Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Deti fsheh edhe shumë rreziqe – çfarë këshillojnë rojet bregdetare

Foto: BTA

Plazh, dallgë, det dhe qiell blu pa re. Por që pushimet të mbeten të qeta dhe tërheqëse, secili duhet të jetë mirë i informuar edhe për rreziqet që fshihen pas kësaj pamjeje në dukje të qetë të verës. Dhe deti nuk arrin “gjer në gju”, siç thonë në mënyrë fare serioze rojet më me përvojë. Në praktikën e tyre, ata kanë parë jo një herë si edhe notarë të përgatitur fizikisht dhe me përvojë bien pre e dallgëve dhe rrymave detare. Veçanërisht të rrezikshme për pushuesit me besim të madh te vetja janë të ashtuquajturat "plazhe të egra", ku mungojnë rojet bregdetare dhe shpesh edhe njerëzit që mund të vijnë në ndihmë. 

Pikërisht për këtë arsye, shumica e rasteve me pasojë fatale ndodhin jashtë zonave të ruajtura nga rojet. Këtë e thotë Vasill Zagorçev – specialist për shpëtimin ujor dhe themelues i shkollës për trajnim të rojeve bregdetare “Life Saving Bulgaria”. “Rreziku kryesor është kur njerëzit i mbivlerësojnë aftësitë e tyre dhe i nënvlerësojnë rreziqet,” thekson ai dhe vazhdon:

“Edhe ata që preferojnë plazhet pa roje, gjithmonë i këshillojmë të mos jenë vetëm në plazh dhe në rast rreziku, nëse shohin dikë në nevojë, të telefonojnë në 112. Shpesh ndodh që kur njerëzit shkojnë në plazh dhe shohin se flamuri është i kuq, fillojnë të debatojnë dhe të grindën me rojet. Fillojnë të interpretojnë situatën me argumentin se ky det nuk është i rrezikshëm për ta sepse dinë të notojnë. Shpesh ndodh që njerëzit nisen për të notuar shumë larg dhe largohen shumë nga bregu. Kjo e vështirëson arritjen tek ata nëse ndiejnë lodhje të papritur, ngërç muskulor ose diçka të ngjashme. Këto janë disa nga situatat më të shpeshta ku njerëzit e gjejnë vetën, pa i parashikuar ato.”

“Për fat të keq, në hapësirën publike më shpesh theksohen rastet e mbytjeve, por shumë më i madh është numri i njerëzve të shpëtuar nga deti,” – thotë gjithashtu Vasill Zagorçev. Sipas tij, statistikat reale tregojnë se nëse vitin e kaluar në bregdetin tonë të Detit të Zi ka pasur 86 mbytje, përballë këtij numri qëndrojnë 3,873 persona të shpëtuar nga mbytja, sipas statistikave të Kryqit të Kuq Bullgar. Ky ndryshim i madh në shifra flet për cilësinë dhe suksesin e rojeve bregdetare – shton specialisti i shpëtimit ujor.

“Sa i përket trajnimit të rojeve, Kryqi i Kuq Bullgar nuk i ka ndryshuar standardet dhe kërkesat e veta, prandaj rojet përgatiten njësoj si më parë. Ata duhet të plotësojnë kritere të caktuara për përgatitjen fizike, shpëtimin e personit që po mbytet, dhënien e ndihmës së parë, si dhe një sërë provimesh teorike. Pra, përgatitja është gjithmonë në një nivel të mirë. E them këtë si instruktor për shpëtim në ujë, sepse çdo vit unë gjithashtu përgatis roje për plazhet tona. Rekrutimi i rojeve nga jashtë nuk është aq i përhapur sa në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve. Kam informacion për një grup rojesh polakë që prej 5 vitesh vjen dhe punon si ekip në Sozopol. Ka gjithashtu edhe kandidatë nga Ukraina që ndjekin kurset e organizuara prej nesh.”

Ndër mësimet më të rëndësishme që sjellin orët e kaluara pranë detit dhe në rërë është ai që fëmijët e vegjël kërkojnë kujdes dhe vëmendje të veçantë. “Lënia e tyre pa mbikëqyrje, edhe për një kohë të shkurtër, mund të jetë kritike,” – thotë Vasill Zagorçev dhe vazhdon:

“Ligji ua ka vendosur si detyrim çdo prindi apo shoqëruesi të mos lërë pa mbikëqyrje fëmijë deri në moshën 10-vjeçare. Fëmijët deri në 5 vjeç duhet t’i mbajmë gjithmonë një dorë larg nga vetja kur jemi në plazh. Në praktikën time të shpëtimit kam hasur shpesh raste kur, pasi kemi shpëtuar një fëmijë, na është dashur shumë kohë për të gjetur prindërit. Në fund gjejmë prindin përkatës dhe ai as që e ka vënë re që fëmija i tij kishte humbur. Por situata do të ishte krejt ndryshe nëse ai fëmijë do të kishte pësuar diçka në ujë. Prandaj, rojet nuk janë ata që duhet të zëvendësojnë prindërit dhe shoqëruesit në plazh." 

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Foto: BTA, Facebook/ "Life Saving Bulgaria"



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një mision ndërkombëtar rekomandon forcimin e pavarësisë së Radios Kombëtare Bullgare dhe Televizionit Kombëtar Bullgar

Bullgaria vazhdon të jetë ndër vendet e BE-së me deficitet më serioze në fushën e lirisë së medias.  Ky është përfundimi i Koalicionit të organizatave ndërkombëtare që punojnë në fushën e lirisë së shtypit, i cili kreu një mision faktmbledhës..

botuar më 25-09-26 1.47.MD

Pas zjarreve dhe thatësirës vijnë përmbytjet - cili është parandalimi?

Gjatë gjithë verës, dhe madje edhe tani, Bullgaria ka luftuar zjarre të shumta - fushore dhe pyjore. Në të njëjtën kohë, mbi gjysmë milioni njerëz janë pa ujë ose në një regjim të rreptë uji . Të zhytura në problemet aktuale, si qytetarët, ashtu..

botuar më 25-09-23 7.25.MD

Shkencëtarë bullgarë dhe të huaj krijojnë nanopjesëza për të luftuar kancerin

Shkencëtarë nga Bullgaria, Sllovakia, Serbia dhe Republika Çeke po bashkojnë forcat në projektin "SeNaTa" - "Nanostruktura magnetike vetëngrohëse për aplikime teranostike", i koordinuar nga Instituti i Katalizës në Akademinë Bullgare të Shkencave, i..

botuar më 25-09-23 3.59.MD