Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pianistja Donka Angëçeva: Dua të krijoj diçka të bukur dhe me kuptim

"Bullgaria ka një histori të pabesueshme kulturore dhe muzikë të mrekullueshme, e cila duhet të dëgjohet"

6
Foto: angatscheva.com

Një nga fytyrat më të njohura të skenës muzikore austriake – e lindura në Plovdiv Donka Angëçeva, prej disa vitesh është pjesë e rrethit prestigjioz të artistëve të markës së famshme Bösendorfer Artists, midis të cilëve janë pianistë legjendarë si Benedetti Michelangeli, Alfred Brendel dhe András Schiff. 

Muzikante me karrierë të ndritshme evropiane, menaxhere e suksesshme dhe krijuese e iniciativës Die Kunst in Österreich lebt weiter ("Arti në Austri vazhdon të jetojë"), Angëçeva është shpallur Grua e vitit në kategorinë "Art dhe kulturë" nga revista austriake LOOK! në vitin 2023. Është e diplomuar e Universitetit për Muzikë dhe Arte Skenike në Vjenë (Universität für Musik und darstellende Kunst Wien). Është laureate e shumë konkurseve bullgare dhe botërore, soliste e orkestrave prestigjioze, pedagoge, anëtare jurie dhe mentore në një format televiziv të ORF. Ka realizuar nëntë disqe kompakte dhe ka mbi dy milionë e gjysmë dëgjime në Spotify – një arritje e jashtëzakonshme për një muzikante klasike. Ka luajtur në disa nga sallat më të mëdha botërore si Musikverein dhe Koncerthaus në Vjenë (Wiener Konzerthaus), Tonhalle në Cyrih, Flagey në Bruksel. Angëçeva mbështet kauza të ndryshme sociale dhe kulturore, është fytyrë reklamuese e një marke të njohur bizhuterish. 



Në fillim të vitit 2024 është përfshirë në klasifikimin e Forbes "Top 70" të personazheve të famshëm. Ajo është nënkryetare e Shoqatës Ndërkombëtare "Shopen" (Internationale Chopin Gesellschaft), ndërsa nga tetori i vitit 2025 do të jetë presidente e saj.



Leksionin e parë të pianos Donka Angëçeva e merr në qytetin e saj të lindjes në moshën pesëvjeçare. Në moshën dhjetëvjeçare merr pjesë në koncert me Filarmoninë e Plovdivit. Por gjithçka fillon nga fizarmonika e dajës së saj, e cila i kishte bërë përshtypje që kur ishte katërvjeçare. Më pas kupton se instrumenti më i mirë për të do të ishte pianoja. Donka takohet me pedagoge të mrekullueshme, të cilat e frymëzojnë shumë. Prindërit e saj, megjithëse shumë muzikantë dhe dashamirës të muzikës, nuk ishin profesionistë, por gjithmonë e kanë mbështetur shumë vajzën e tyre, sepse shihnin se ajo luante me dëshirë të madhe.



"U pranova në vend të parë në Shkollën e Muzikës, gjë që ishte një sensacion, sepse isha thjesht një fëmijë nga një lagje periferike, pa prindër muzikantë – kjo ishte e çuditshme… Thjesht pata një fëmijëri të lumtur me pianon time, me ëndrrat e mia, me mësueset e mia." 



Edhe Vjena ishte një ëndërr e saj fëmijërore. Kur ishte 17 vjeç u largua për në Austri. Konkurrenca ishte e fortë: rreth 160–180 kandidatë nga e gjithë bota në garë për 20 vende, 10 për të huajt dhe 10 për austriakët. Donka u pranua në klasën e profesor Heinz Medzimorec, gjë që për të ishte lumturi dhe më shumë se një ëndërr e realizuar. Për studimet në këtë universitet ajo thotë:

"Nuk më pengoi, nuk u desh të ndryshoja stilin tim të të luajturit. Profesori im vetëm i dha një nuancë vjeneze interpretimit tim. Në asnjë mënyrë nuk ma hoqi emocionin. Ai thoshte: ‘Ajo që të bën ty shumë të veçantë është pikërisht ky emocion, me të cilën ti luan. Ruaje këtë "interpretim burrëror", por dua të shtoj një nuancë finesse-je, të hollësisë vjeneze.’ Ajo që më dha arsimimi në Vjenë ishte lufta, besimi në vetvete. Sepse ajo botë është mjaft, mjaft e vështirë. Njeriu duhet së pari të mbijetojë, të afirmohet. Duhet të posedojë diçka që të jetë shumë më e veçantë nga ajo që posedojnë të tjerët…"



Që e vogël merrte një përgatitje serioze teknike. Kushtet në të cilat rritej ishin mjaft të ashpra:

"Shumë shpesh nuk kishim ngrohje dhe gjyshja ime më kishte thurur doreza pa gishta, që të mund të luaja. Më kujtohet se shpesh nuk kishim as drita – kam luajtur me qiri. Disa instrumente, me të cilat stërviteshim, u mungonin tastet. Prandaj qëllimi, dëshira, ëndrra ime ishte që me të gjitha mjetet e mbledhura nga gala që organizova këtë vit, të blinim një instrument për Shkollën e Muzikës në Plovdiv. Unë jam artiste e Bëzendorfer, dhe kjo ishte për mua absolutisht prioritet. Në javët në vijim fëmijët do të marrin instrumentin, për të cilin ne punuam."

