Bollgradi në rajonin e Odesës, Ukrainë, shënon sot, 25 gusht, 204 vjet nga themelimi i tij me një program kulturor në sheshin qendror dhe në institucionet kulturore të qytetit, raportoi BTA. Festimet janë pjesë e një festimi tre-ditor të Ditës së Flamurit Shtetëror, Ditës së Pavarësisë dhe përvjetorit të themelimit të Bollgradit.
Dita festive filloi me një minutë heshtjeje mbarëkombëtare dhe një ceremoni ngritjeje flamuri, e ndjekur nga një aktivitet komunal kushtuar 81-vjetorit të çlirimit të Bollgradit nga pushtimi nazist.
Programi përfshin nisma të shumta - një ceremoni vendosjeje lulesh në monumentin e themeluesit të qytetit Ivan Inzov, një ekspozitë udhëtuese librash mbi historinë dhe kulturën e qytetit të Arcizit në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar midis Bollgradit dhe Arcizit, turne shahu, tavlle dhe dame për fëmijë, të rinj dhe persona me aftësi të kufizuara.
Një tjetër ngjarje e rëndësishme është Festivali Ndërkombëtar Folklorik "Me Këngët e Elena Jankovës", i cili bashkon pjesëmarrës nga Ukraina, Moldavia dhe Bullgaria.
Në programin e përvjetorit të qytetit është përfshirë gjithashtu një ekspozitë dhe një panair i prodhuesve vendas me një kauzë bamirësie - fondet e mbledhura do t'u dhurohen Forcave të Armatosura të Ukrainës. Dita do të përfundojë me një koncert në sheshin qendror, i cili do të fillojë në orën 18:00 sipas orës lokale.
Bollgrad është qendra administrative e rajonit të Bollgradit në kuadër të reformës administrative-territoriale të 17 korrikut 2020. Rajoni përfshin dhjetë komuna, në të cilat mbi 60% e popullsisë është bullgare.
Lexoni më tepër në koleksionin e Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: Këshilli i Qytetit të Bollgradit/Facebook
Dita e Shën Dhimitrit, më 26 tetor, festohet në të gjithë Bullgarinë, ndërsa lipsanet e tij, që ruhen në Selanik, janë një objekt i përhershëm pelegrinazhi për bullgarët që shpesh udhëtojnë drejt Greqisë Veriore. Në kalendarin popullor bullgar, Dita..
Për të tretin vit radhazi, fondacioni “Karin Dom” – Varna po organizon iniciativën bamirëse “Çmimet Ivan Stançov” në kujtim të diplomatit bullgar dhe themeluesit të organizatës – ambasadorit Ivan Stançov, njoftoi organizata civile. Më 23 tetor do..
Nga 22 deri më 28 tetor, qyteti i Vidinit shndërrohet në një skenë të artit, krijimtarisë dhe frymëzimit, për të nderuar Festën Shpirtërore të qytetit – Ditën e Shën Dhimitrit (Dimitrovden). Programi i pasur i festivalit të ri “Ditët e Tetorit..