Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Si francezi Emmanuel Delhoume nga Parisi zbuloi vendin tonë dhe Radio Bullgarinë

Emmanuel Delhoume (në mes)
Foto: Darina Grigorova

U takuam me francezin Emmanuel Delhoume në kishën ortodokse bullgare “Shën Patriarku Evtimij i Tërnovos” në Paris. Ai është i martuar, ka pesë fëmijë dhe familja e tij është e besimit ortodoks. Bullgarinë e zbuloi në një moment të vështirë, në vitin 2018, gjatë një udhëtimi pelegrinazhi në manastiret e malit Athos. Gjatë rrugës nga manastiri Simonopetra drejt manastirit Grigoriu, ai theu këmbën dhe personi që i erdhi në ndihmë ishte një bullgar me emrin Çavdar – i cili, sipas fjalëve të tij, i shpëtoi jetën. Në atë kohë Emmanuel frekuentonte kishën bullgare në Paris dhe kjo përvojë e fortë shpirtërore e bëri ta shihte si një shenjë hyjnore, pas së cilës filloi të merrte pjesë rregullisht në shërbesat kishtare. 

Më pas, në vitin 2023, Mitropoliti Antoni e shuguron si ipodiakon dhe lexues. Për podkastin e Radio Bullgarisë “Ura e besimit”, kushtuar komunitetit ortodoks bullgar në Paris, Emmanuel Delhoume tregoi në një intervistë të veçantë se pse zgjodhi t’i shërbejë Kishës Ortodokse Bullgare:

“I shërbej Patriarkanës Bullgare nga dashuria për këtë Kishë dhe për popullin tuaj. Çdo vit udhëtoj në Bullgari dhe vizitoj manastiret tuaja – në Rilla, Baçkovo, Trojan, Rozhen, Çerepish, Drjanovo... dhe manastirin “Shën Nikolla Çudibërësi” në Veliko Tërnovo. Kështu u bëra pelegrin në Bullgari, por kam një të metë të vogël – nuk flas bullgarisht.”

Si e zbuloi Ortodoksinë dhe pse vendosi t’i përkushtohet?

“E pranova Ortodoksinë sepse këtu në Perëndim ka një krizë të madhe shpirtërore, dhe katolicizmi romak gjithnjë e më shumë po largohet nga e Vërteta dhe nga besimi. Për më tepër, në Francë ka shumë ateizëm. Kështu që, në kërkim të së Vërtetës, e zbulova Ortodoksinë, sepse besoj se një i krishterë që e kërkon me të vërtetë Zotin dhe thellohet në besimin e tij – bëhet ortodoks. Jam i bindur se besimi ortodoks është Kisha e Krishtit.”

Ai e zbuloi Ortodoksinë në vitin 2008, gjatë një vigiljeje kushtuar Shën Marisë në Kishën Ruse në Paris. Pikërisht atje ndodhi kthesa shpirtërore, kur ndjeu lidhjen me komunitetin kishtar. “Ajo që pashë ishte se besimi në këtë Kishë ishte me të vërtetë i gjallë – kujton Emmanuel Delhoume. – Mund ta krahasoja me besimin e përshkruar në 'Veprat e Apostujve'.” Kështu, në vitin 2012, e gjithë familja e tij përqafoi Ortodoksinë. Dhe kur zbuloi kishën bullgare, vendosi të kërkojë më shumë informacion për vendin tonë.

“Lexoj rregullisht artikuj për Bullgarinë, për mua kultura bullgare është shumë e rëndësishme. Në fakt, këtu në Francë dihet shumë pak për të, dhe për brezin tim, personat mbi 50 vjeç, vendi juaj nuk ishte shumë i arritshëm. Teksa kërkoja, gjeta faqen e Radio Bullgarisë. Është njësoj si në jetën shpirtërore – kur njeriu kërkon, gjithmonë gjen. Lexoj rregullisht faqen në frëngjisht."

Në fund të bisedës sonë, Emmanuel Delhoume dërgon mesazhin e tij për audiencën e Radio Bullgarisë:

Ajo që mund t’i uroj popullit bullgar është të rizbulojë Ortodoksinë. Ndërsa francezëve që jetojnë në Bullgari, u uroj të njëjtën gjë – domethënë të zbulojnë Ortodoksinë, të jetojnë dhe të njohin popullin bullgar. Ai është bartës i vlerave tradicionale. Dëshiroj t’i uroj popullit bullgar: ‘Mos u bëni si francezët, mos bini në modernizëm, mos u bëni egocentrikë, jini bullgarë, krenohuni që jeni bullgarë. Dhe në përfundim – le ta vendosim Zotin në qendër të gjithçkaje, në zemrën e gjithçkaje.’”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Darina Grigorova, Facebook/ Emmanuel Delhoume


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Xhonatan Angellov

Bullgari nga Parisi, Xhonatan Angellov – Është jeta një përrallë dhe cila është morali prej saj?

Ju pëlqejnë përrallat? Cila është e fundit që keni lexuar dhe sa ngjashmëri keni gjetur me jetën tuaj deri tani? Megjithëse shumë njerëz e konsiderojnë këtë zhanër letrar më tepër si diçka për fëmijë, përrallat janë burim i shumë mësimeve dhe..

botuar më 25-07-29 4.30.MD

Mediat moderne në sytë e bullgarit Veselin Vaçkov nga Çekia

Nëse duhet të veçojmë tiparet që e dallojnë një bullgar të suksesshëm në Evropën Qendrore, në asnjë mënyrë nuk do të ishte ndonjë biznesmen i madh që shfaqet me një makinë të shtrenjtë dhe një sërë suksesesh materiale. Përkundrazi, imazhi i bullgarit të..

botuar më 25-07-27 10.00.PD
Monika Evstatieva

Rruga e një bullgareje në radion publike të SHBA-së

Monika Evstatieva është gazetare që punon si producente në departamentin e hetimeve në radion publike amerikane NPR. Ajo ka lindur në Sofje dhe, kur ishte e vogël, ëndërronte të merrej me reklamë, por puna e saj në një radio në Blagoevgrad i ndezi..

botuar më 25-07-22 7.30.PD