Ngjarja për të cilën Angëçeva flet është "Gala e kulturës dhe muzikës bullgare", organizuar prej saj për herë të parë më 24 maj 2024. Këtë vit koncerti u mbajt më 25 maj, në sallën "Brahms" të Muzikferajn-it.



Në këtë vend më të famshëm për muzikë në Vjenë, Angëçeva mblodhi muzikantë bullgarë të shquar nga të gjitha zhanret.

"E dini, unë jam njeri që gjithmonë do të krijojë diçka të bukur, diçka me kuptim. Për mua Bullgaria është… ajo mbetet përgjithmonë në zemrën time. Këtu kam filluar, jam edukuar si pianiste. Në Austri jam afirmuar. Për mua ishte prioritet të bëja diçka që të lidhë këto dy botë. Të theksoj që Bullgaria është një vend me një histori të pabesueshme kulturore. Ne kemi muzikë të mrekullueshme, e cila thjesht duhet të dëgjohet. Vendosa të mbledh vërtet talente të mëdha, sepse jo vetëm në Austri ka talente. Për mua Austria është një vepër arti – atje gjithçka është talent, gjithçka është bukuri, gjithçka është muzikë dhe kulturë. Por edhe ne në Bullgari kemi të njëjtën gjë. Vlerësoj shumë kolegët e mi dhe vendosa ta paraqes muzikën bullgare në mënyrën më të denjë në një skenë prestigjioze."



Pianistja shpesh luan në ansamble kamertale. Në Bullgari është i njohur trioja e shkëlqyer pianistike Trio d’Ante, ku Angëçeva luan me Valja Dervenska dhe Teodora Miteva. Partnerë të saj në skenën kamertale janë edhe tenori Andreas Shager, baritoni Clemens Unterrainer, sopranoja Ildiko Raimondi, violinistet Lidia Baich dhe Ekaterina Frolova, si dhe një nga aktoret më të shquara në Austri – Katharina Stemberger.

Trio d'Ante

Një muzikante serioze si ajo, nga ana tjetër – një grua e bukur, elegante, mbresëlënëse! Soliste aktive dhe pedagoge, yll televiziv, nënkryetare e Shoqatës Ndërkombëtare "Shopen", e angazhuar me kauza sociale, kulturore dhe bamirësie... A nuk e rëndon gjithë kjo?

"Jo, sepse këto janë gjëra të bukura dhe kjo më motivon. Sigurisht, njeriu duhet edhe të kursejë pak veten, sepse në fakt më e rëndësishmja është muzika, arti. Por gjithçka që ndodh rreth meje, ajo është art. Ju shihni në sa fusha të ndryshme jam aktive. Unë mendoj se më e bukura është kur arrijmë që edhe njerëzit nga fusha të tjera të na admirojnë. Të thonë: ‘Wow! Muzika klasike! Ajo mund të jetë shumë interesante!’. Nuk e di, ndoshta unë e paraqes ndryshe, ose njerëzit e perceptojnë si diçka tjetër, por fakti është që pëlqehet."

Донка Ангъчева и Росен Гергов

Me një familje të mrekullueshme – bashkëshort dhe dy vajza, të cilat e duan dhe e vlerësojnë shumë, me një karrierë profesionale të shkëlqyer, me realizim shoqëror dhe mediatik për t’u admiruar, unë pyes – për çfarë ëndërron një grua kaq e suksesshme në çdo aspekt?

"E dini, ëndrra ime është ndoshta të jetojmë në një botë më të qetë. Një botë me më shumë kulturë… Ndoshta njerëzit të vlerësojnë të vërtetën në jetë. Kam ndjesinë që drejtimi, në të cilin po ecim, nuk është shumë pozitiv. Dua të ketë paqe në botë. Dua njerëzit të duan njëri-tjetrin. Dua që njerëzit të besojnë më shumë në gjërat e mira, në Zot… Nuk e di, ndoshta unë jam tepër optimiste, por nuk e humbas kurrë besimin, nuk e humbas shpresën. Uroj thjesht që të gjithë njerëzit në botë të jenë më të mirë, të duan njëri-tjetrin dhe me të vërtetë të synojnë drejt më të mirës."



Më 30 shtator Donka Angëçeva do të marrë një nga çmimet më prestigjioze austriake – Medaljen e Artë të Nderit "Urdhri për Merita i Republikës së Austrisë".



Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: angatscheva.com, keymedia.at, Facebook/ Donka Angatscheva, БТА 



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Mlladen Kojnarov

80-vjetori i lindjes së këngëtarit popullor Mlladen Kojnarov

Sot, 15 shtator, festojmë 80-vjetorin e lindjes së njërit prej këngëtarëve popullorë më karakteristikë, të njohur dhe të dashur nga malet e Rodopeve - Mlladen Kojnarov. I lindur më 15 shtator 1945 në fshatin Orjahovec, rajoni i Smoljanit, ai e filloi..

botuar më 25-09-15 5.05.PD
Emill Dimitrov

“Vendi im, Bullgaria ime”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova Foto:  arkiv, arkiv personal, BGNES

botuar më 25-09-12 7.05.PD
Krum Jankov

"O Stoene, biri im Stoene" – një kujtim i këngëtarit popullor dhe fizarmonistit Krum Jankov

Sot festojmë 95-vjetorin e lindjes së këngëtarit popullor dhe fizarmonistit Krum Jankov. Ai lindi më 11 shtator 1930 në fshatin Dobrallëk të malit të Rodopeve dhe tregoi që në fëmijëri interes për fizarmonikën. Vendimtare për formimin e tij si muzikant..

botuar më 25-09-11 6.10.PD