, Agjencia për Bullgarët Jashtë Vendit (IABÇ)
Tokat tona janë djep i qytetërimeve të lashta. Falë arkeologëve bullgarë, ato po bëhen të njohura për një auditor më të gjerë, tha kryeministri Rosen Zheljazkov gjatë prezantimit në Sofje të statujës së restauruar të një burri nga qyteti antik..
Në Muzeun Historik Rajonal të Gabrovos është ekspozuar një “copë letër” modeste drejtkëndëshe me përmasa 10 me 15 cm. Kjo është kartëmonedha e parë bullgare – një njësi prej njëzet levash me numër serial 000001. Është shtypur më 1 gusht 1885 në Shën..
Fortesa Urviç përsëri zbulon sekretet e saj – këtë herë nga koha kur Sofja ka qenë Serdika romake. Një kullë trekëndore prej guri, e datuar nga fundi i shekullit të II, u zbulua nga arkeologët e rinj Dr. Filip Petrunov dhe Violina Kiriakova në ditët..